“Pikaso dhe Ajnshtajni në një bar në Paris” është premiera ekskluzive e teatrit Metropol në Tiranë, e cila çel sezonin artistik teatror pas një periudhe të gjatë mbylljeje nga Covid-19.
Vepra e jashtëzakonshme e shkruar nga Steve Martin, do të ngjitet në skenë nga datat 17-26 qershor, nga regjisorja Armela Demaj, e cila ka bërë bashkë një kast aktorësh e muzikantësh për këtë teatër muzikor.
Në të interpretojnë aktorët Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi dhe Kristjana Dodaj.
Ky produksion i ri, do të sjellë historinë komike të takimit midis dy gjenish, Pikasos dhe Ajnshtajnit në fillimin e shek. XX, kohë ku do të ndërthuren rikrijimi i elementëve vizualë dhe interpretativë me muzikën dhe këngën e kësaj periudhe.
Shfaqja në qendër ka dy personazhet kryesorë, piktorin e njohur Pablo Pikaso dhe shkencëtarin Albert Ajnshtajn, të cilët takohen në një mbrëmje në lokalin “Lapin Agile” (Lepuri i shkathët) në Montmartre, në Paris.
Ngjarjet janë vendosur në një mbrëmje tetori në vitin 1904, kohë kur të dy gjenitë janë në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse (Ajnshtajni, përpara se të botojë teorinë e tij të relativitetit në 1905 dhe Pikaso, para se të pikturojë veprën “Zonjat e Avinjonit” “Les Demoiselles d’Avignon” në vitin 1907).
Në bar ata kanë një debat të gjatë në lidhje me vlerën e gjeniut dhe talentit, ndërsa bashkëveprojnë me një mori personazhesh të tjerë, mes tyre dhe Elvis Preslin para se të bëhej një rroker i njohur.
Steve Martin ka thënë se “duke u ndalur në Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe pikturën e njohur “Zonjat e Avinjonit” të Pikasos, vepra përpiqet të shpjegojë në një mënyrë sa më të thjeshtë ngjashmërinë e procesit krijues, duke përfshirë imagjinatën në art dhe po ashtu edhe zbulimin shkencor”.
Imagjinoni në një pjesë të humbur të Parisit, në fillim të shekullin XX Pikason një artist në fillimet e veta të famës, dhe një gjeni të ardhshëm të shkencës si Ajnshtajnin. Përfshi këtu edhe disa personazhe të tjerë të mistershëm, që debatojnë, me egot e tyre po aq të mëdha sa dhe vetë intelekti i tyre, përfshihen në diskutime për artin, shkencën, inspirimin, dashurinë, muzikën, dhe premtimin e shekullit XX.
“Në këtë komedi të parë për teatër, Steve Martin të mahnit me lojërat e fjalëve dhe të papritura që thyejnë konvencione dhe do t’ju bëjnë të ndiheni si një fëmijë që po zbulon lodra të reja. Kubizmi dhe relativiteti nuk kanë qenë kurrë më parë kaq gallatë”, shkruan New York Times.
Zbërthimi i karaktereve të veprës në ndërthurje me njëri-tjetrin sjellin situata komike duke vënë në dukje optika të ndryshme të mënyrës se si shihet bota dhe marrëdhëniet njerëzore brenda saj. Projekti krijon një copëz jete 100 minuta nga një periudhë e largët, siç është viti 1904, ku arritjet e shkencëtarëve dhe artistëve ishin ngjarjet më frymëzuese të kohës.
Muzika do të jetë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje e cila do të jetë e gjitha “live”, ku do të ndërthuret muzika instrumentale dhe vokale duke ruajtur atmosferën e periudhës në të cilën zhvillohet shfaqja dhe vendi ku zhvillohet. Ndërsa qasja skenografike është në sintoni me periudhën historike të viteve 1900, gjithashtu edhe kostumet do të qëndrojnë në stilin e kësaj epoke./ATSH