Muri antik i Lissusit, siç njihet kulla gjysmërrethore e qytetit antik do t’i nënshtrohet restaurimit. Muri që zë vend në Lezhën e sotme sipas të dhënave i takon shekullit IV. Siç njoftojnë mediat shqiptare, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin “Restaurimi dhe konservimi i murit antik rrethues nga kulla gjysmërrethore e anës jugore të fortifikimit të Lissusit deri tek Porta e Gaviarit dhe ambientet e qytetit të mesëm të Lissusit”, Lezhë.
Projekti është hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë dhe strukturorë të murit rrethues dhe ambienteve të qytetit të mesëm të Lissusit antik.
Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, fragmentimi i blloqeve antike ku është parashikuar të ndërhyhet është rreth 50 metra i gjatë, që fillon nga porta e vogël që njihet ndryshe me emrin “Porta e Burimit” deri te “Porta e Gaviarit”.
“Ky segment shfaqet në gjendje relativisht të mirë, por janë shfaqur rrëshqitje të një blloku antik nga fragmentet e murit, si dhe prani e vegjetacionit të shumtë që dëmton muret dhe zonën përreth”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Sipas këtij institucioni, ndërhyrjet e parashikuara sipas projektit, konsistojnë në ringritjen e mbi 1 blloku antik të rrëzuar përgjatë viteve, si dhe në pastrimin e vegjetacioneve.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka përsëritur se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, që janë asete me vlera historike dhe ekonomike për vendin.