Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano sjellin ekspozitën ‘Lule Mosmëharro’

Autostrada Biennale, në edicionin e saj të tretë, bashkë me edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Manifesta 14 Prishtina, të prezantojnë̈ ekspozitën: “Lule Mosmëharro” 2020 – 2021 të Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos. Ekspozita hapet më 30 qershor, ndërsa për publikun do të jetë e hapur nga 1 korriku deri 11 shtator 2021

Lule Mosmëharro është një instalacion lulesh gjigande të krijuara nga pëlhura që do të prezantohen nën kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërtesë kjo arkivore e kujtesës dhe dijes kolektive. Krahas bukurisë së tyre madhështore, secila lule veçmas në këtë instalacion – qoftë boshtra, farat e palmës, luleqershija, luleftoi, ose karanfili – ngërthejnë në vetvete një domethënie si për historitë personale, gjithashtu edhe për lidhjën e të dy artistëve me njëri tjetrin. Këto lule gjithashtu shërbejnë si përkufizues të potencialit që kujtesa personale mbartë më vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive. Lulet e prezantuara mishërojnë format e dashurisë, dëshirat seksuale, intimitetin, lidhjet, dhe identitetin, në përgjithësi, e sidomos të atyreve që janë vazhdimisht të lënë, e të lëna anash, apo të shtypur, e të shtypura nga politikat dhe normat regresive të krijuara nga shoqëria.

“Këto lule po i sjellim në Prishtinë për të festuar moskonformizmin, një nxitje për një vizion për ndryshim, një ftesë për të ëndërruar, një thirrje për diversitet.” – Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.      

“Arti i thërret dëshirës për transformim të thellë në shoqëri, dhe mundëson aty krijimin e lidhjeve mes pikëpamjeve të ndryshme. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që po prezantojmë instalacionin e Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos, një instalacion që me një ndjeshmëri të veçantë u jepë dëshirave dhe nevojave të njeriut një formë poetike e plotë imagjinatë.” – Kuratorët e Edicionit të 3-të Autostrada Bienale, Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu.Reklamë

Lule Mosmëharro poashtu e mbështetë kampanjën qytetare për të drejta të barabarta në Kosovë, veçanërisht për komunitetin LGBTQI+, fushatë kjo që kërkon nga hartuesit e Kodit të ri Civil të përfshijnë aty të drejtën e martesës mes personave të gjinive të njëjta, si dhe mes personave të gjinive joheteronormative, duke fuqizuar kësisoj fushatën me bukuri lulesh – që tanimë është bërë edhe imazhi i kësaj kauze. Lulet e Halilajt dhe Urbanos do të hapen me 30 qershor, 2021, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, një ndërtesë me nëntëdhjetë e nëntë kupola përmes së cilave hedhet dritë dielli mbi një arkitekturë mahnitëse ku gërshetohen stili tradicional me shprehjen moderniste.

Petrit Halilaj ka lindur në Kostërrc, në vitin 1986, ndërsa u rrit në mes të Italisë e Kosovës. Alvaro Urbano ka lindur në vitin 1983 në Madrid, Spanjë.

Dy artistët të cilët janë edhe çift mes vete, jetojnë e veprojnë në Berlin. Përmes pikëpamjeve të formuar nga lidhja e tyre, Halilaj dhe Urbano viteve të fundit kanë krijuar mjedise, situata e performanca që trajtojnë temat e bashkëjetesës, e gjithashtu kanë trajtuar ndërveprimet që ndodhin mes mjedisit natyror dhe atij të ndërtuar. Lulet paraprakisht kanë qenë të eksponuara në Pallatin e Kristaltë në Museo de Reina Sofia në Madrid (2020), në Art Quadriennale në Romë (2020), si dhe në Berghain në Berlin (2020), ku artistët u takuan për herë të parë para shumë vitesh.

Lule Mosmëharro e Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos dhe Sunflower Fields e Anges Denes janë dy projektet publike të cilat Edicioni i 3-të i Autostrada Biennale i sjellë në bashkëpunim me Manifesta 14 Prishtina.

Lule Mosmëharro e Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos dhe Sunflower Fields e Anges Denespërkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.