Petrit Palushi: Ja cilat janë librat e parë që më lanë mbresa

Petrit Palushi

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari Petrit Palushi.

Ja cilat janë librat që i kanë lënë shenjë në jetë z.Palushi.

___________________________________________

Nga Petrit Palushi

Leximi i librave zakonisht  nis kah klasa e tretë a e katërt e Fillores.

Natyrisht, në këtë kohë dallohen më pasionantët, të cilët s’i ndahen leximit të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së tyre. Leximi për ta kthehet në  domosdoshmëri, në plotësim të dëshirave të tyre për  njohje. Gradualisht, mësojnë se bota letrare është labirinth, e pamatshme dhe dhe që nuk shterret kurrë.

Kam përshtypjen se udhëtimi në botën e librave, në pamje të parë nuk ka të bëjë vetëm me kqyrjen e tekstit, përthithjen e gjithkaje që përmban teksti përmes shkronjave, por është udhëtim  përmes shpirtit. Aty shpirti këndellet, gjen qetësi, gjen njëfarë ngrohme.

Leximin librave e kam filluar në klasën e tretë të Fillores.

Librat m’i sillte mësuesja. Më vonë u regjistrova në bibliotekën e shkollës. Ndërkohë nisa me ble libra dhe krijova një bibliotekë të vogël, e cila me kalimin e kohës pasurohej, aqsa sot s’jam në gjendje të përcaktoj me saktësi sa mijëra libra të zhanreve të ndryshme kam. Shumë  gjimnazistë e studentë vijnë shpesh e marrin libra tek biblioteka ime. Ndodh që edhe nuk i khejnë librat. Nuk mërzitem. Tek e fundit sikur ndiej një farë ngazëllimi se ato libra zënë vend në bibliotekat e tyre, sado modeste të jenë.

Kështu pra nisi udhëtimi im në botën e librit.

Nuk po përmend autorët më të cilësishëm që kam lexuar, por autor më të preferuar nuk kam. Të lidhesh vetëm pas një autori, kjo gjë të pengon dhe kthehet paragjykuese për autorë të tjerë të cilësishëm.

Por në Shqipëri nuk na lejohej të lexonim çfarë të donim. Shumë libra nëpër biblioteka cilësoheshin “libra të verdhë”. Pra, shumë autorë të huaj i kemi lexuar me shumë vonesë, si psh., Dostojevskin, Kafkën, Kamynë, etj, kur në Prishtinë u përkthyen në vitet ’70 dhe librat e këtyre autorëve lexoheshin lirisht.

Letërsia të tërheq me magjinë e vet pikërisht se ajo është zbulim i jetës; mendimi i kahershëm se ajo është pasqyrë e jetës, mbetet pa dyshim një mendim periferik për letërsinë, një koncept krejtësisht jashtëletrar. Në këtë rast po të ndërmendim poezinë si art letrar, një mendimi i T. S. Eliot se “Poezia nuk është zëvendësim i filozofisë dhe as i teologjisë; ajo ka funksionin e vet emocional dhe jo intelektual”, është dëshmi se ajo mund të shihet cilësisht dhe funksionalisht vetëm si format letrar.

Pasqyrimi ndodh kur njeriu e sheh veten në ujë, ose në pasqyrë.

Pikërisht pse shkrimtari krijon një realitet tjetër, të trilluar, të dëshirueshëm për të dhe për lexuesin e kultivuar ose jo, e legjitimon njëmendshëm veprën si të tillë: një vepër letrare sipas kërkesave të larta, të parakuptueshme dhe të detyrueshme që parasheh vetëm ajo.

Personazhi i Lokes te “Andrra e jetës” i N. Mjedës në pamje të parë të kujton Motrën Tone të Idromenos. Fantazia e Mjedës e ka zhveshur personazhin nga pamja rutinë dhe e ka bërë shprehëse, ngacmuese për lexuesin. Kjo ndodh se Mjeda në këtë vepër nuk qe qëllimor në letërsi dhe krijoi një realitet artistik të besueshëm dhe mbresëlënës.

Gjendja e autorit përkon me një gjendje psh., me një ndodhi në natyrë (po ta bënim më të kapshëm e më të prekshëm shpjegimin), me një lloj ngacmimi që më pas i hap rrugë një rrëfimi pikërisht për atë gjendje, në qoftë se mund ta quajmë kështu, gjithçka të modelohet dhe të marrë pamjen e një pjese të jetës. Në këtë kontekst, proza s’është emocion, ashtu siç është poezia, por ajo është lëndë dhe brenda kësaj lënde fijet e jetës duhet të jenë realisht të besueshme e të kapshme nga lexuesi.  Letërsia si art parashihet më së pari nga individi që e krijon (autori) dhe përcillet më pas tek lexuesi në rrethana të njohura dhe të kuptueshme.

Proza psh s’është përshkrimi i një natyre të qetë, që mund të shfaqej në formën më të shtirë kopjuese ku veprës mund t’i mungonte lëngu i krijimit dhe ajo të mos ekspozohej vetëm në thatësinë. Ajo mund të shfaqet cilësisht kur jep shijen e një impulsi të jetës; shkrimtari i ndjeshëm dhe seriozisht i talentuar e ka hetuar këtë impuls të jetës, e natyralizon më pas në vepër sipas ligjësive funksionimit të vetë prozës si art letrar. Shkrimtari i vetëdijshëm për rëndësinë e veprës si art i mirëfilltë, pra e shthur dhe e shkatërron idenë e marrjes së jetës shabllon, e kopjimit të saj, dhe vë në lëvizje imagjinatën krijuese.

Po shënoj më poshtë tre librat e parë që më kanë lënë më tepër përshtypje:

1. “Tregime të moçme shqiptare”, i M. Kutelit

Këtë libër e kam lexuar në klasë të katërt të Fillores.

Aq shumë më tërhoqi sa e lexova dy herë. Gjeto Bashë Muji, Halili e kreshnikë të tjerë më bënë për veti, sepse qe një botë krejt e panjofshme për mua.

Libri është shkruar në tosknisht. Shumë kohë më vonë lexova “Eposin e kreshnikëve”, ashtu siç ishte në original, në gegnisht. E rilexova edhe “Këngë të moçme shqiptare”. Nuk duhet qortuar libri i Kutelit, por “Eposi i kreshnikëve” në origjinal, ishte tjetër gjë, kishte tepër frymëmarrje. Më vjen keq që askush s’e ka marrë mundimin deri sot ta ritregojë Eposin për nxënësit në gegnisht, bash në gjuhën e vet.

2. “Plaku dhe deti”, i Hemingueit

Librin e lexova kur isha gjimnazist në vit të dytë.

Më pëlqeu tepër. Ndeshja e plakut Santiago me peshkaqenin më ngjau si dyluftim gladiatorësh. Shumë kohë më vonë kur librin e lexova në anglisht, tekstin e pashë në krejt përbërësit. 

3. Romani “Qyteti i fundit”, i Petro Markos

Edhe këtë libër e kam lexuar kur isha gjimnazist në vitin e dytë.

Natyrisht, asokohe nuk e kisha këtë vështrim të sotëm për romanin, por tash mund të them se “Qyteti i  fundit” ishte një pikënisje në prishjen e skemave që po krijoheshin dhe me të cilat po operonte letërsia shqipe e kohës. Kritika letrare përgjithësisht e pranoi romanin, por vlerat e tij u panë të përgjysmuara; asnjëherë s‘iu afrua si duhet dhe sa duhet romanit që t’i përcillte ashtu si duhet vlerat dhe mesazhin e tij: dhe n’ato raste që e analizoi atë, e pa dhe e ripa njëanshëm dhe e qortoi veprën pikërisht aty ku vlerat ishin më të shumta dhe më emancipuese.

Në roman, dyzimi referencial (përqëndrimi i rrëfimit në luftën dhe paqen), ka krijuar mundësi që të shpalosen fate njerëzore të shumëllojta, ndërsa kohët përthyhen, integrohen në njëra-tjetrën ose ndërrohen midis tyre. Shkrimtari gjithashtu ka sendërtuar relievin estetik të luftës dhe paqes, që do të bëhet objekt i këtij shkrimi.

Romani ishte një shfaqje moderniteti në letërsinë shqipe të kohës (ndërtimi kompozicional, thyerja ose këmbimi i formave të rrëfimit, arsyetimi filozofik, përsiatjet esejistike, pra, konceptimi tërësor i veprës). Veç kësaj, shkrimtari Petro Marko kërkonte të hapte artistikisht dritaren e paqes dhe të humanizmit njerëzor, të shkrinte gjithashtu akujt e ngrirë që dukeshin si akuj të përjetshëm. Romani sillte një mesazh harmonie tek njerëzit, dhe përmes arsyetimit të tij filozofik dhe përsiatjeve esejistike,  shkrimtari  ngrihej mbi dogmat e letërsisë konformiste. Kjo do të thotë që romani erdhi si vepër jashtë konformizmit. Raporti që krijohet në roman midis toger Lekës dhe Ana Maria Montit është pa dyshim, një nga pikat më vepruese dhe gjallëruese të veprës. /

2019

ObserverKult