Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.
Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.
Rezultatet e testit “PISA 2022” janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.
Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, tha se rezultatet kanë qenë të pritshme.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve”.
“Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por, ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.
PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.
Testet eksplorojnë se sa mirë studentët mund të zgjidhin probleme komplekse, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të komunikojnë në mënyrë efektive. Kjo jep njohuri se sa mirë sistemet arsimore po i përgatisin studentët për sfidat e jetës reale dhe suksesin e ardhshëm.
Studentët iu nënshtruan testeve prej dy orësh, secili kushtuar një lënde. Nxënësve të ndryshëm iu dhanë pyetje të ndryshme testimi dhe kombinime të ndryshme lëndësh (p.sh. matematika e ndjekur nga lexim, ose shkenca e ndjekur nga matematika, etj). Artikujt e testit ishin një përzierje pyetjesh me zgjedhje të shumëfishta të cilat kërkonin që studentët të formulonin përgjigjet e tyre.
Ish zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Express se ishin të pritshme këto rezultate.
“Rezultati është i pritshëm, pasi kjo gjeneratë e nxënësve është përballur me çrregullime serioze të procesit mësimor prej marsit të vitit 2020 deri në marsin e vitit 2022 kur i janë shtruar testit. Në nivelin global ka rënie të rezultatit në Matematikë në raport me vitin 2018 për 17 pikë të PISA që është pothuaj se e barasvlershme me një gjysmë vjetor, pra këta nxënës kanë humbur një gjysmë vjetor të tërë. Ndërkaq, në Kosovë kjo rënie është 11 pikë të PISA, gjë që nuk është aspak për t’u lavdëruar, pasi edhe ashtu, kemi qenë me rezultat të ulët”, deklaroi Pupovci.
Mirëpo, Pupovcin e brengos rritja e përqindjes së nxënësve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të aftësive në fushën e leximit, matematikës dhe shkencës.
“Ajo që brengosë është rritja e përqindjes së nxënësve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të aftësive në fushën e leximit, matematikës dhe shkencës. Ndërsa në vitin 2018 i kemi pasur 77% të nxënësve nën kriterin minimal në Matematikë, tani i kemi 85% dhe e ngjashme është situata në dy disiplinat tjera” tha Pupovci.
Ai ka treguar se çfarë hapa duhet të ndërmerren për përmirësimin e gjendjes në arsim.
“PISA na tregon se gjendjen në sistemin e arsimit nuk e kemi aspak të mirë. Prandaj, hapat duhet të jenë në funksion të përmirësimit të gjendjes, e jo të radhitjes në PISA. Si prioritet duhet të jetë ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë të llogaridhënies, duke filluar nga shkolla deri tek nivelet më të larta të vendimmarrjes” thotë Pupovci.
“Kjo mund të arrihet duke përforcuar inspektimin, si dhe duke i eliminuar anomalitë në testet e jashtme, ku besohet se nxënësit mund të kalojnë pa dije falë kopjimit. Pastaj, duhet të ofrohet më shumë mbështetje për mësimdhënie, duke siguruar mjete mësimore dhe mbështetje profesionale. Në përgjithësi, të gjitha veprimet që çojnë drejt përmirësimit të gjendjes në arsim janë përmbledhur në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, e cila duhet të zbatohet me përpikëri dhe me angazhimin e të gjithëve”, shton ai.
Ndërsa Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit ka thënë se analfabetizmi funksional është rritur dhe se numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022.
Në reagim thuhet se në matematikë kriza është thelluar, ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022.
ORCA thotë se shpreson që këto rezultate ta këndellin kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës.
“ORCA shpreson që këto rezultate ta këndellin Kryeministrin e Republikës dhe Qeverinë e tij, ndonëse nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë pasë parasysh orientimin e Qeverisë, e cila nuk konsiston në reforma radikale, por vetëm në fasadë që në ditë si kjo shembet para syve tanë.”
ObserverKult