Pier Paolo Pasolini: Gjë s’kam bërë përveç që kam vuajtur…

Në Romë që nga vitet pesëdhjetë deri më sot, gusht ‘66
Gjë s’kam bërë përveç që kam vuajtur dhe kam punuar gopçarçe.
Mbas atij viti papunësie dhe i dhashë fund asaj jete
jepja mësim në një shkollë të vogël private
për njëzet e shtatë dollarë në muaj.
Në ndërkohë babai im na u ribashku
dhe kurrë nuk folëm mbi arratinë tonë,
times dhe të nënës.
Ishte vaki e rëndomtë, transferim në dy faza.
Jetonim në një shtëpi pa kulm, pa suva,
shtëpi e varfanjakëve në skaj të periferisë së qytetit,
bash afër një burgu.
Verës zonë e stuhisë së pluhurit, dimrit ligatishtë –
Ama ishte Itali, Itali lakuriqe dhe gëluese,
me djemtë e saj, me femrat e veta,
me erën e saj të jaseminit dhe me supa sa për ta mbajtur shpirtin
gjallë e për gazep,
perëndimet e diellit në fushat e Anienes, turra mbeturinash –
dhe sa më përkiste mua, poezia dhe ëndrrat më mbetën të paprekura.
Në poezi, kisha zgjidhje për gjithçka.
Mua më dukej se Italia, përshkrimi dhe fati i saj,
vareshin nga ajo që pata shkruar mbi të,
në vargjet e injektuara me realitet të drejtpëdrejtë,
pa qenë nostalgjik,
siç e pata fituar atë me djersë –
s’ka dert se do ditëve
nuk i kisha njëqind lira për t’u rruar te berberi.
Figura ime e përkorë, sado që e paqëndrueshme dhe e trentë,
në atë çast në shumë mënyra ishte
sikur e shumë njerëzve me të cilët jetoja:
në këtë ne ishim has vëllezër, bile së paku ishim të barabartë –
Dhe kësisoj mund, besoj, t’i kuptoj fort mirë.

Përktheu: Fadil Bajraj

*Titulli i origjinalit: “Ama ishte Itali lakuriqe dhe gëluese”

ObserverKult


Lexo edhe:

(VIDEO) NIMON MUÇAJ LEXON NJË CIKËL TË ZGJEDHUR POEZISH TË ADEM GASHIT/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 2