“Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris”, premierë në “Teatrin e Metropolit”

Mbrëmjen e djeshme “Teatri i Metropolit” në Tiranë ka rihapur dyert e tij për spektatorët pas më shumë se një viti nga marsi 2020 kur u dha shfaqja e fundit “Ëndrra e një nate vere”. Gjithashtu ky teatër çeli sezonin e tij të shfaqjeve i cili duhej të niste më herët, por masat kufizuese të detyruara nga pandemia kanë sjellë këtë vonesë.

“Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris” është titulli i shfaqjes që ka ardhur si premierë natën e mbrëmshme duke pasur një publik më kapacitet të reduktuar, kjo në bazë të kushteve për aktivitetet artistike në kuadër të pandemisë.

Vepra e jashtëzakonshme e shkruar nga Steve Martin, u ngjit në skenë nga regjisorja Armela Demaj, e cila ka bërë bashkë një kast aktorësh e muzikantësh për këtë teatër muzikor. Ky produksion i ri, solli historinë komike të takimit midis dy gjenish, Pikasos dhe Ajnshtajnit në fillimin e shek XX, kohë ku do të ndërthuren rikrijimi i elementeve vizual dhe interpretativ me muzikën dhe këngën e kësaj periudhe.

Shfaqja në qendër ka dy personazhet kryesor piktorin e njohur Pablo Pikaso dhe shkencëtarin Albert Ajnshtajn, të cilët takohen në një mbrëmje në lokalin “Lapin Agile” (Lepuri i shkathët) në Montmartre, në Paris. Ngjarjet janë vendosur në një mbrëmje tetori në vitin 1904, kohë kur të dy gjenitë janë në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse (Ajnshtajni, përpara se të botojë teorinë e tij të relativitetit në 1905 dhe Pikaso, para se të pikturonte veprën “Zonjat e Avinjonit” “Les Demoiselles d’Avignon” në vitin 1907). Në bar ata kanë një debat të gjatë në lidhje me vlerën e gjeniut dhe talentit, ndërsa bashkëveprojnë me një mori personazhesh të tjerë, mes tyre dhe Elvis Preslin para se të bëhej një roker i njohur.

Steve Martin ka thënë se “duke u ndalur në Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe pikturën e njohur “Zonjat e Avinjonit” të Pikasos, vepra përpiqet të shpjegojë në një mënyrë sa më të thjeshtë ngjashmërinë e procesit krijues, duke përfshirë imagjinatën në art dhe po ashtu edhe zbulimin shkencor.

Zbërthimi i karaktereve të veprës në ndërthurje me njëri- tjetrin sjellin situata në 100 minuta të një periudhe e largët siç është viti 1904 ku ngjarjet më frymëzuese të kohës ishin arritjet e shkencëtareve dhe artistëve.

Muzika dhe instrumentet janë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje e gjitha “live” duke ruajtur atmosferën e periudhës në të cilën zhvillohet shfaqja. Ndërsa qasja skenografike është në sintoni me periudhën historike të viteve 1900, gjithashtu edhe kostumet.

Kjo premierë vjen nën interpretimin e aktorëve Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi, Kristjana Dodaj.

Regjia vjen nga Armela Demaj, as/regjisore Joana Omeraj, formulues muzikor Gent Rushi, këngëtare Laura Hoxha, koreografia Sara Koçi, skenografia, Klodiana Beqiraj dhe kostumografia Frenci Gjerasi. Autori i kësaj shfaqjeje është Steve Martin.

Shfaqjet jepen për publikun në datat 18,19, 24, 25, 26 qershor në orën: 21:00./ATSH

LEXO EDHE: Shfaqja “Mbretëreshat pa kurorë” përfaqëson Kosovën në Festivalin e Bursës