Platoni: Vetëm ata që dashurojnë janë të gatshëm të vdesin për të tjerët…

platoni

Platoni lindi rreth vitit 427 p.e.s dhe vdiq në vitin 347 p.e.s. Ishte i biri i Aristonit dhe Periktionisës, kishte dy vëllezër, Glaykonin dhe Adeimanton. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles por më vonë e quajtën Platoni sepse kishte “gjoks dhe ballë të gjerë”.  

Aristoteli na tregon se dikur gjatë rinisë, Platoni erdhi në kontakt me doktrinat e Kratilus, një nxënës i Heraklitit, i cili së bashku me mendimtarë të tjerë para-Sokratik si Pitagora dhe Parmenidi, i dhanë themelet metafizike dhe epistimologjike kërkimore. Por kur u takua me Sokratin filloi të thellonte më tej njohuritë drejt temës filozofike të virtytit.

E njohu Sokratin kur ishte 20 vjeç dhe qëndroi pranë tij deri në vdekjen e mësuesit të madh (399 para erës sonë).

Pas ekzekutimit të Sokratit kërkoi strehim për pak kohë në Megara, pranë shokut të klasës së tij, Euklidit. Më vonë u kthye në Athinë, ku për 10 vjet iu përkushtua shkrimit të veprave filozofike që mbajnë vulën e filozofisë Sokratike.

Platoni ka dhënë mësim në Akademi intensivisht dhe ka shkruar mbi shumë çështje filozofike, që kanë qënë veçanërisht të lidhura me politikën, etikën, metafizikën dhe epistimologjinë. Ndër shkrimet më të njohura të Platonit janë dialogjet e tij. Mendohet që të gjitha dialogjet autentike të Platonit kanë mbijetuar.

Ai la pas vetes shumë vepra ndër të cilat është “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi“, e cila në gjuhën shqipe erdhi e përkthyer nga Lazër Radi. Një pjesë nga kjo vepër ObserverKult e ka shkëputur dhe e sjell në vazhdim:

Nga Platoni

Vetëm ata që dashurojnë janë të gatshëm të vdesin për të tjerët dhe jo vetëm burrat, por edhe gratë.

Shihni Alçestin, të bijën e Pelias, e cila për ne grekët është prova më sublime e asaj që them. Ajo qe e vetmja që kërkoi të vdiste në vend të burrit të saj, i cili kishte edhe nënë, edhe babë. Kjo qe diçka madhështore për zemrën e asaj gruaje.

Aq e përndezur qe ajo nga dashuria ndaj të shoqit sa prindërit e tij i dukeshin si njerëz të huaj. Po kështu i dukeshin edhe birit të tyre , i cili tashmë e konsideronte veten të lidhur me ta vetëm nga emri.

Ky veprim u gjykua si madhështor jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga perënditë. Ato, të përdëllyera nga gjesti i kësaj heroine, i akorduan privilegjin që sërish të shihte dritën e diellit; pra të ringjallej e të rikthehej në tokë. Kjo tregon se perënditë e vlerësojnë shumë zellin dhe virtytin e lindur nga dashuria.

Përkundrazi Orfeun, ata e dëbuan jashtë ferrit, duke mos i dhënë asgjë, vetëm se i treguan fytyrën false të gruas së tij, për të cilën ai kishte zbritur në Had, por nuk ia dorëzuan. Orfeun ato e konsideruan njeri të dobët, (si cetrist që ishte) sepse nuk pati guxim të vdiste për dashurinë, siç bëri Alçesti, por ai arriti i gjallë të depërtonte në Had, duke përdorur dredhinë. Ja përse u dënua në këtë mënyrë e më pas futën gratë që ta vrisnin.

Nuk ndodhi kështu me Akilin, të cilin e nderuan dhe e çuan në ishujt e të lumturve. Përse? Sepse e ëma e lajmëroi se po të vriste Hektorin, do të vdiste , ndërsa po ta falte atë, do të mund të kthehej në atdhe dhe atje të jetonte gjatë. Akili parapëlqeu të zbriste në fushën e betejës, për Patroklin, mikun e tij që aq fort e donte. Ai e mori hakun dhe vdiq për atë. Këtë gjest perënditë e vlerësuan shumë duke i bërë nderime të mëdha.

Eskili thotë një pasaktësi kur pohon se Akili ishte dashnor i Patroklit. Akili jo vetëm ishte më i bukur se Patrokli por ishte edhe më i bukur se të gjithë heronjtë e tjerë mustaqe padirsur; ndoshta shumë i ri se ai, siç thotë Homeri. E vërteta është se perënditë e adhurojnë ndjenjën e dashurisë, por shpërblimin dhe admirimin ia japin vetëm atij që sakrifikohet për të.

Ai që dashuron ka diçka më hyjnore se ai që lejon të dashurohet. Kjo është arsyeja, pse perënditë e nderuan më shumë Akilin se sa Alçestin dhe i hapën për të ishujt e të lumturve.

Në fund do t’ju thosha se dashuria është perëndesha më e lashtë dhe më e denjë për t’u nderuar; është ajo që më së shumti frymëzon njerëzit për virtyte dhe lumturi, qoftë kur ata janë gjallë e qoftë kur vdesin.

(Shkëputur nga libri i Platonit “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi”)

Përktheu: Lazër Radi

Përgatiti: ObserverKult


klithmë din mehmeti

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA DIN MEHMETI: TYMI PO I DEL HËNËS…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga poeti Din Mehmeti:

A thua pse troket zemra

Këmbonat e rrokatura
Thërrasin agimet
E kohërave të vdekura

Rrugët fishkëllojnë nga pylli
Që përgjon ofshamat e pranverës
Së mërdhirë nga dimri

E njeriu s’di ç’të bëjë
Me etjen dhe urinë
E dalur vesë e rrufejë

Tymi po i del hënës
Toka sinjal i kuq në orbitë

E tërmete të reja në mëshirë
E rrëkëllimë gurësh mbi gurë

A thua, pse troket zemra…

Elegji për Azem Shkrelin

Mos e zgjoni!
Nuri i tij shndrit

Trupin e ka në të tashmen
Shpirtin në të ardhmen

Është duke përbiruar
Nëpër shkëmboren e mendimit

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult