Poetët për gjuhën shqipe

Shkas i këtij kërkimi mbi rëndësinë e gjuhës, u bë një përmbledhje e poezive për gjuhën shqipe, të autorit të shkencave humanitare, Dr. Skënder Demaliaj, i cili me shumë kujdes ka selektuar krijimet më të bukura për gjuhën shqipe, të poetëve tanë në shekuj, në një përmbledhje modeste por të trajtuar me shumë dashuri, nën titullin: “Poezi për gjuhën Shqipe”.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Nëse do t´i referohemi opinioneve të sotme për gjuhën, ajo shihet si një fenomen central në botën ku jetojmë. Fjalët nuk janë thjesht etiketime vokale apo veshje të komunikimit për t´i dhënë atij rendim. Ato janë krijime kolektive, të lindura e mbajtura në aktivitet jetësor shoqëror; njerëzit ndërtojnë dhe nyjëtojnë një botë të vetën me to, të dallueshme së tjerash. Ky qëndrim mbi gjuhën ka dhënë efekte të forta në filozofi, psikologji, sociologji e mbi vetë gjuhësinë.Shkas i këtij kërkimi mbi rëndësinë e gjuhës, u bë një përmbledhje e poezive për gjuhën shqipe, të autorit të shkencave humanitare, Dr. Skënder Demaliaj, i cili me shumë kujdes ka selektuar krijimet më të bukura për gjuhën shqipe, të poetëve tanë në shekuj, në një përmbledhje modeste por të trajtuar me shumë dashuri, nën titullin: “Poezi për gjuhën Shqipe”.

Për Naim Frashërin gjuha është mjet i dijes, e cila me sa duket kapërcen identitetin e grupit, kur ai thotë:

“O burra shqipëtarë,

të marrim dituritë,

se s´është kohë e parë,

tani lipset dritë.`”

Ҁuditërisht këto vargje tingëllojnë kaq aktuale edhe sot kur Europa po kujdeset për një integrim me standarde kulturore dhe etike të vendit tone brenda saj.

Për Filip Shirokën me rëndësi është pastërtia në përdorim e gjuhës. Emigrimet, shkollimet jashtë e kontaminojnë atë. Me ironi autori shkruan:

“Rri në shkollë djali pesë gjashtë vjet…

Kur vjen n´Shkodër shqip nuk flet..”

Romanticimi egzaltues ndaj gjuhës dhe koshienca se ajo është mjeti bashkues rreth një mënyre të caktur brendësimi dhe ekspozimi ndaj botës, ngarkojnë poetikën e Mjedës me një frymëzim të pazakontë që me sa duket ia shton  edhe përmallimi në emigrim:

“Përmbi za që lshon bylbyli

gjuha shqype m´shungullon…

Gegë e toskë, malci, jallia,

janë nji komb, m´u nda s´duron,

fund e maje nji a Shqipnia

E nji gjuhë t´gjithë na bashkon”.

Për Asdrenin gjuha është thesari që prindërit na lanë. Ai mendon se virtyti qëndron në gjuhë brenda. Vërtet e cuditshme kjo ide dhe e saktë, pasi në trashëgim gjendet gjithçka.

Një poezi e befasishme për mënyrën e konceptimit të qenies së gjuhës është ajo e Luigj Gurakuqit. Qysh prej titullit të saj: “Shqipja, e burrit tingëllim” ajo tregon se dallimi ndodh qysh prej mënyrës sesi tingëllon njeriu, posaçërisht burri, që është edhe krijuesi i botës epike që jetojmë. Subjekti shkëputet nga titulli në një drejtim tjetër, duke animizuar gjuhën si një krijesë të pavarur, e cila paska gjezdisur botën, Korçë, Shkodër, Bukuresht, itali, dhe pastaj, kjo emisare që ka marrë përsipër fundin e vuajtjes së identitetit që përkatëson “..i ra Burrit n´gji tue thanun: Gëzohu! Për ne vaji mbaroi”.

Hilë Mosi e shikon rritjen e bashkësisë njerëzore si rritjen e gjuhës:

“Se ne dona ty me të rritë, bashkë me tjera shoqe tuja..”

Një poet me vizion të shumëfishtë, Gjergj Fishta, e shikon këtë mjet, gjuhën, në potencën e brendshme, jo vetëm të dashurisë por edhe të rreptësisë që ajo përmban, për të ruajtur brigjet e saj identike me veten:

“Posi kanga e zogut t´verës,

qi vallzon n´blerim të prillit,

porsi i ambli fllad i erës,

që lmon gjitë e drandofillit,

porsi vala e bregut t´detit,

Porsi gjama e rrfes zhgjetare,

Porsi ushtrima e nji termetit,

Njashtu a gjuha e jonë shqiptare.”

Prekëse janë vargjet për gjuhën shipe në poezinë e Lasgush Poradecit, të thella, aktuale dhe aq filozofike, me një përzierje mendimesh që të bën të reflektosh pas qëndrimeve, temperamentit, etikës, që gjuha fsheh mes fjalëve. Dhe e gjitha kjo duket haptas përgjatë përdorimit:

“O gjuhë e shënjtëruar, o mall me shpirtin plot.

O vetëtim` e qiellit që fërfëllon me flakë,

O diellë -i llaftaruar që ndrin si pikë lot…

Si pikë lot e ndritur po ndrij në rrezen t´uaj,

Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë

Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj…

Kam mbetur kaq i huaj dhe i ndrydhur edh´ i shkretë

Prej ligjëratës sate që më çudit, o zjarr!

Me gjuhëra prej flake ti djeg…ti flet…ti pret

Do vi! Do të vi pranë mjerush e duke vuar…

Kur të këndoj në gojë, kur të kuptoj në kartë

Porsi një kraharuar ti dhemb, o gjuhë e zjarrtë…”

Në disa vargje më pas ai përdor për gjuhën shprehjen “ o mos- e kuvenduar”! Një shprehje me një milion kuptime. Pra gjuha është një “mos”?  Dhe ky “mos” “kuvendohet”. Këtë varg do të ishte i lumtur ta shkruante poeti gjerman Holderlin, poezia e të cilit është një filozofi misteri e nënshkrueshme krejt shpirtit njerëzor, nga i cili rrjedh gjuha.

Një poezi mjaft e gjërë për nga përfshirja e shtrirjes së fatit dhe paradoksit të mbijetimit të gjuhës shqipe, është ajo e Ernest Koliqit.

Autori metaforizon për të nxjerrë rrënjët e stërlashta të këtij formacioni gjuhësor, që megjithatë kultivohet një një truall fierishtë(të njomë), dmth ende të pa civilizuar, por në mënyrë paradoksale, me një horizont përballjesh dhe kontaktesh të lavdishme në të kaluarën e thellë, të cilën gjuhë vetë Gustaf Mayeri e pat eksploruar:

“ o gjuhë e folun në botë ende ferishte,

së cilës Mayeri në të censhmet letra

rrajt e fsheguna n´mot nuk mundi a gjeti

as në të folun të Cezarve, as n´helenishte,

sepse Athin s´kishte as emën, as Roma…”

Dhe autori shton se vetëm në kohën e Katalanëve, të cilët u dyndën mbi tokat tona, në ato” vigama hove hove”, me sa duket të betejave, janë gjurmët e para të identifikuara, në largësi historike, për gjuhën tonë.

Një operim tjetër poetik i Koliqit për gjuhën shqipe, me rëndësi socilogjike, është ai në vargjet e mëtejme të poemës, ku tregohet se edhe pse besimet u konvertuan, gjuha mbeti si i vetmi mjet bashkimi. Ajo qëndroi megjithatë e palëkundshme, duke treguar se divinia, transcenduesja, gjuha, është linja më e përtejme e një bashkësie të konstitutuar, që ruan tipologjinë e shpirtit të përbashkët, të një mënyre të ndërtuari e të kuptuari jete pak a shumë ngjashëm; shenjë kjo që gjuha ka lindur bashkë me qenien njëheri. Autori poetizon:

“Mister i vjetër që mbërthen fjalët e tua,

zanin na e derdh me nji kreni t`pashoqe,

o gjuhë e folun për trimni prendvera;

o tokë, na mbajte nën pushtime të huaja

sepse prej gojëve arbnore nuk u hoqe

as kur u ndamë n´besime e doke të tjera”.

Duke vërejtur larminë e këndvështrimeve të gjuhës shqipe dhe dashurinë e poetëve të saj për mediumin e tyre të shprehjes, gjej rastin të falenderoj edhe një here Skënder Demaliaj për mbledhjen e këtyre poezive në një vëllim ku edhe i interpreton ato./ ObserverKult