Picaso: Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate

E kam të vështirë ta kuptoj rëndësinë që i jepet fjalës “kërkim“ në lidhje me pikturën moderne. Simbas meje, në pikturë, kërkim nuk do të thotë asgjë. Të gjesh: ky është problemi. Askujt nuk mund t‘i zgjojë kureshtje një njeri që vështron ngultazi përtokë, duke kërkuar kuletën që rastësia mund ta ketë hedhur në rrugë. Kush gjen diçka, nuk ka rëndësi se çfarë, edhe nëse kërkimi i asaj gjëje s’ishte qëllimi i tij, ai po që na zgjon kureshtjen, pse jo dhe admirimin.

Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente. Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.

Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij. Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.

Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.

Ata flasin për natyralizëm dhe kundërvënie ndaj pikturës modene. Do më pëlqente të njihja ndokënd që ka parë një vepër arti natyrale. Natyra dhe arti, duke qenë dy realitetet krejtësisht të ndryshme, nuk mund të jenë e njejta gjë. Nëpërmjet artit ne shprehim konceptimin e asaj që natyra nuk është.

Velázques na ka përcjellë shëmbëlltyrën e njerëzve të epokës së tij: pa dyshim që ata ishin ndryshe nga ç’i ka pikturuar ai, por ne nuk mund të konceptojmë Filipin IV ndryshe nga ç’e ka pikturuar Velázques. Edhe Rubens ka bërë një portret të të njejtit mbret, por duket tjetër njeri. Ne besojmë në atë që ka pikturuar Velázques sepse ai na bind me të drejtën e pushtetit.

Qysh nga origjina, nga primitivët, veprat e të cilëve janë qartësisht të ndryshme nga natyra, dhe deri tek artistë si David, Ingres, e deri dhe Bouguereau, të cilët besonin se e pikturonin natyrën ashtu siç është, arti ka qenë përherë art dhe jo natyrë. Dhe nga pikëpamja e artit nuk ka forma konkrete apo abstrakte, por vetëm forma, të cilat s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtra bindëse. Nuk ka dyshim se këto gënjeshtra janë të nevojshme për pjesën tonë mendore, sepse pikërisht përmes tyre ne mund të krijojmë këndvështrimin tonë estetik mbi jetën.

Kubizmi nuk është i ndryshëm nga asnjë shkollë tjetër e pikturës. Për të gjitha shkollat janë të përbashkëta të njejtët parime e të njejtët elementë. Fakti se për shumë vite kubizmi nuk është kuptuar, dhe ka ende sot ka njerëz të cilët nuk arrijnë ta shohin, nuk do të thotë kurrgjë. Unë nuk di të lexoj në anglisht. Një libër në anglisht për mua është një libër i bardhë. Por ama kjo s‘do të thotë se gjuha angleze nuk ekziston. Përse duhet të qortoj ndokënd, veç vetvetes, nëse nuk arrij të kuptoj diçka rreth së cilës nuk di kurrgjë?

Shpesh dëgjoj të shqiptohet fjala evolucion. Më kërkojnë të shpjegoj se si evoluon piktura ime. Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë. Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt- e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.

Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.

Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo të ardhmen. Nuk besoj se në mënyrat e mija të ndryshme kam përdorur elementë rrënjësisht të ndryshëm; nëse objektet që kam dashur të shpreh më kanë propozuar mënyra të ndryshme ekspresioni, unë nuk kam ngurruar fare t’i përdor. Unë nuk kam bërë as eksperimente e as prova. Kur kam diçka për të thënë, e them në mënyrën që më duket më natyrale. Motive të ndryshme kërkojnë në mënyrë të pashmangshme metoda të ndryshme ekspresioni. Kjo nuk do të thotë evoluim apo ecje përpara, por përshtatje e idesë që duam të shprehim me mënyrat e shprehjes së kësaj ideje.

Arti kalimtar nuk ekziston. Në historinë kronologjike të artit ka periudha që janë më pozitive dhe më të plota se të tjerat; kjo do të thotë vetëm se ka periudha në të cilat ekzistojnë artistë më të mirë se në periudhat e tjera. Nëse historia e artit do mund të paraqitej në mënyrë grafike, ashtu siç veprohet me digramat që shënojnë ndryshimet e temperaturës së të sëmurit, do viheshin re të njejtat linja që ulen e çohen, duke provuar kështu që në art nuk ka ngjitje dhe përparim, por shënohen do lloj uljesh e ngritjesh si në çdo tjetër fushë. E njejta gjë ndodh edhe në punën individuale të një artisti.

Shumë njerëz mendojnë se kubizmi është një art kalimtar, një eksperiment që nuk mund të sjellë rezultate të mëtejshme.  Ata që mendojnë kështu nuk e kanë kuptuar. Kubizmi nuk është një farë apo fetus, por art që trajton një shkallë formash parësore, dhe kur një formë realizohet shfaqet aty për të jetuar jetën e saj. Një lëndë minerale që ka një formë gjeometrike nuk është bërë për qëllime kalimtare; ajo është aty për të mbetur dhe mbetur përherë në formën e saj; nëse duam të zbatojmë në art ligjet e evolucionit dhe të transformizmit, atëherë duhet të pranojmë që gjithçka është kalimtare. Por, në të kundërt, arti nuk hyn në këto absolutizma filozofike. Në qoftë se  kubizmi ishte art kalimtar, unë jam i bindur se e vetmja formë që do mund ta pasonte kishte për të qenë një formë tjetër e kubizmit.

Janë bërë përpjekje për ta shpjeguar kubizmin nëpërmjet matematikës, trigonometrisë, kimisë, psikanalizës, muzikës, e kushedi ç’gjëje tjetër. E tërë kjo s’ka prodhuar send tjetër përpos letërsi, për të mos thënë “pa kuptim“, dhe ka sjellë rezultatin e keq të verbimit të njerëzve përmes teorive.

Kubizmi ka qëndruar përherë brënda kufinjve të pikturës, duke mos mëtuar kurrë të dalë jashtë saj. Vizatimi, piktura dhe ngjyra janë mirëkuptuar dhe përkushtuar në kubizëm po me të njejtin shpirt dhe mënyrë siç janë mirëkuptuar në shkollat tjera. Kohërat tona mund të jenë të ndryshme sepse ne kemi ndërkallur në pikturë objekte dhe forma të panjohura më parë, kemi hapur sytë mbi gjithë çfarë na qarkon, e edhe mendjen.

Formës dhe ngjyrës u kemi dhënë kuptimin e tyre të veçantë gjer ku kemi arritur ta shohim. Në objektet tanë ruajmë harenë e zbulimit, kënaqësinë e së papriturës; vetë objekti ynë duhet të jetë një burim vëmendjeje. Por ç’dobi ka vallë të flasim rreth asaj që bëjmë, në një kohë kur të gjithë mund ta shikojnë, nëse duan?/albertvataj.com

Përktheu: Shpëtim Kelmendi