
Prej 15 deri më 18 tetor 2026, në Tetovë u mbajt Edicioni i XXX Jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili edhe këtë vit mblodhi poetë të njohur nga mbarë bota dhe hapësira shqiptare, duke e shndërruar qytetin në një skenë të madhe poetike e kulturore.
Prej tri dekadash, ky festival është shndërruar në një simbol të gjallë të dashurisë për poezinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare, si dhe në një urë lidhëse ndërmjet poetëve dhe kulturave të ndryshme të botës.
Në këtë edicion jubilar morën pjesë poetë të huaj dhe shqiptar si: Ion Deaconescu (Rumani), Xhuzepe Napolitano (Itali), Pierre Ech-Ardour (Francë), Eli Rosa Zamora (Venezuelë/SHBA), Angela Valenti Durazzo (Monako), Brunhilde Román Ibáñez (Spanjë), Sevgi Suçin (Turqi), Teodora Sukareva (Bullgari), Vanessa Fens (Meksikë), Dan Gheorghe (Rumani), (Flutura Açka (Shqipëri), Donika Dabishevci (Kosovë), Haxhi Shabani (Mali i Zi), Ndue Ukaj (Kosovë) Arjan Kallço (Shqipëri), Dragana Eftimoiva, Puntorie Muça Ziba, Ana Pejçinova dhe Remzi Salihu (Maqedonia e Veriut).
Në hapjen solemne të Festivalit, para Qendrës së Kulturës në Tetovë, u ndezën fishekzjarrë, ndërsa të rinj të veshur me kostume bartnin flakadanë të ndezur, si shenjë nderimi për poetin tonë kombëtar, Naim Frashëri. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati Ion Deaconescu dhe kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, vendosën buqete me lule para shtatores së Naimit dhe mbajtën një minutë heshtje në nderim të tij, në shënim të 180-vjetorit të lindjes së poetit dhe 30-vjetorit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Në fjalën e tij të hapjes, drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, ndër të tjera, foli për sfidat dhe sukseset ndër vite dhe misionin kulturor të “Ditëve të Naimit”. Ai në mes tjerrash theksoi se: “Në një botë, ku fjala shpesh e humb peshën e saj në zhurmën e përditshmërisë, poezia na mëson të dëgjojmë atë që nuk thuhet dhe të shohim përtej asaj që duket. Ajo nuk i zhduk kundërthëniet e botës, por i kthen ato në pyetje që na mbajnë zgjuar; nuk i shuan largësitë, por krijon mundësinë që ato të bëhen të kapërcyeshme. Në këtë mision, ‘Ditët e Naimit’ janë bërë një pikë takimi e gjuhëve dhe e kulturave, ku çdo zë ruan veçantinë e vet dhe, njëkohësisht, bëhet pjesë e një bashkëbisedimi universal. Në 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit, ky jubile merr edhe kuptimin e një lidhjeje të gjallë me trashëgiminë poetike që na formëson dhe na frymëzon”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shprehu kënaqësinë që ndodhej “mes poetësh nga meridianë të ndryshëm të globit, të cilët sjellin në Tetovën tonë bukurinë e veçantë të poezisë, frymën që na bashkon si qenie njerëzore përmes forcës madhështore të fjalës së shkruar”.
Më tej ai theksoi se, “poezia, letërsia dhe kultura, në përgjithësi, ngrenë ura bashkëpunimi dhe njohjeje, duke përcjellë mesazhin universal të shpirtit njerëzor për paqe dhe mirëkuptim.
Ky festival mbetet një shembull domethënës i ndërtimit të këtyre urave, i jehonës së vargut poetik dhe i frymëzimit për të përqafuar vlerat e përbashkëta të njerëzimit.
Për tri dekada me rradhë, ‘Ditët e Naimit’ kanë dëshmuar se poezia nuk njeh kufij gjuhësorë e gjeografikë, se ajo i afron njerëzit dhe i bën kulturat të komunikojnë nëpërmjet ndjeshmërisë së përbashkët njerëzore.
Forca përbashkuese e poezisë, letërsisë dhe kulturës është e jashtëzakonshme. Prandaj, Komuna e Tetovës i ka mbështetur vazhdimisht këto ngjarje dhe do të vazhdojë t’i mbështesë edhe në të ardhmen, sepse besojmë thellësisht se arti i fjalës dhe kultura e bëjnë shoqërinë më të mirë, më të hapur dhe më humane”.
Kryetari Kasami i njoftoi të pranishmit në sallë se, së bashku me drejtorin e Festivalit, janë marrë vesh që “Ditët e Naimit” të institucionalizohen në kuadër të Komunës së Tetovës, deklaratë që gëzoi pa masë dashamirët e Festivalit dhe të pranishmit në sallë.
Fjalimin e tij, ai e përmbylli, duke shprehur mirënjohjen për organizatorët, poetët dhe të gjithë ata që, me përkushtimin e tyre, kanë bërë të mundur që Tetova, për tridhjetë vjet me radhë, të jetë një vendtakim i rëndësishëm i krijuesve dhe i kulturave nga mbarë bota.
Juria e Festivalit, e përbërë nga poeti dhe studiuesi Ndue Ukaj (kryetar), si dhe poeti dhe studuesi Haxhi Shabani (anëtarë) dhe studiuesi Xhelal Zeneli (anëtarë), ia kanë ndarë poetit të njohur rumun Akademik Ion Deaconescu çmimin e madh letrar “Naim Frashëri”. Këtë çmim të madh që jepet “Për vlera të larta artistike e estetike”, Laureatit ia dorëzoi drejtori i Festivalit.
Në fjalën e tij, Deaconescu falënderoi organizatorët për nderimin që po i bëhej poezisë së tij dhe në vazhdim u shpreh se, “ky çmim është si një vals në një sallon aristokrat ose si një ylber në një ditë vjeshte me shi. Mbase, është edhe si një deklaratë dashurie me fjalë, gjithmonë rebeluese, që e shpërblen historia e gëzimeve, e emocioneve, e heshtjes, dashuria e një autori i cili në duart e veta e mban letrën e zemrës së vet si dhe atë të lexuesve të vet. Duke ma dhënë këtë çmim prestigjioz ndërkombëtar që e mban emrin e poetit të madh shqiptar – Naim Frashëri, Ju në shpirtin tuaj e mbani zemrën time, e cila dridhet nga dashuria dhe emocionet”. Duke përfunduar se, “Poezia e kësaj pjese të Evropës aspiron të jetë një art ndriçimi, sepse poeti nuk banon vetëm në një vend, por, mbi të gjitha, në një gjuhë – një gjuhë që ekzistonte para nesh dhe do të vazhdojë të ekzistojë edhe pas nesh, siç na kujtoi patrioti i madh dhe poeti Naim Frashëri”.
Në këtë orë të madhe letrare të titulluar “Globi poetik”, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, që jepet për karrierë letrare, iu nda poetes së njohur shqiptare Flutura Açka.
Në kuadër të programit të Festivalit u zhvilluan aktivitete të shumta letrare, artistike, kulturore, shkencore e muzikore.
Në ditën e dytë të programit u mbajt tryeza shkencore me temë “Ditët e Naimit” – 30 vjet në poezinë botërore, ku u lexuan dhjetë kumtesa nga studjues të huaj dhe ata shqiptarë. Kështu, për rolin dhe rëndësinë e operatorëve kulturorë e letrar me theks të veçantë “Ditët e Naimit” në afirmimn e letërsisë/poezisë, kulturës e gjuhëve e vendeve të ndryshme, me kumtesë u paraqitën Ion Deaconescu nga Rumania, Xhuzepe Napolitano nga Italia, Pierre Ech-Ardour nga Franca, Mehmet Suçin nga Turqia, Donika Dabishevci dhe Ndue Ukaj nga Kosova, Flutura Açka nga Shqipëria, Arjan Kallço nga Shqipëria, Haxhi Shabani nga Mali i Zi dhe Xhelal Zejneli nga Maqedonia e Veriut.
Në këtë tribune, kryetari i Komiteti Ekzekutiv të Akademisë Ndërkombëtare „Mihai Eminesku” me seli në Kraiovë, të Rumanisë, Akademik Prof. Dr. Ion Deaoconescu ia dorëzoi poetit Shaip Emërllahu titullin Anëtar Nderi të Akademisë.
Ndërkaq, sekretari i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re” z. A. Th. Kallço, i dorëzoi Shaip Emërllahut çmimin “Bota e Re”, të akorduar për kontributin e tij në krijimtari, kulturë, media dhe mësimdhënie.
Sipas programit, pasdite, poetët vizituan monumente kulturore dhe historike të qytetit të Tetovës.
Një moment i veçantë ishte edhe ora letrare “Poetë dhe vargje”, e mbajtur në Teqenë e Tetovës, ku poetët pjesëmarrës lexuan krijimet e tyre dhe ndanë përvoja poetike që burojnë nga kultura të ndryshme të botës.
Në ditën e tretë u bë përurimi i Antologjisë i Poezisë Bashkëkohore Botërore, me autorë Ion Deaconescu, Zhao Lihong dhe Aminur Rahman.
Për këtë antologji, në të cilën janë përfshirë 90 poetë (prej tyre 5 poetë shqiptarë), foli akademiku, Ion Deaconescu, i cili tha se, “Jemi mbledhur këtu sot, për të festuar ardhjen e një libri të jashtëzakonshëm, pa asnjë ekzagjerim, një Bible të vërtetë të poezisë nga e gjithë planeti jonë. Përmes faqeve të këtij vëllimi, poetë të mëdhenj janë bërë bashkë për të pohuar se, përmes poezisë, lexuesi-qenia njerëzore-lidhet me përjetësinë, lë mënjanë frikën e vetminë dhe ëndërron t’i falen krahë”.
Në këtë veprimtari, botues dhe hartues antologjish diskutuan për mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes, përkthimit dhe botimit të një antologjie, si dhe për sfidat dhe shqetësimet që shoqërojnë hartuesit e veprave të tilla dhe rolin që kanë ato.
Në mbrëmje, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center”, u zhvillua ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, ku poetët ndërkombëtarë dhe shqiptarë interpretuan poezitë e tyre në një atmosferë solemne e frymëzuese. Pjesë e programit ishin edhe interpretimet muzikore të Benjamin Mengës në violinë dhe Zulehan Sahitit në violë.
Gjatë kësaj ceremonie u shpallën edhe fituesit e çmimeve të tjera letrare të Festivalit. Çmimi “Menada” iu nda poetit francez Pierre Ech-Ardour, çmimi “Silke/Liria” iu dha poetes Angela Valenti Durazzo nga Monako, çmimin “Oeneumi” e mori poetja Sevgi Suçin nga Turqia, ndërsa çmimi letrar “Qiriu i Naimit” iu dha poetes Eli Rosa Zamora nga Venezuela.
Si çdo vit, Drejtoria e Festivalit edhe sivjet botoi antologjinë e Festivalit, me poezitë e pjesëmarrësve, me titull “Hija e çmendur”.
Gjatë gjithë programit, poezitë në gjuhën shqipe i interpretoi aktori Arsim Kaleci, ndërsa Festivalin e moderoi Narta Emërllahu.
Edicioni jubilar i XXX-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe nga Komuna e Tetovës. Sponsor i këtij Edicioni Jubilar ishte restorant “Kurtishi”. Drejtoria e Festivalit, pronarit të tij z. Safet Kurtishi i dorëzoi Mirënjohjen për vlerësimin dhe mbështetjen dhënë ndër vite Festivalit./D. Hadri
ObserverKult
Lexo edhe:
Poetë nga e gjithë bota mblidhen në Tetovë për edicionin jubilar të 30-të të “Ditëve të Naimit”






