Piro Naçe, pse gjithë ky mister e heshtje për fotografin e njohur shqiptar?

Fahredin Spahija: "Piro Naçe", 2004

“Ky shkrim është realizuar nga autori çek Erik Siegl, në janar të vitit 2004, dy muaj pas ekspozitës personale të historianit të parë shqiptar të fotografisë dhe fotografit Piro Naçe, e cila ishte hapur në Pallatin Toskan në Hradčany të Pragës si rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Jashtme çeke dhe të Ambasadës shqiptare në Pragë, me 28 nëntor të vitit 2003, me rastin e 91-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky shkrim, (edhepse më shumë flet për historikun e Shqipërisë nën komunizëm) është i vetmi që është shkruar nga dikush për Piro Naçen për të cilin, çuditërisht në “shfletimin” e Google, nuk gjejmë asnjë të dhënë biografike dhe asnjë imazh të fotografive të tij të shumta.

Pse gjithë ky mister dhe heshtje rreth këtij personaliteti i cili ishte i pari që i njoftoi shqiptarët me emrin dhe famën e Gjon Milit dhe fotografitë e të cilit ishin ekspozuar në shumë vende të botës si në Francë, Greqi, Itali, Gjermani, Çeki dhe SHBA?!

Shënimin e vetëm biografik që kam gjetur për të në librat e pakët mbi historinë e fotografisë shqiptare është ai në “Historia e fotografise shqiptare 1856-2000” e studiuesit te artit, Ermir Hoxha ku veq biografisë së shkurtër të Piro Naçes jepen edhe dy fotografi të krijuara nga ai, të botuara në revisten “Ylli” në vitin 1968 dhe 1971.

Unë kisha rastin dhe kënaqësinë ta takoja Piro Naçen në maj të vitit 2004, pra kur ai ishte 76-vjeçar apo dy vjet para vdekjes së tij, me ç’rast ia kam realizuar disa fotoportrete dhe një video të shkurtër ku ai rrëfen për babain e tij, emigrant në Amerikë dhe miqësinë e tij me Faik Konicën.


Në kohën kur jam takuar me të ai më tregoi se po bënte gati një libër për fotografinë shqiptare (që përmendet edhe në tekstin për të), që nuk u botua për të gjallë të tij dhe i cili me gjasë, ka mbetur në dorëshkrim diku në sirtarët e shtëpisë së tij…

Me qëllimin që lexuesit tuaj dhe në veçanti fotografët shqiptarë të njihen pak më shumë me figurën e tij unë e kam përkthyer shkrimin e gazetarit dhe veprimtarit për të drejtat e njeriut, çekut Erik Siegl që mund të lexohet më poshtë.”,  shkruan artisti i fotografisë Fahredin Spahija.

Shkruan Erik Siegl

Pavarësisht afërsisë së saj gjeografike, Shqipëria është një vend pak i njohur dhe i largët për shumicën e evropianëve (qendrorë). Një mundësi unike për ta njohur më mirë, të paktën përmes fotografive, ka ndodhur në kapërcyellin e nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar në Pallatin Toskan në Hradčany, ku u mbajt ekspozita e fotografit shqiptar Piro Naçe.

Ajo u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke dhe Ambasada Shqiptare në Pragë me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë (28 Nëntor – përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 1912). Duke qenë se ekspozita zgjati vetëm pak dhe fatkeqësisht nuk mori një publicitet më të gjerë mediatik, ky suplement i veçantë fotografik është një përpjekje për ta përcjellë atë te lexuesit e Lindjes, të paktën në mënyrë të kufizuar.

Piro Naçe (1928 në Korfuz – 2006 në Tiranë) u interesua për fotografinë gjatë studimeve të tij për gazetari në Fakultetin e Arteve, Universiteti Charles në Pragë në vitet 1948-1950.

Bazat e zanatit fotografik i mësoi në Institutin Kombëtar të Fotografisë Çekosllovake dhe në studion “U Rybka” u njoh me Jan Sudek dhe Karel Plicka. Fillimisht redaktor i programeve kulturore në radion shqiptare, ai është ndoshta fotografi më i njohur shqiptar sot jashtë vendit, edhe pse nuk e ka bërë kurrë jetën si fotograf profesional dhe gjatë sundimit komunist fotografitë e tij ishin pak të njohura edhe në vetë Shqipërinë.

Pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së kufijve, ai ekspozoi në Francë, Gjermani, Itali, Greqi, SHBA, ndër të tjera. Në vitin 1997, atij iu dha çmimi francez Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe Letrave.

Ai është kryetar i Shoqatës së Fotografëve Shqiptarë “Gjon Mili” dhe gjithashtu i përket themeluesve të Shoqatës së Miqve të Republikës Çeke-Shqipëri. Ai është autor i disa dokumentarëve mbi historinë e fotografisë shqiptare dhe aktualisht është në përfundim të një libri me të njëjtën temë.

Kufijtë e ndalesave zyrtare në kulturë dhe asaj që lejohej të botohej ishin shumë më të ngushta në Shqipëri se kudo tjetër në Evropën komuniste. Në fund të fundit, regjimi stalinist i Enver Hoxhës (i ashtuquajturi enverizëm) ishte diktatura komuniste më mizore dhe më gjakatare në Evropën e pasluftës.

Sipas vlerësimeve të matura, mbi 5.000 njerëz u ekzekutuan për arsye politike dhe rreth 30.000 u dërguan në internim. Disa kundërshtarë të regjimit kaluan 30 vjet e më shumë në burg. Ndryshe nga Çekosllovakia, këtu diktatura e tipit stalinist zgjati 45 vjet pa relaksim të konsiderueshëm deri në rënien e saj në 1991 dhe nuk bëhej fjalë për rehabilitimin e viktimave gjatë jetës së diktatorit (E. Hoxha vdiq në 1985).

Shtypja e fesë dhe e kulturës arriti kulmin gjatë periudhës së të ashtuquajturit Revolucioni Kulturor dhe fushatës për të ndërtuar vendin e parë thjesht ateist në botë (1967).

Qindra kisha dhe xhami u shkatërruan ose u rindërtuan në gjimnaze dhe magazina, thjesht posedimi i një Kurani ose një Bibla ishte një krim i rëndë. Prifti Shtjefën Kurti madje u ekzekutua në vitin 1971 për pagëzimin e një fëmije në një kamp internimi.

Regjimi u izolua plotësisht nga Blloku Lindor në vitet 1960 dhe u fut në një rrugë të pavarësisë autokratike dhe të dyshimtë. Për shkak të gjoja rrethimit nga imperializmi amerikan dhe më vonë sovjetik dhe revizionizmi i fqinjëve, në Shqipëri janë ndërtuar dhjetëra mijëra bunkerë dhe popullsia po edukohej për nacionalizëm dhe ksenofobi.

Ideja e vetë-mjaftueshmërisë së plotë, e cila përfundimisht e çoi vendin në prag të kolapsit ekonomik, shoqërohej me sloganin e shpallur me krenari “Ne jemi 603 milionë” (menduar së bashku me Kinën Maoiste – shënim i autorit).

Me varfërinë dhe prapambetjen e madhe të vendit, të forcuar edhe me izolimin vullnetar ndërkombëtar nga shokët bujarë në Evropën Lindore, kusht për mbijetesën e regjimit komunist shqiptar ishte terrori i ashpër dhe mobilizimi i vazhdueshëm ideologjik e punëtor i popullsisë.

Sa më keq të ishte jeta në Shqipëri, aq më shumë regjimi kërkonte një fasadë propagandistike dhe imazhe njerëzish të kënaqur, plot energji konstruktive dhe optimizëm.

Megjithatë, subjekti i preferuar i fotografive të Piro Naçes është jeta tradicionale në fshatin shqiptar, arkaizmi dhe prapambetja e së cilës i rezistuan lehtësisht “modernizimit” socialist.

Ato janë një dëshmi e përditshmërisë së vendit më të varfër në Evropë, në të cilin është ruajtur pjesa më e madhe e Ballkanit dhe Mesdheut të vjetër. Shumë nga fotoreportazhet e Naçes nga vitet 1960-1980, në vend të punëtorëve dhe fermerëve entuziastë të kolkozëve, tregojnë se si njerëzit punojnë shumë dhe me ndihmën e mjeteve primitive kultivojnë arat, ndërtojnë rrugë ose thjesht qëndrojnë në radhë gjatë natës para dyqanit për të marrë qumësht në mëngjes.

Këto foto që përshkruanin jetën e zakonshme nuk ishin të përshtatshme për gazetë apo për ekspozim dhe shkonin në të ashtuquajturën “sirtar”.

(2004)

*Titulli i origjinalit: “Piro Naçe, fotografi i Shqipërisë së gurtë

E përktheu: Fahredin Spahija

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: FAHREDIN SPAHIJA: FOTOGRAFIA ËSHTË DASHURIA IME MË E MADHE NË JETË!