Piro Kita: Si u përhapën fjalë për mua dhe Rajmonda Bulkun pas “Zonjës nga qyteti”

Gazeta Panorama i ka marrë një intervistë, kohë më parë, aktorit Piro Kita, i njohur për rolin e tij tek “Zonja nga qyteti” si burri i Melit, që luhej nga Rajmonda Bulku.

Ai tregon se si u hapën fjalë atëherë për një fejesë të mundshme mes tij dhe Bulkut.

-Si u takuat me Bulkun, ajo ishte ende një vajzë e vogël, ndërsa ju një student simpatik i sapodiplomuar…

-Në fakt, kur kam bërë kinoprovën ajo nuk ka qenë, pra e kam takuar kur jemi mbledhur për të xhiruar. Siç më ka thënë kohë më vonë, ajo ishte e emocionuar për të parë se kush do të ishte partneri i saj në film. Kishte dëgjuar sigurisht për emrin, e që sapo isha diplomuar, por nuk njiheshim.

Ishte ulur me të tjerë në tavolinë, kur unë iu afrova për herë të parë. Ngaqë kishte pyetur aq shpesh, kush është, kush është, të pranishmit, sapo më kishin parë i kishin thënë, ja, ja ku është, po vjen. Nga hutimi ajo ishte ngritur për të më parë e kishte rrëzuar brokën e ujit nga tryeza.

-Pavarësisht emocioneve të saj, prej moshës e mungesës së përvojës, ishte vajzë shumë e bukur, çka nuk besoj se i shpëtonte syrit të ndokujt! As tuajit…

-Jo, pa dyshim ishte shumë e bukur dhe kjo dukej menjëherë, nuk mund ta mohonte askush.

-Dua të them, nëse ajo ishte emocionuar përpara se t’ju njihte e shihte, ju mund t’ju “kapnin” emocionet më vonë, pasi e patë…

-Të them të drejtën nuk ishte një gjë që mund ta kaloje pa e vënë re. Pa dyshim që shëtisnin në kokë edhe mendime të tjera, jashtë bashkëpunimit profesional.

-Do të ishte e pabesueshme e kundërta! Dy të rinj që gjenden në një ambient argëtues, ca të stimuluar nga fabula e filmit… A pati gjë mes jush?

-Megjithëse zhurma u bë e madhe, jo, nuk pati asgjë.

Çfarë zhurme, dolën “fjalë”?

Po. Më kujtohet si tani kur u shfaq filmi “Zonja nga qyteti” për herë të parë. Ka qenë ditë e hënë, mëngjes, ora 09:00, kur filloi filmi. Të pranishmit, që ishin rrethi artistik e njerëzit e letrave të kohës, kanë dalë nga kinemaja rreth orës 11:00.

Të gjithë që dolën më drejtonin gishtin, edhe spektatori i ditëve të mëpasshme po njësoj. Ishin të bindur se unë dhe Monda ishim të fejuar vërtet.

Po në këtë kohë, prej fjalëve që ishin hapur, im vëlla që ishte përfaqësues i ambasadës sonë në Itali, më telefonon i nervozuar.

Pse nuk e kisha njoftuar se isha fejuar. Si kisha mundur t’ia mbaja të fshehtë! Atij i kishin shkuar njerëz për urim meqenëse sipas tyre, pas pak kohësh, ne do të martoheshim.

Po nga doli e gjithë kjo?!

Nuk e di, njerëzit e interpretuan ashtu filmin, gjithë ajo që kishim atje u duk reale deri në atë masë.

Ju duket pak keqardhja… Ngeli e paqartë mosrealizimi i historisë!

Më duhet të them që, me gjithë bukurinë e Mondës, ishin shumë vajza të tjera të reja e të bukura që kanë punuar në atë film me ne.

Me njërën prej tyre, asokohe unë kisha një histori dashurie, prandaj edhe ishte e pamundur.

Ajo ndoshta edhe e pikasi njëfarë pëlqimi timin dhe u bë edhe më e afërt nga ç’do kishte qenë në rrethana të tjera apo në kushte normale./panorama

ObserverKult


Lexo edhe:

PIRO KITA, “B”-JA QË ADHURONIN VAJZAT SHQIPTARE

Një ngacmim në memorien e publikut për një nga aktorët më të njohur të filmit shqiptar të para viteve ’90, Piro Kita.

Një fshat pitoresk me ujëra e me shelgje, një panoramë shumë idilike mbi fshatin “socialist”, teksa ka bollëk, prodhimi tejkalohet, rinia ka aktivitete çdo pasdite, por edhe dashuria është e lirë dhe e përkrahur nga të gjithë.

Në këtë panoramë larg realitetit por që bëri për vete një Shqipëri të tërë, aq sa edhe sot, kur transmetohet, ne ndalemi ta shikojmë e nuk mërzitemi, duhej patjetër edhe një çift i bukur, përfaqësues të denjë të rinisë së bukur e të pastër socialiste.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult