Thoshte se nuk i pëlqente muzika: tri piktura të ekspozuara në Filarmoninë franceze vërtetojnë të kundërtën.
Pikaso nuk i binte ndonjë instrumenti, madje nuk dinte të lexonte as edhe një partiturë… Gjithsesi, këto tri vepra të piktorit kubist, të prezantuara në ekspozitën “Les musiques de Picasso” (“Muzika e Pikasos”) në Filarmoninë e Parisit, kohë më parë, tregojnë qartë ndikimin që ka pasur muzika në jetën dhe punën e tij.
Ishte një nga frazat definitive dhe provokuese, pas së cilës fshihej një sekret: “Nuk e pëlqej muzikën”. Sidoqoftë, gjithë krijimtaria e Pikasos dëshmon të kundërtën. Nëse nuk i pëlqente muzika “e shtresës së lartë”, kishte bërë të tijën atë të të shtresës së ulët, atë akrobatike: muzikën e kafeneve, muzikën e rrugës.
Mbi të gjitha, ai ishte i magjepsur pas instrumenteve. Pasionin e Pikasos për muzikën po e përmbledhim përmes tri tablove emblematike.
“Arlekini me kitarë” (Paris, 1918)
Arlekini mbetet një figurat kryesore në ikonografinë e Pikasos. Pas periudhës “blu”, piktori i braktisi turmat për të pikturuar subjekte të vetmuara, edhe pse nuk reshti së pikturuari botën e argëtimit.
Familjar me cirkun “Médrano”, ku orkestra luante muzikë dhe këngë të kohës gjatë numrave, Pikaso shumëfishon pikturat e këtyre akrobacive nga “commedia dell’arte”, që përfaqësojnë muzikantë, gjithmonë të shoqëruar me personazhe nga bota e spektakleve popullore, pas të cilave ai ishte i apasionuar.
Kemi të bëjmë me një Arlekin, që mban një kitarë dhe dikush mendon pas kostumit autoportretin. Spanja, vendlindja e dashur për piktorin, me muzikën e saj: flamenko, jota, apo muzika karakteristike e toreadorëve, nuk është kurrë larg. Pra, nëse Pikasos nuk i pëlqen “muzika klasike”, atij i pëlqen muzika popullore, përfaqësues i së cilës është edhe ky Arlekin, transmeton ‘konica.al’.
“Violina dhe fleta e muzikës” (Paris, 1912)
Dy partitura për piano dhe zë janë origjina e gjashtë letrave të ngjitura me fletë muzikore, që njohim sot nga Pikaso, ku njëra është “Violina dhe fleta e muzikës”.
Partiturat e shtypura, ku shënimet dhe tekstet janë krejtësisht të lexueshme, përmbajtja sentimentale e të cilave dyfishohet nga prania e instrumentit metaforik, shpesh përdoren nga piktori për t’i kënduar dashurisë.
Dallohet gjithashtu magjepsja për notat dhe formën e instrumenteve. Pikasos i pëlqente të shkonte te artizanët e instrumenteve, ku vëzhgonte instrumentet teksa lëshonin tinguj.
Në atelienë e tij, ku koleksiononte kryesisht kitara, violina dhe mandolina, atij i pëlqente t’i çmontonte dhe t’i montonte përsëri sipas mënyrës së tij, duke krijuar forma gjeometrike me të cilat luajti në shumë piktura, prej nga “Violina dhe fleta e muzikës”, prodhuar në 1912 në Paris.
“Muzika e mëngjesit” (“L’aubade”, Mougins, 1965)
Pikaso i kishte kaluar të 85-at, kur gjeti figurën e “piktorit-muzikant” në formate monumentale në vilën e tij në Mougins.
Ai pikturoi obada dhe serenata të shumta, ku burri magjeps bukuroshen e tij me anë të melodisë. Burri në skenë josh gruan, magjeps publikun, sfidon kohën dhe vdekjen që bredhëron…
Instrumentisti zë vendin kryesor në këto konceptime monumentale. Muzika është magjepsëse, joshëse, primitive. Shtrirë në një pozicion të paturpshëm, kokën anuar pas dhe këmbët kryqëzuar, bukuroshja është si e dehur nga melodia. Oda e fundit e jetës, joshjes dhe mishit, të Pikasos, kalon edhe një herë përmes muzikës.
Lexo edhe: