Po të jetonte jashtë shtetit, Rikard Ljarja do të ishte Steve McQueeni evropian

Po të jetonte diku në Perëndim, Rikard Ljarja do të ishte Steve McQueeni evropian në kinematografi apo Giovanni Papini në letërsi.

Nga Agim Sopi

1.

“Na ishte një herë…na ishte një herë e në një kohë të lashtë, një katund, në një cep të humbur të Ballkanit – ‘Në një humbëtirë këtej rrotull’”, na ishte një herë një djalosh i vogël që quhej Riki. Në një ditë të zymtë me shi që derdhej frikshëm, sikur të ishte çarë qielli, Riki me babanë Karlon, kishin marrë rrugën drejt Makondos shqiptare, në një kohë të lashtë kur gjërat kishin humbur emrin duke u mbuluar me errësirë dhe për t’i shënjuar ato, “duhej të tregoheshin me gisht”.

Para se të zbulonin vetminë dhe strehën e “jetës së re” në katundin në një cep të humbur, të harruar nga njeriu e Zoti, Riki me t’atin Karlo kishin zbritur në qytetin e argjendtë Argyrokastron. Tani shiu kishte pushuar dhe qyteti i lashtë me mure e çati të përhirta prej guri vezullonte e mahniste me bukuri nën diellin që “fort shndriste e pak nxehte”.

Riki kishte lindur në një familje aristokrate, në qytetin e “dritës që vinte nga Perëndimi”, në qytetin e një mijë e një ndodhive, të një mijë e një dashurive të ndaluara, në qytetin që ishte histori e shpirtit dhe mauzole i dhembjes, në qytetin e Shkodrës. Babai Karli kishte mbaruar studimet në Vjenë, në kryeqytetin e Perandorisë Evropiane. Tani që kujtimet për Mozartin, Hofmannsthalin, Rilken, Straussin e Zwiggun po i shlyheshin padiktueshëm nën qiellin përvëlues të qytetit të gurtë që vezullonte me rreze argjendi, ai shtrëngonte fort dorën e të birit duke dashur ta tërhiqte padiktueshëm drejt rrugicës që shpinte drejt katundit të humbur në një cep të botës. Atje ku ishte caktuar destinacioni i tyre në “botën e re”. Por Riki kishte ndaluar me ngulm, duke shikuar pamjen e trishtë që po ndodhte para një shtëpie të boshatisur, para murit gjysmë të rrënuar e të përrethuar me trungje të vjetra ulliri.

Çlirimtarët që kishin zbritur nga mali, kishin vënë para armëve tre burra me duar të lidhura, sepse ata kishin marrë guximin të fshihnin një kalë. Njëri nga ata, një djalosh i ri që ende nuk kishte qime në fytyrë, shikonte me pikëllim kalin e trazuar tek hingëllinte me gjithë fuqinë, sikur parandiente kobin.

Burrat e lidhur ishin shpallur Gullag, armiq të shtetit dhe të partisë, prandaj duhej të ndëshkoheshin rëndë. Posa Riki e Karlo kishin marrë kthesën e rrugicës që shpinte tatëpjetë, i ati kishte filluar t’ia rrëfente Rikit përrallën për jetën e bukur në “botën e çudirave”, por rrëfimi ishte ndërprerë përgjysmë nga krismat që kishin ardhur me jehonë.

Përralla e bukur kishte mbetur e patreguar. Kishte mbretëruar heshtja. Riki, që ëndërronte të bëhej pilot dhe të fluturonte në paanësitë e qiellit, atëbotë kishte kuptuar se në atdheun e tij sërish të robëruar një kalë vlente më shumë se tri jetë njerëzish. Dhe kështu, ëndrrat djaloshare të Rikard Ljarjes ishin mbuluar me heshtje.

Heshtja më pastaj ishte bërë aleati i tij për gjithë jetën. Edhe kur babai i tij Karlo, filologu vjenez, kishte shërbyer si mësues katundi në një cep të harruar të Ballkanit, edhe kur Rikardo ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes për të nxënë dije, edhe kur kishte shkuar në kryeqytet për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. E, megjithatë, ëndrra e tij për të fluturuar dhe për të mos njohur kufij në qiellin e paanë ishte realizuar në imagjinatë. Zoti ia kishte falur talentin, bukurinë, inteligjencën. Si i tillë, ai u bë ikona kinematografike e partizanit idealist që luftonte për liri e barazi në mes njerëzve. Pikërisht si i tillë, ai bashkë me Viktor Gjikën morën guximin dhe krijuan filmin “Rrugë të bardha” (1974) apo udhën për Golgotë. Atëbotë, kur heroi Dede (Krishti) mori rrugën e flijimit për të shpëtuar të tjerët. Kur Perëndia kishte vendosur të sakrifikohej për të shpëtuar njerëzimin.