Platoni mbi pleqërinë: e durueshme për mendjet e shëndosha, për tjerët-e mallkuar

platoni

-Platon, – i thashë, – unë kënaqem shumë kur flas me pleqtë. Meqenëse janë në fund të një karriere, ku të gjithë do të mbërrijmë një ditë, më duket e natyrshme që të vërtetojmë prej tyre nëse rruga është e vështirë apo e lehtë dhe meqë tani ti je në atë moshë, të cilën poetët e quajnë pragu i pleqërisë, do të më pëlqente shumë të më thoshe nëse e konsideron një situatë të tillë si më të dhimbshmen e jetës, apo si do ta cilësosh.

– Sokrat, – m’u përgjigj, – për Zeusin, do të të tregoj mendimin tim, pa të fshehur asgjë. Më ndodh shpesh, sipas proverbit të vjetër, që takoj shumë njerëz të moshës sime, dhe e gjithë biseda nga ana e tyre përbëhet nga ankesa dhe vajtime. Kujtojnë me mall dhe dashuri tryezën dhe çdo gjë tjetër të kësaj natyre, që i kanë shijuar në rininë e tyre dhe pikëllohen për këtë, sikur të qenkësh humbja e të mirave më të mëdha të tyre. Jeta e atëhershme ishte e lumtur, thonë ata, ndërsa kjo tani nuk meriton as emrin jetë. Disa ankohen sidomos për përçmimet që u sjell pleqëria nga të tjerët. Me pak fjalë, flasin vetëm për ta akuzuar pleqërinë si shkaktare të një mijë të këqijave. Sokrat, unë them se ata nuk e gjejnë shkakun e vërtetë të këtyre të këqijave, sepse, po të ishte vetëm pleqëria, pa dyshim që duhet të prodhonte të njëjtat efekte edhe tek unë dhe te shumë të tjerë të moshuar. Sepse kam takuar disa me karakter krejt tjetër. Kështu, për shembull, më kujtohet rasti me poetin Sofokli, kur e pyetën nëse mosha e tij e lejonte të shijonte ende kënaqësitë e dashurisë dhe të ishte në shoqërinë e një gruaje.

– Zoti më ruajt! – u përgjigj ai. – Unë kam kohë që jam çliruar nga zgjedha e atij tirani të furishëm dhe të egër.

Atëherë besova se ai po thoshte të vërtetën dhe mosha nuk më ka bërë të ndryshoj mendim. Në fakt, mosha e vjetër është një lloj prehje apo çlirimi nga shqisat. Kur dhuna e pasioneve është qetësuar dhe zjarri i saj është fashitur, njeriu është më i lirë dhe më i mbrojtur, siç tha Sofokliu, nga një mori tiranësh të furishëm. Sa për ankesat e të moshuarve, sidomos ndaj të afërmve të tyre, ata janë shumë të gabuar, Sokrat, për shkak të pleqërisë, sipas tyre, sepse shkaku i vërtetë është karakteri i tyre. Me mendje të shëndoshë dhe humor të mirë, pleqëria është e durueshme; por me një karakter të kundërt, si pleqëria, ashtu edhe rinia janë të mallkuara.

Në shqip: Bajram Karabolli