Kitaristi i shquar Petrit Çeku, nga banesa e tij në kryeqytetin kroat po vazhdon të ndajë për publikun performancat me miqtë e tij në vende të ndryshme të botës.
Të enjten e ka kaluar duke luajtur virtualisht me violinistin shqiptar Jonian Ilias Kadesha, për të vazhduar edhe me pianistin gjerman Frank Dupree. Në këtë formë ai po e përmbush veten si muzikant dhe në anën tjetër po solidarizohet me njerëzit të cilët janë të vetizoluar për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19. Në thelb, është një kapërcim distancash në kohë izolimi.
Violinisti Jonian Ilias Kadesha interpretoi nga Berlini, ndërsa kitaristi kosovar nga Zagrebi.
“Fillova që të praktikoj dhe të incizoj një nga veprat e preferuara së bashku me kitaristin e mrekullueshëm, mikun tim dhe bashkëkombësin tim Petrit Çeku”, ka shkruar ai në Facebook, ku ka shpërndarë videon gati 4- minutëshe ku pjesë nga “Cantabile” të Niccolò Paganinit, raporton KOHA.
Kadasha ka luajtur në disa vende të Evropës duke u paraqitur edhe në salla të njohura si “Wigmore Hall” në Londër, “Handelsbeurs Concertzaal” në Ghent të Belgjikës, pastaj në festivalin “Resonances Festival” në qytetin belg Ciney. Ai, po ashtu, ka performuar edhe me Filarmoninë e Berlinit e ka bashkëpunuar me emra të njohur si Steven Isserlis, Ivry Gitlis, Nicolas Altstaedt e Thomas Demenga. Në anën tjetër, pianisti gjerman Frank Dupree çdo ditë është duke publikuar nga një video në profilin e tij në Facebook. Aty po u bën thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi.
Dupree ka shkruar se është i emocionuar që kitaristi i mrekullueshëm i klasikes, siç i është referuar ai Petrit Çekut, ka ndarë kohën e tij për një moment special, me gjithë rrethanat e vështira.
“11 ditë që nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Zagrebin, kryeqytetin e Kroacisë. Kjo katastrofë është një ngarkesë me të cilën kroatët duhet që të merren, shto këtu edhe krizën nga koronavirusi”, ka shkruar ai dhe ka kujtuar vitin 2017, kur ai dhe Çeku kishin performuar për herë të parë së bashku në festivalin “Westfalen Classics” në Lippstadt të Gjermanisë.
“Petriti është një artist që me lehtësi mund të kapërcejë nëpër stile të ndryshme – pa marrë parasysh nëse është muzikë klasike, jazz apo latine. Ai është mjeshtër në kitarë dhe jam i lumtur që po luaj së bashku me të në këtë pjesë të postimeve të mia në kuadër të #StayHomeMusicSessions”, ka shkruar ai.
Pa e precizuar saktë se prej ku ka interpretuar, ka shkruar se “900 kilometra larg njëritjetrit” kanë luajtur “Nature Boy” e njohur më së shumti nga versioni i kënduar nga Nat King Cole. Në një pjesë, Dupree mbanë edhe ritmin me darabukë./koha