Një konferencë mbi jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë në kuadër të 85-vjetorit të lindjes, u mbajt nga rektorati i Universitetit të Tiranës dhe Qendra Kombëtare e Librit. Botuesi i tij prej 3 dekadash foli per raportin me shkrimtarin.
“Unë besova te letërsia e tij si te hyjnia. Në këtë çerek shekulli si botues i veprës së tij, ajo që kam kuptuar është se ai nuk e do bujën e zhurmën, ndryshe nga çʼmund të perceptohet”, tha Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit” ku Kadare ka botuar veprën e tij.
Mbi peshën e rëndësinë e letërsisë së shkrimtarit të madh për shqiptarët dhe raportin e tyre me botën, u ndalën të tjerë të pranishëm.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të librit, Alda Bardhyli tha se romanet e tij janë betejë per lirinë kundër shtypjes. Ndërsa ministrja Elva Margariti u shpreh se Kadare u bë zëri ynë, kapërceu muret e kohës.
Për rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, Kadare është një personalitet që na identifikon. Njëherësh shkrimtari Preç Zogaj, vërejti se Kadaresë i detyrojmë magjepsjen e letërsisë.
Duke analizuar shpesh raportet e tij nen presion me shtetin komunist, eshte pyetur here me ze e here ne heshtje, se pse, ai mbeti gjalle? Si ia doli te mbijetoje? Ndonese e kane krahasuar me nje mjeshter shahu para tiranit, nje tjeter shkrimtar flet per rendesine e pranise se tij fizike.
“Ka qenë shumë e rëndësishme prania e tij fizike në Shqipëri. Me të në kuptuam se në këtë vend mund të bëhej letërsi e mirë. Ne nuk donim që ai të vetesakrifikohej duke I dalë kundër hapur regjimit. Nëse ai pasi shkroi Pashallarët e kuq, do të dënohej, dhe do të shkonte 20 vjet në burg, me e pakta që do të na mungonte do të ishte Pallati i Ëndrrave” tha shkrimtari Besnik Mustafaj.
Ismail Kadare, shkrimtari më i çmuar dhe më i vlerësuar në botë i ka hapur dyert letërsisë shqiptare në Europë e më gjerë dhe është krahasuar me Kafkën. Gjeniu i letrave, këtë përvjetor e feston në Shqipëri./BalkanWeb