Petro Marko: “Lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se…”

petro marko valë

Nga Petro Marko

“…para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

– Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës….”

*Titulli i origjinalit: “Ra tërmeti…”

ObserverKult


petro marko valë

Lexo edhe:

“PO LARGOHEM ME NJË PENG”, ËNDRRA E PAREALIZUAR E PETRO MARKOS

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Petro Marko, kishte një ëndërr të madhe që nuk e realizoi dot. Petro donte të vizitonte Kosovën e shumëdashur, por nuk ia doli ta përmbushte një dëshirë të tillë.

“Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektonin si shkrimtar dhe luttëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot”.

“Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i pakapërcyeshëm. Edhe kjo është një nga dhembjet e mia”.

“E dua Kosovën gjer në dhembje, se është Shqipëri!”, shkruante Petro Marko me shumë dashuri për Kosovën.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KETU:

ObserverKult