
Intervistë me autorin e komedisë, Odise Plaku
Edhe pak ditë dhe në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier do të ngjitet një shfaqje e re, që premton humor të pastër dhe reflektim të thellë – komedia “Pleqëri me kusure”, me autor Odise Plaku. I njohur për vepra dramatike me përmbajtje të thellë njerëzore, autori sjell për herë të parë një komedi për të rritur në skenë, duke ruajtur sërish ndjeshmërinë dhe lidhjen me realitetin shqiptar. Në këtë intervistë, Odise Plaku ndan me ne frymëzimin, procesin krijues dhe emocionet përpara premierës.
Si lindi komedia “Pleqëri me kusure”? Na flisni pak për personazhet dhe temën që trajton.
-Në thelb, kjo është një histori shumë njerëzore. Komedia përqendrohet rreth një çifti mësuesish në pension, Margarita dhe Viktori, që përballen me sfidat e përditshme të pleqërisë. Përballë tyre është komshiu i tyre kurioz, Lefteri, i cili iu dëgjon bisedat përmes murit ndarës. Nga kjo situatë e përditshme lindin momente të papritura, batuta, keqkuptime dhe shumë situata komike. Por, përtej të qeshurës, është edhe një marrëdhënie e bukur, njerëzore, që përçon ngrohtësi.
Ti je njohur më shumë për vepra dramatike. Si ndodhi kalimi drejt komedisë dhe çfarë të shtyu ta bësh këtë hap?
-Ishte një kalim i natyrshëm, që ndoshta më ka ardhur nga vetë jeta. Pas disa veprave dramatike, ndjeva nevojën për të sjellë një atmosferë më të lehtë, por jo më pak të vërtetë. Komedia më ofroi mundësinë të flas për të njëjtat tema – vetmia, pleqëria, marrëdhëniet – por përmes të qeshurës. Është një mënyrë tjetër për të komunikuar me publikun dhe për të reflektuar pa rënduar.
Sa ka nga realiteti dhe sa nga imagjinata në këtë komedi? Janë personazhet frymëzuar nga ndonjë histori apo figura reale?
Ka shumë nga realiteti. Ka lindur në mënyrë të rastësishme gjatë pirjes së një kafeje me dy nga miqtë e ngushtë me të cilët ndajmë dhe shqetësimet rreth prindërve tanë, tashmë në moshë. Ajo çfarë më ngacmoi ishte shprehja që “Babai nuk duron dot kur dikush tjetër hyn në banjën e tij”. Kjo ishte shkëndija prej nga nisi kjo komedi, por rrëfimi u trajtua në mënyrë artistike. Margarita dhe Viktori janë personazhe që mund t’i gjesh te shumë çifte që kanë kaluar një jetë bashkë. Janë tipa që njohim – të mençur, të lodhur, por gjithmonë me një humor të fshehur në fund të shprehjes. Edhe Lefteri është një “klasik” shqiptar – një komshi që ndërhyn pa u ftuar, por që në fund rezulton thellësisht njerëzor. Personazhet janë përpunuar artistikisht, por rrënjët janë te jeta reale.
Cili është mesazhi që do të doje të merrte publiku nga kjo shfaqje?
-Të qeshim me veten, të mos e marrim gjithçka shumë seriozisht, por edhe të reflektojmë për mënyrën se si jetojmë bashkë. Pleqëria nuk është fundi i rrugës, por një fazë që ka dashurinë, mençurinë, humorin dhe kujtimet e veta. Kjo komedi është një thirrje për t’i parë të moshuarit me më shumë respekt dhe për të ruajtur humorin si një mënyrë për të jetuar më lehtë.
Ti ke një lidhje të veçantë me qytetin e Fierit. Si është të rikthehesh me një vepër në këtë qytet dhe të bashkëpunosh me aktorë që janë miqtë e tu?
-Fieri është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Kam jetuar dhe punuar aty, ndaj rikthimi me një shfaqje në këtë qytet është gjithmonë emocional. Më emocionon ideja që kjo komedi ngjitet në skenën e Teatrit “Bylis”, sepse është një vend ku kam kujtime dhe lidhje të forta. Po ashtu, fakti që aktorët janë miqtë e mi e bën procesin edhe më të ngrohtë. E kemi ndërtuar shfaqjen me shumë dashuri dhe me humor të sinqertë – diçka që mendoj se publiku do ta ndjejë menjëherë.
Si ka qenë bashkëpunimi me Teatrin Bylis dhe çfarë emocionesh ke përpara premierës?
-Teatri “Bylis” ka qenë mikpritës dhe profesional në çdo hap. Trupa e aktorëve ka qenë fantastike në interpretim dhe përkushtim. Janë sjellë në mënyrë të tillë që më kanë bërë të ndihem pjesë e një familjeje artistike. Emocionet janë të shumta, sepse për herë të parë dal me një komedi, dhe dua që publiku të largohet nga salla me buzëqeshje dhe ndoshta me një ndjesi ngrohtësie në zemër. Por dua të veçoj bashkëpunimi me regjisoren Eliona Thomaraj. Kemi bërë një punë të përbashkët për të sjellë tekstin në fazën finale. Ua kam thënë që në fillim që kam shkruar një vepër për ta krasitur artistikisht dhe shkuar aty ku ne do të rrimë rehat në lojën e skenës. Ky është procesi përmes së cilës duhet të kalojë një vepër e re për të dalë në skenë. Ne e bëmë, por shumë regjisorë i tremben këtij procesi ndaj rendin drejt veprave të huaja pasi marrin një tekst dhe disa imazhe nëpër internet dhe e mbarojnë veprën.
Çfarë do t’u thoje spektatorëve që po mendojnë të vijnë të ndjekin “Pleqëri me kusure”?
Të vijnë me gjithë zemër! Të vijnë për të qeshur, për të parë veten apo familjarët e tyre në skenë. “Pleqëri me kusure” është një komedi e sinqertë, që nuk kërkon të jetë thjesht zbavitëse, por të prekë edhe ndjenjat. Është një homazh për pleqërinë, për marrëdhëniet njerëzore dhe për humorin si mënyrë për të përballuar jetën.
ObserverKult

Lexo edhe: