Pirro Mani rrëfen jetën e tij, “Artisti i Popullit” i biri i “Armikut të Popullit”

Aktori dhe regjisori, Pirro Mani erdhi në këtë bashkëbisedim me gazetarin, Dalip Greca të zhvilluar kohë më parë në kremten e përvjetorit të 85 lindjes (tani aktori i ka 88 vjet). 14 prilli është ditëlindja e Pirro Manit. Por edhe në një ditë të shënuar si ajo e lindjes, e shfaq një peng Pirro Mani, mbreti i skenës shqiptare, gjenerali i regjisurës…

Stanislavski shqiptar, është një peng që po e shoqëron për gjatë të gjithë jetës. Edhe tani, kur feston përvjetorin e lindjes, kërkesës për një intervistë, ai i përgjigjet shkurtazi: “Për mua është shkruar mjaft. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë. Por e kam një peng që më rëndon. Dua ta zbraz shpirtin nga brenga e tim eti. Më rëndon shumë ai peng. Më ka ndjekë edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod duke pasur në mendje fundin e babait tim Kosta Mani.

E kam mësuar vonë faktin që ai dha shpirt duke mbajt në shpinë pesha të rënda, ja ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes të Mat’hauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ma ka treguar ngjarjen një durrsak që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes… Ai ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mat’hauzenit”.

“Artisti i Popullit”, i biri i “Armikut të Popullit”!

Ky është Pirro Mani, regjisori i madh shqiptar, shtylla, themeli dhe maja e teatrit kombëtar, aktori dhe regjisori i paarritshëm, Artisti i Popullit, njëkohësisht i biri i ” Armikut të Popullit”; Kosta Manit, dikur emigrant në Amerikë, inxhinieri idealist, që u rikthye të ndërtonte urat e rrugët e Shqipërisë. Paradoksi i absurdit shqiptar, “Artisti i Popullit” i biri i “Armikut të popullit”! Si mund të jetojnë së bashku?

Sidomos në kohën e mjegullt të dekorit komunist, ku thika të ulej pas shpine si në tragjeditë e Shekspirit; ku biografia ishte “pasaportë” për gjithçka? Ai që nuk e njeh historinë e jetës së Pirro Manit, (ashtu siç nuk e njihja në detaje edhe unë para se ta takoja një ditë vere në Pelham Park, deri në çastin që nuk kisha lexuar monografinë e shkëlqyer të studiuesit Josif Papagjoni, do ta merrte këtë si një stisje, sajesë gazetareske për t’i dhënë Pirro Manit një dozë persekutimi demode, siç është bërë në modë ndër ne shqiptarët.

Por Pirro Mani nuk ka nevojë për sajesa të atilla, emri i tij është aq i rëndë në themelet e teatrit shqiptar sa që nuk ka levë politike që e lëviz prej andej. Pa Pirron regjisor, teatri shqiptar shkërmoqet, mbetet pa histori… Po teatri ishte mburrja jonë, argëtimi ynë i pakët! Hija e të atit ende trazohet dhimbshëm në trurin e tij, i përzjehet në subjektet e veprave që ka në dorë. Shpesh herë atë hije ia kanë nxjerrë si mur të pakapërcyeshëm në rrugën e jetës për t’i përmbysur ëndrrën e madhe për skenën regjisorit dhe artistit Pirro Manit.

Ata, shefat e kuadrit, shpesh i nxirrnin nga sirtarët, hijen e të atit, Kostës, e bënin enkas si për ta trembur, ndërsa ai ngjitej pas asaj hijeje, bëhej njësh me të, këshillohej me të në çaste të vështira, kur ata e paralajmëronin: Në kazmë do të dërgojmë, nuk e ke të pastër biografinë, mos kujto se nuk të njohim! Ose: në Kukës merre vrapin dhe bëj theatro atje, eduko masat me artin e partisë… Jeta dhe vepra e aktorit dhe regjistorit Pirro ManiDhe Pirro nuk mund të bënte përjashtim nga ligji i biografive, vullneti i tij, fuqia fizike, në situata të vështira i bënë shumë punë.

I binte kazmës, ndërsa pasditeve merrej edhe me sport. I ati, edhe pse e pat lënë fëmijë 12 vjeçar, i pati injektuar vullnet dhe dëshirë për punë. Veçse hija e babait do ta ndiqte këmba këmbës derisa të bëhej dikushi, të bëhej ai emër që peshon aq rëndë sot në teatrin tonë kombëtar. Sidoqoftë rruga nëpër të cilën eci regjisori i madh, Stanislavski shqiptar, qe plot labirinthe; një sekretar partie i tregonte vijën; një shef kuadri e thërriste dhe e paralajmëronte të kishte kujdes se partia ia njihte mirë biografinë; një tjetër vinte gishtin tek buza dhe i jepte këshillën cinike: Shëëëët, dhe rri urtë-ë! Ke talent, por duhet dhe pasaporta e biografisë! Biooografia…mbi të gjitha!

Dhe ai luftonte me vetveten, këshillohej me hijen e babait të dashur, që nuk i pat bërë keq Shqipërisë përveçse e pat lidhur me ura dhe rrugë? Ndonjëherë Pirro ashtu me shpirtin copë e çikë përplasej në ndonjë mejhane dhe aty nën avujt e alkoolit përpiqej të gjente rrugën nëpër labirinthet e gjarpëruara të hamendjeve, por kur ftillohej i thërriste vetes, sidomos pas këshillimit me hijen e Kostës: Punë, Pirro, vetëm punë! Por edhe kur punonte ata nuk i ndaheshin.

Dhe përpiqeshin që ta armiqësonin me hijen e të atit… Kur shkonte në gjendje të dëshpëruar, nënë Amalia, zëvrarë shpirtcopëtuar, përpiqej të mos e lëndonte:Përsëri paske pirë, mor bir? ç’të bënë këtë herë?!Me se të ranë në qafë…Ai ulte kokën… Po si arriti të çaj nëpër shtigjet e zëna artisti i ardhshëm? Mjaftojnë pak shembuj, për të parë shtigjet, nëpër të cilat nisi e ndrojtur, dhe jo pak herë e rrezikuar ngjitja e Pirro Manit: Rastësia e bën fitues të Konkursit për Liceun Artistik. Edhe tani i duket se gjithçka erdhi si në një ëndërr: Kishte shkuar me dy shokë që do të konkurronin për teatër, thjesht për t’i shoqëruar. E sheh artisti, i miri Besim Levonja dhe i thotë: -Hajde dhe ti djalë! Pirro e kujton sikur të kishte ndodhur dje ajo rastësi që e çoi tek teatri.

Çfarë di të recitosh?- e pyet Besimi. Recitoi ca vargje nga “Bagëti e Bujqësi”. Pastaj artisti e provokon papritmas:- “Gjarpëri, te këmbët e tua!” Pirro, i trembur, u hodha përpjetë, bëri nja dy salto si atlet dhe kaq.

Të nesërmen emri i tij ishte tek lista e fituesve. Për një çast e harron hijen e babait, por nuk e harronin ata, që kishin çelësat e pallatit të dosjeve …Gjithsesi e mbaroi shkëlqyeshëm Liceun,por ia refuzojnë kërkesën për shkollë të lartë:-”Jo, ti je i biri i kolaboracionistit, Kosta Mani.

Në kazmë djalë, të edukohesh njëherë, pastaj shohim e bëjmë! Dhe Pirro kishte marrë kazmën dhe duke e ngulur thellë, përpiqej që të nxirrte inatin ndaj absurdit, që ia pat bërë shpirtin copë. Më pas i qethën kokën dhe e çuan ushtar. Por edhe atje nuk hoqi dorë nga ëndrra, teatri. Vunë në skenë komedinë e Besim Levonjës “Prefekti”. Pirro luajti Qazim Mulletin, kurse një ushtar tjetër luajti Hajrijen.

Ata që e ndiqnin mbanin shënime në dosjet e tyre për birin e armikut… Por dikur, ata, shefat e kuadrit, sikur i kishte kapur gjumi, ose bënin sikur flinin; rekomandimet e artistëve, ish mësuesve të tij i çelin rrugën për studime në Moskë. Veçse, ata të tjerët, nëpunësit e pallatit të dosjeve, nuk harronin.

Pirro Mani do të ndeshej sërish me absurdin: Sapo kishte mbaruar shkëlqyeshëm studimet për regjisurë në Moskë (ku pat shkuar falë dorës së ngrohtë të artistit Besim Levonja, ndoshta dhe rekomandimit të mësuesit të tij, mjeshtrit të skenës, Kadri Roshi, pas peripecive e përplasjeve me hijen e padukshme të të atit, që burokratët cinikë ia nxirrnin sa herë ai synonte një pistë të re vrapimi). Pas studimeve, kur troket në ministri për emërimin, nëpunësi ia kumtoi pa ceremoni emërimin në Kukës.

Misionari i teatrit

Pirro, pas kthimit, përpiqej t’u qëndronte larg shpirtzinjve të biografive, po s’i shqiteshin ata. Veçse ishte i bindur se ai ishte misionar i artit në përgjithësi dhe i Teatrit në veçanti, dhe nuk duhej të dorëzohej. Pirro Mani do ta tregonte veten në Korçë, ku e emëruan regjisor të Teatrit. Iu fut punës plot pasion. Përsëri thirri në ndihmë Arthur Milerin. Vuri në skenë “Pamje nga ura”, por nuk u rrek që të imitonte ustain e vet rus, zëri i të cilit ende i tingëllonte në veshë “Ti Pirro nuk duhet të na kopjosh ne, t’i duhet të na kthesh krahët”. Dhe Pirro e vuri në skenë “Pamje nga ura”, sipas konceptit të tij, që më vonë do të thirrej me emrin e tij të përveçëm, alla Pirro Mani. Regjisori i ri do ta udhëhiqte vetë trupën në skenë përmes rolit të Edi Karbones të luajtur mjeshtërisht nga ai vetë.

Dhe Korça e duartrokiti Pirro Manin. Madje në sallë kishte pasur dhe diplomatë e gazetarë të huaj. Të gjithë e pëlqyen spektaklin. Më pas u dëgjuan bishta se shfaqja përcillte frymë revizioniste. Nuk vonoi urdhri: Të pezullohet shfaqja! Pas shkëlqimit kishte ardhur rënia ose siç shprehet Pirro, vetë shkëlqimi kishte rënë në kurth.

Pirro e kujton ngjarjen edhe sot, tek rrezatohet në verandën e shtëpisë së tij të bukur në Harrison, një prej lagjeve piktoreske të Nju Jorkut. Kujton ai: Partiakët e vegjël të periferisë nënqeshnin dhe përkëdheleshin si fitimtarë: Partia kishte qenë syçelë, ata qenë vigjilentë dhe nuk kishin lejuar që të helmatiseshin spektatorët me pikëpamje revizioniste. Pirro e pa veten të goditur, por ende nuk ishte rrëzuar në ring. Fryjnë ndonjëherë erërat e rastësisë dhe si padashje ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.

Një nga të mëdhenjtë e piramidës, Ramiz Alia, shkon në Korçë për konferencë Partie. Ai kishte parë “Pamje nga ura” atje në Moskë; atje i kishin thënë se një shqiptar e kishte luajtur më mirë se Sokollovski. Dhe ky kishte pyetur partiakët e Korçës: Ku është ky njeri, përse nuk po e shoh këtu? Ata, shërbëtorët e vegjël, që patën fërkuar duart se kishin qenë vigjilent, u ndriti buzëqeshja:- Bëri një shfaqje me gabime të rënda ideologjike, nuk pati sukses, prandaj e hoqëm nga repertori.

“Rrethimi i bardhë” dhe ngrirja e akullt, Enveri në teatër

Shfaqjen”Rrethimi i bardhë” kishte shkuar për ta parë përsëri ai, i madhi, monarku. Pirro Mani nuk e fsheh, në prag të shfaqjes provonte një ankth që nuk i shqitej prej gjoksit. Një parandjenjë e keqe. Ka qenë 26 shkurti i vitit 1964, Enveri, kishte shkelë në teatrin A. Z. Çajupi dhe pas atij momenti qetësia e thellë ishte bërë mbretëreshë e gjendjes. Akullnajë përreth. Acar në sallë. Mpirje në skenë… Çdo të thoshte Zeusi?

Konceptimi regjisorial i Manit, rishkrimi i tekstit (siç bënte me çdo pjesë që vinte në skenë) i kishte dhënë shfaqjes një tjetër prirje, e kishte ashpërsuar konfliktin, ndryshe nga shfaqja e Tiranës, ku një tjetër regjisor e kishte vënë në skenë. Pirro shihte reagimin e perandorit atje në lozhë, por asgjë nuk lexohej atje së jashtmi. Ai ishte si mali që s’bzanë. Përmes ankthit shfaqja po shkonte drejt finales. Pirro e ka në mendje ngjarjen:

Kishte ardhur finalja e skenës së fundit; një mori duarsh të ngritura lart prej gjeologëve punëtorë, mbetur mes borës, kallkanit dhe grykës së malit, tashmë kishin ngrirë si një gjest mistik, si në një lutje, si një shpresë a fat, a përshpirtje, a klithmë dëshpërimi, teksa aeroplani përsipër kokave të tyre largohej tutje indiferent, sfidues, shurdhan. Mizanskena ishte dëshpëruese.

Pirro shihte atë, njeriun Perëndi. Mjaftonte një shenjë e tij dhe gjithçka merrte udhë. Enver Hoxha kishte bërë shenjën; një gjest nervoz.. Kaq mjaftoi që kumti të kapej e të përcillej atje ku duhej. Pirro ka ndjerë një dhimbje brenda qenies së vet; dhe kjo krijesë e tij skenike po thërrmohej çika-çika. Udhëheqësi kishte pritur tjetër gjë, tjetër zgjidhje: ku ishte Partia? Ajo duhej të zbriste nga qielli dhe të mos i braktiste ata fatkeq që ngrinë kallkan atje majë malesh.

Dhe salla duhej të shpërthente: Parti-Enver; jemi gati kurdoherë! Udhëheqësi priste duartrokitje, ndërsa salla kishte mbetur memece, e mpakur nën dhimbjen e efekteve që përcollën ato pamje tronditëse. Arti i Pirros i kishte tronditur, por partia donte atmosferë festive, entuziazëm… Drama u ndalua, urdhri kishte dalë prej Zeusit. Pirro sërish pësoi goditje; ata përpiqeshin që t’ia merrnin jetën krijesave të tij skenike.

Regjisori nuk u tërhoq, djersiti, kafshoi buzët, kur ata turreshin dhe përpiqej me sa mundte të shpëtonte krijesat që mbanin brenda shpirtin e tij. Krahas hijes së biografisë, që përpiqte ta kafshonte dhe një tjetër hije e ndiqte këmba- këmbës: censura. Ndërsa biografia i nxori telashe, që u përpoq t’i kapërcente, gërshëra e censurës ia shëmtonte krijesat, ia deformonte, ia rrudhte.

Ai eci me kujdes mes të dyja duke luftuar që të mbijetonte. Dhe mbijetoi ne sajë te talentit të tij të jashtëzakonshëm. Kritika ka shkruar se Pirro Mani u bë figura më përfaqësuese e teatrit shqiptar. Aktori i ndjerë Agim Qiriaqi është shprehur: “Faza e tij e parë ka qenë e shkëlqyer, kurse pas Plenumit të IV të vitit 1973, ai u detyrua të bëjë si shumëkush kompromise me censurën ideologjike e politike të kohës.

Megjithatë ai mbijetoi në sajë të talentit të tij të padiskutueshëm. U bë figura përfaqësuese e teatrit. Atë nuk e hodhën dot poshtë, ashtu si edhe Ismail Kadarenë në Letërsi. Në teatër u goditën shumë figura të shquara, si Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli e të tjerë. Pirroja nuk dorëzohej kollaj. Luftonte.

Mbijetonte mes vështirësive, kufizimeve, imponimeve. E mbajti në këmbë teatrin për 15 vjet të tjera pas plenumit të IV. Ishte lindur si artist i madh”. Në Korçë ai guxoi dhe krijoi personalitetin e vet skenik në periferi. Shfaqja e dytë që vuri në skenë në Teatrin e Korçës ishte “Këneta”, ku dhe nisi një ndër bashkëpunimet me skenografin e njohur, Agim Zajmi.

Regjisori i pasionuar këmbëngulte shumë tek skenografia e veprës që vinte në skenë, e cila jep goditjen e parë tek spektatori. Dhe Pirro e gjente fjalën shpejt me Zajmin. Më pas, po në Korçë, më 1962, Pirroja do të vinte në skenë dramën e Bernard Shout “Vdekja e Blanko Postnet”. Një vit më vonë, më 1963 ai vë në skenë dramën “Vajza pa prikë” vepër dramaturgut rus N. Ostrovski. Repertori pasurohej.

Trokitje në portën e teatrit kombëtar

Atje në Korçë, po binte në sy talenti i regjizorit. Sa do të donte që edhe për ‘të të çelej dera e Teatrit kombëtar, por ajo dukej se i largohej. Dhe ai vazhdonte të punonte më me këmbëngulje. Por një ditë vjeshte të vitit 1962, regjisori Pandi Stillu, e fton të dublonte Pjetër Gjokën në rolin e Lirit tek “Mbreti Lir” i Shekspirit.

Kujton Pirro: Provat zhvilloheshin në Tetarin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për shkak se Tetari Popullor po rikonstruktohej. Në një mbrëmje të zakonshme, gjatë provave, Pjetër Gjoka, “Liri” i Shekspirit, këmbeu fjalë me regjisorin Stillu. Zënka u trash. Pjetri e braktisi skenën e provave.

Drejtori i Teatrit Popullor, Xhemal Broja, i kërkoi regjisorit të vazhdonte provën me Pirro Manin. Regjisori, i cili deri në atë çast nuk i kishte ofruar Pirros asnjë provë, e pranoi vazhdimin me dublantin. Pirroja sjell në mendje emocionet e kohës së largët: As vetë nuk e kuptova se si m’u grumbullua brenda vetes gjithë ajo energji, frymëzim i çuditshëm, një zjarrmi magjike… Prova qe e suksesshme. Duartrokitjet zgjuan sallën.

-Na befasove Pirro, i tha Loro Kovaçi, tek e shtrëngonte në përqafim.

E pyeti regjisori:”A i ke kështu edhe tablotë e tjera?”

– Edhe më mirë, – ia ktheu Pirro. Liri im është në ngjitje dhe arrin kulmin në monologun: “Fryni, erëra! çajini bulçitë! Tërbohuni, fryni!

Hipi në skenë, ia nisi monologut të Lirit: “Shtrëngatë, shfryj, vill zjarr, derdh shi, gjëmo!”… Interpretimi qe i shkëlqyer. Regjisori i entuziazmuar, e kishte harruar zemëratën e Pjetër Gjokës. Dublanti kishte qenë brilant.

Kujton Pirro:-Kur mbarova, gjoksi më ulej dhe më ngrihej prej gulçimave të Mbretit Liri. Nuk isha Pirro, isha Liri, i braktisur nga të gjithë. Ata sërish shpërthyen në duartrokitje…

-Atë ditë, kujton Pirro, ishte e mërkurë. Regjisori i tha i entuziazmuar drejtorit se shfaqja do të jepej të shtunën. Sa nuk fluturoja nga gazi i brendshëm që më jepte ai sukses… Atë natë, aktori -regjisor, thuri ëndrra të bukura; do të vinte në Tiranë, por në mëngjes mësoi lajmin e keq: “Nuk të ka miratuar Ministria. Do të ikësh në Korçë, bile që sot nisu!

“Urdhrin, që s’dihet se nga cilat zgafella kishte dalë, po ia përcillte kolegu. I pezmatuar u përpoq të kërkonte ndonjë sqarim. Të paktën të kisha luajtur Lirin, pastaj le të ikja, dukej se i ishte drejtuar më shumë vetes se sa kolegut, por kundërthënia ishte e prerë: Mos e ço ndër mend, kthehu dhe sa më shpejt! I thanë se Komiteti i partisë i Korçës kishte protestuar për largimin e tij. Nisu që të mos kesh telashe! Ç’ishte kjo këshillë, a urdhër? Pirro edhe sot pyet veten pse rrodhën në atë kahje ngjarjet. Pse pikërisht urdhri erdhi pasi ai shkëlqeu me Lirin? U përpoq të argumentojë me një ndërhyrje: Po largimi im nga Korça ka qenë korrekt.

Artistit i duhej të mbijetonte; uli kokën, psherëtima i çau gjoksin, por i duhej të kthehej në periferi. Tirana ende nuk ishte e gatshme ta pranonte. Si duket shefat e zinj ishin të gatshëm për ofensivë. Mos luaj me grerëzat, i tha vetes. Katër vite më vonë, Tirana më në fund e pranoi pas ndërhyrjeve të mjeshtrave të skenës, Kadri Roshi, Sandër Prosi e të tjerë. Ata kishin ngulur këmbë që ai të vinte si aktor.

Në fakt ai shkoi si regjisor dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve. Do ta pushtonte triumfalisht Teatrin Popullor pas shtatë vjet betejash në Korçë. Në Tiranë nisi me dramën e Kol Jakovës, “Perkolgjinajt”. Iu desh në fillim që t’i hynte një operacioni të thellë dramës, e cila nuk qe ndonjë pjesë kushedi, por Pirro i dha jetë.

I mbante në tension aktorët dhe i nxiste që të jepnin maksimumin. Spektatori e priti jo keq. Kritika dhe kolegët kanë pohuar se Pirro i dha gjithçka teatrit shqiptar. Në Teatrin Popullor ai u ngrit mbi meskinitetin dhe xhelozitë. Vetëm punë, i tingëllonte në veshë zëri i të atit. Dhe punoi siç dinte të punonte ai.

Jo rrallë censura zgjaste duart dhe ia priste me gërshërët e saj të stërmëdha krijesat e tij skenike, por ai nuk jepej, tërhiqej, gjente një detaj tjetër dhe përpiqej që të vinte paqen mes vetes dhe asaj, shtrigës censurë. Le t’i lëmë pak hapësirë penës së drejtpërdrejtë të J. Papagjonit, që e ka përcjellë në pak rreshta thelbin e përballjes së regjisorit me censurën: I dashur Pirro! Sa të vështirë e ke pasur, mik i shtrenjtë, t’u dredhoje bishtukëve tymues të censurës me gjithfarë emrash, parimesh të ngrira, raportimesh, komisionesh, diskutimesh.

Ti duhej ta dehje ciklopin dhe t’ia verboje syrin gjigant për të shpëtuar krijesën fluturake të fantazisë, idetë e guximshme dhe flatrimin e mendjes sate pjellore nëpër paradigmat e çuditshme të artit. Duhej dinakëria, por edhe guximi. Ti disa herë u përballe me këtë sy dhe u rrezikove, aq sa mund të të flaknin tej, të shuanin nëpër periferitë e cinizmit dhe zilisë njerëzore, të të humbnin nëpër gropat thithëse të provincës, që ata dinin t’i ujdisnin fort mirë. Dhe s’ishin pak “gojët e shqyera”, krah shtetit dhe pas shtetit.

– Kujdes Pirro!- këshilloi ai në ato çaste vetveten. Po kishte raste, që drama tretej para kohe, sapo ishte bërë platforma, sapo ndaheshin rolet, mbërrinte urdhri:Jo, ndaleni, nuk është për moralin tonë!Tipike për këtë ishte bashkëpunimi me Petro Markon për të vënë në skenë dramën në vargje të këtij shkrimtari, që të gjithë jetën nuk iu ndanë vuajtjet. E rrëfen këtë bashkëpunim të dështuar vetë Petro Marko tek libri i tij “Retë dhe gurët”: Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën.

Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë që ma kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh ai më thirri dhe më përqafoi:”I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë”.Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë ta vinte Pirro Mani nga Korça. Erdhi Pirro. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet sipas aktorëve.

Aktori i madh i tetarit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut.E kisha paraqitur në konkursin e ushtrisë, më dhanë vendin e parë. U botua dhe në revistën “Nëntori”. Filloi dhe Agim Zajmi nga skenografia. Por fermani nga komiteti i partisë i Tiranës, qe i prerë:Pezulloni përgatitjet. Drama është liberale sepse fliste për një lloj degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (të kohës së Skënderbeut). Petro Marko gëlltiti dhimbjen, por dhe Pirro Mani, nuk e pati të lehtë. Eh, psherëtinë Pirro.

Sa shfaqje u censuruan, sa u qethën në skenë, sa më pas, sa mbetën në projekte. I tillë ishte edhe bashkëpunimi me Kadarenë për “Pashallëqet e mëdha”. Pirro e pat hedhur në letër mendimin regjisorial, diskutonte me Kadarenë për filmin e ardhshëm, por edhe ai mbeti diku; censura e kishte vdekur që pa u ngritur në këmbë. Kadareja shkruan: “Ishte teatri, me sa duket, që, për shkak të grumbullimit mu në mes të qytetit, provokoi së pari idenë e censurës(I.Kadare- Unaza në kthetra). Pirro Mani do të mbijetonte falë talentit dhe mbijetesa e tij ishte fat për tetarin tonë..

Ndryshe ku do ta gjenim një “Arturo Ui” si ai i Pirros? Po”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”? Po “Fytyra e dytë”, po “Kush e solli Doruntinën”, “Epoka përpara gjyqit”, “Prefekti” , “Cuca e Maleve”, “Nata e dymbëdhjetë” , “Përmbytja e madhe”, “Furrnalta” , “Besa e madhe”. Mjeshtria e tij, u shtri jo vetëm në teatër e film, por edhe në opera. Vuri në skenë operën “Skënderbeu” , “Komisari” me skenar të D. Agollit, “Kavaleria Rustikana”. Atij i takon nxjerrja në pah e cilësive interpretuese të sopranos së mirënjohur Inva Mula tek opera e Nikolla Zoraqit “Paja” me tekst të arbëreshit Di Maxhio, transmeton ‘aktoretshqiptare.info’.

Njohja me Pavlinën

Jeta rridhte, por Pirro ende kishte mbetur fillikat, ende nuk e kishte gjetur shoqen e jetës. Dhe rasti erdhi. Atë vit qe caktuar kryetar i komisionit për konkursin e pranimit të studentëve të degës për artin dramatik. Aty gjeti shoqen e jetës. Ja si e ka përshkruar J. Papagjoni këtë moment: “Sytë i mbetën mbërthyer pas fytyrës ovale të një vajze të re, zëëmbël, nga Lushnja.

I pëlqeu natyra e saj e brishtë, delikatesa, feminiteti, një gjendje emocionale që i gufohej kraharorit. I pëlqeu bukuria, sidomos sytë. Ajo konkurronte për aktore. Kishte zë të veçantë, si të lagur, ankues, madje melankolik. “Ky ishte momenti i parë, më pas gjithçka erdhi natyrshëm. Tregon Pavlina për më tej: “U ndodha një ditë në provat që Pirrua bënte me kursin e tretë për aktorë. Pse u ndodha atje? Ju e kuptoni vetë. Pirro vinte gjithmonë pranë meje pas çdo demonstrimi që bënte dhe bisedonte krejt lirisht me mua, jo sikur unë të isha studente.

Çuditërisht, ndjehesha shumë e çlirët në prani të tij. Këtë njeri është e pamundur të mos e duash. “U dashuruan, u martuan dhe po t’i shohësh sot ata, nuk e ke të vështirë të zbulosh se janë po aq të dashuruar, si atëherë… Familja u plotësua me dy fëmijët e tyre Bendisin dhe Vetiolen, të cilët ndjehen krenarë për prindërit e tyre, që i dhanë aq shumë skenës shqiptare. Që të katër tashmë jetojnë në New York. Vetiola është kryemenaxhere, ndërsa Bendis pedagog në një shkollë arti me emër në Nju Jork … Pirro dhe Pavlina janë gjyshër të dashur…