Një ngacmim në memorien e publikut për një nga aktorët më të njohur të filmit shqiptar të para viteve ’90, Piro Kita.
Një fshat pitoresk me ujëra e me shelgje, një panoramë shumë idilike mbi fshatin “socialist”, teksa ka bollëk, prodhimi tejkalohet, rinia ka aktivitete çdo pasdite, por edhe dashuria është e lirë dhe e përkrahur nga të gjithë.
Në këtë panoramë larg realitetit por që bëri për vete një Shqipëri të tërë, aq sa edhe sot, kur transmetohet, ne ndalemi ta shikojmë e nuk mërzitemi, duhej patjetër edhe një çift i bukur, përfaqësues të denjë të rinisë së bukur e të pastër socialiste.
Raimonda Bulku, një yll në ngjitje pati një partner të denjë në krah. Ai ishte një djalë i ri, në fillimet e tija në botën e aktrimit. Ai ishte Piro Kita.
“Të prita por ti ishe me shoqet te Vali. Në dhomë nuk vij dot se është Teto Ollga. Takohemi nesër, “B”!
“Epo domosdo, e hodhi letrën jarani dhe iku. Po “B” e ka emrin apo ja kanë ngrënë pulat?!”
Piro Kita, edhe pse ishte njëri prej disa aktorëve që konkurruan përmes koniprovës për rolin e mësuesit, Bujarit, menjëherë fitoi zemrën e të gjithëve, e veçanarisht të Violeta Manushit, aktores së madhe të filmit dhe teatrit shqiptar.
Nuk ishte pak kjo, sepse nga zonja Ollga, kishe shumë se çfarë të mësoje. Djali bukurosh, me një buzëqeshje si një aktor francez, do të bëhej menjëherë i njohur për publikun, ishte në rolin e tij të parë në film por jo në teatër. I lindur në 5 qershor të vitit 1953 në Korçën e artiot dhe kulturës, Piro Kita do të zgjidhte aktrimin shumë shpejt, në jetën e tij.
Pas studimeve në Insitutin e Lartë të Arteve për aktrim, bashkë me një brez të artë aktorësh dhe aktoresh, ai do të rikthehej në vendlindje, për të vazhduar karrierën si aktor profesionist në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, një djep i gjerë i talenteve, që rriti me dhjetra aktorë nga më të mëdhenjtë e të njohurit.
Në Pogradecin piktoresk ai do të rikthehej si mësues Bujari pas katër vitesh, në filmin “Shoqja nga fshati” por ndërkohë kishte interpretuar në disa role jo protagonistë por që hyjnë në arkivin e roleve të goditura e që edhe sot kujtohen me shumë nostalgji.
Kështu ai do të ishte Tili servil me flokët e lëpirë tek “Gjeneral gramafoni” ose spiuni dhe tradhtari djalë i zonjës Neriman tek filmi “Përtej mureve të ngurta”.
Do të mjaftonin disa nga këto role që Piro Kita të mos mbetej në mendjen e të pasionuarve pas kinemasë vetëm si një djalë i hijshëm me një “fizik roli” të admirueshëm, por edhe si një aktor shumëdimensional, i cili arrinte të personifikonte role diametralisht të kundërt, nga ai pozitiv tek personazhi negativ, servil dhe oportunist.
Pavarësisht se ai njihet si aktor i kinemasë sepse të gjithë filmat ku ka interpretuar kanë qenë të sukseshsmë, Piro Kita, deri në fillimin e viteve ’90, nuk u ndal së marri edhe me dashurinë e tij më të madhe, teatrin dhe komedinë.
Mbresa nga filmi që i dha famën
Në një nga të paktat rrëfime të Piro Kitës mbi filmin “Zonja nga qyteti”, aktori tregon edhe situatën groteske me “fejesën” e tij me aktoren Raimonda Bulku. Duke qenë se i gjithë publiku u dashurua pas tyre, për të gjithë ne, ata ishin bashkë, duhet të ishin bashkë, edhe në jetën jashtë kamerës. Por përmes rrëfimeve të aktorit mësojmë edhe më shumë mbi kohezionin brenda ekipit të filmit, miqësive mes aktorëve, e mbi të gjitha, lidhjes së fortë mes tyre dhe Violeta Manushit, që ishte thuajse një nënë për të gjithë.
Aq sa nuk e deshi dhëndër në film, aq e deshi më vonë Piro Kitën Violeta Manushi. Gjithë kohët e bukura që kaluan bashkë, festat e batutat që shkëmbenin, në film nuk duken, por, vite më vonë, kur do të transferohej në Tiranë, Piro u bë i afërt për të. Njësoj siç bënin thuajse të gjithë aktorët e rinj që patën punuar dikur, edhe ai, e vizitonte shpesh në shtëpi. Edhe për shkak të vetmisë, jeta e Manushit nuk do të ishte e njëjtë pa “merakun” e këtyre të fundit, e gjithë kolegëve të saj që e mësuan e i mësoi.
Për rolin e Bujarit te filmi “Zonja nga qyteti” ishin edhe 2-3 kandidatë të tjerë, por pas kinoprovave, rolin e mori Kita. Regjisori Piro Milkani e kishte parë aktorin e ri edhe më parë, në punën e diplomës, prandaj nuk e pati fort të vështirë për të zgjedhur. E vendosi, sado që, kinoprovën Kita nuk e bëri me atë që do të ishte në film partnerja e tij, Raimonda Bulkun. Nuk ishte fare e nevojshme të shihte në do të ishte kimia mes tyre.
Ai nuk e dinte që aktorja edhe më e re, vetëm me një përvojë të vogël në një film të mëparshëm, kishte filluar sakaq të ëndërronte se kush do të ishte “dashuria” e saj, ajo që do t’i fshihte aq shumë së ëmës. Janë pikërisht këto kujtimet e para të Piro Kitës kur mësoi se ishte zgjedhur për rolin nga reagimet e aktores.
Ajo, sigurisht, ia pati thënë kohë më vonë, atëherë kur sikletet e njohjes e pasigurive të para kishin kaluar, atëherë kur, me të shkuarën mund të qeshësh, kur u bënë miq e kolegë që u takuan edhe në filma të tjerë.
Piro Kita kujton…
“Në fakt, kur kam bërë kinoprovën ajo nuk ka qenë, pra e kam takuar kur jemi mbledhur për të xhiruar. Siç më ka thënë kohë më vonë, ajo ishte e emocionuar për të parë se kush do të ishte partneri i saj në film. Kishte dëgjuar sigurisht për emrin, e që sapo isha diplomuar, por nuk njiheshim.
Ishte ulur me të tjerë në tavolinë, kur unë iu afrova për herë të parë. Ngaqë kishte pyetur aq shpesh, kush është, kush është, të pranishmit, sapo më kishin parë i kishin thënë, ja, ja ku është, po vjen. Nga hutimi ajo ishte ngritur për të më parë e kishte rrëzuar brokën e ujit nga tryeza.
Më kujtohet si tani kur u shfaq filmi “Zonja nga qyteti” për herë të parë. Ka qenë ditë e hënë, mëngjes, ora 09:00, kur filloi filmi dhe të pranishmit, që ishin rrethi artistik e njerëzit e letrave të kohës, kanë dalë nga kinemaja rreth orës 11:00.
Të gjithë që dolën më drejtonin gishtin, edhe spektatori i ditëve të mëpasshme po njësoj. Ishin të bindur se unë dhe Monda ishim të fejuar vërtet. Po në këtë kohë, prej fjalëve që ishin hapur, im vëlla që ishte përfaqësues i ambasadës sonë në Itali, më telefonon i nervozuar.
Më duhet të them që, me gjithë bukurinë e Mondës, ishin shumë vajza të tjera të reja e të bukura që kanë punuar në atë film me ne. Me njërën prej tyre, asokohe unë kisha një histori dashurie, prandaj edhe ishte e pamundur. Ajo ndoshta edhe e pikasi njëfarë pëlqimi timin dhe u bë edhe më e afërt nga ç’do kishte qenë në rrethana të tjera apo në kushte normale.
Kanë qenë vërtet shumë të bukura. Të gjitha ditët e xhirimeve kanë qenë si festë që shpërthente në kohën e lirë, në darkë. Mblidheshim të gjithë bashkë me banorët e flisnim deri vonë.
Ndodhte që, për shkak të vonesave në mbrëmje, të mos ishim korrektë në mëngjes, kur duhet të mblidheshim për të shkuar në vendet e xhirimeve. Të them të drejtën, edhe pak përtacë ishim. Na shijonin ato orët me njëri-tjetrit dhe i bënim një çik bisht punës. Kujtoj Violeta Manushin njëherë në autobus që, për shkak të një vonese timen, ishte nxehur. “Ku është ky, pse atë do presim ne?!”, thoshte.
Meqenëse më pyetët për këtë, po ju tregoj një rast tjetër. Kishim gjetur një shishe raki “Perla” (duhet të dini që ishte gjë e rrallë kjo) dhe bashkë me Sotiraq Bratkon e Stavri Shkurtin, kishim ikur ta pinim, ishim fshehur diku në Volorekë të mos na shihte njeri. Ndërkaq.
Piro Milkani na kërkonte. Pyeti vërdallë deri sa na gjeti. Aty menduam që e djallosëm, por ai u afrua e tha “Ç’bëni aty, bjere njëherë ta provoj atë rakinë!”. Me këtë episod dua të them që kjo ishte atmosfera e përgjithshme.
Epo, mosha i bën të gjitha! Me gjithë dietat që merrnim, ngeleshim thuajse gjithmonë pa para, ishim të gjithë të rinj e nuk mendonim as çfarë merrnim e as çfarë prishnim. Në një nga herët që ngelëm pa bukë, Vasillaq Vangjeli, me një fildispanjë kapte bretkosa dhe i hanim.
Por nëse kjo puna e bretkosave nuk ishte shumë e vëzhguar, peshqit në rezervuar numëroheshin, nuk të linte njeri. Por si çdo gjëje, edhe atyre ua gjetëm marifetin. Kujtoj që specialistët e peshkimit ishin Pandi Raidhi me Stavrin, ndërsa për të ngrënë, i hanim të gjithë.
Për shkak të çapkënllëqeve tona, edhe grindeshe ndonjëherë Violeta, por na donte të gjithëve, aq sa mua dhe Mondën na konsideronte vërtet si vajzën dhe dhëndrin. Kujtoj një rast kur ishim në një festë në Berat dhe unë isha bashkë me vajzën, që u bë më vonë ime shoqe.
Ajo është pak nazelie, kur vjen puna tek ushqimi dhe Violeta, kur e vuri re këtë gjë, i tha: “Moj ti, do ma lësh rehat djalin!”. Shkoja e vizitoja vazhdimisht në shtëpi viteve të fundit, pasi erdha të banoja këtu.
Pas xhirimeve ne erdhëm të gjithë në Tiranë. Kishim ende punë me dublimet, por e kishim ndierë orën e largimit, kështu që përpiqeshim ta zgjasnim sa më shumë. Nuk largoheshim dot as nga njëri-tjetri, por as nga Tirana, kur ishim këtu. Bënim gafa, bënim sikur nuk dinim, sikur nuk kuptonim…
Të gjitha këto mund të shtynin largimin, por ishte vetëm çështje ditësh. Madje pikërisht këto ditë më pati thënë Violeta Manushi “Ore ti, ke zënë ndonjë këtu që s’do të ikësh?!”. Sigurisht që erdhi dita për të ikur, por u takuam sërish, jo shumë vonë, për një tjetër film që na kënaqi po aq, edhe pse nuk pati famën e të parit.”/juela meçani