Poetët meritojnë të kenë vetëm ditëlindje dhe për këtë arsye në ditën e 72-vjetorit të lindjes së poetit të ndjerë Skënder Rusi, i cili u nda nga jeta në 31 maj të këtij viti u zhvillua dhe një mbrëmje poetike pjesë e të cilës ishin familjarë, miq dhe kolegë të lirikut korçar.
Djali i tij përkthyesi dhe shkrimtari, Eris Rusi, tha se në këtë përvjetor mungon njeriu por jo shpirti i tij. Gjithashtu Rusi dha lajmin se dorëshkrimet dhe poezitë e krijuara dhe pabotuara nga poeti pritet të sillen së shpejti për të gjithë artëdashësit.
Dekania e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Korçës, Jonela Spaho tha se poeti i mungon shumë Korçës. Gjithashtu sipas saj ai është në çdo varg dhe në çdo tingull për qytetin që i ofroi vlera.
Profesori universitar dhe një nga miqtë e poetit, Ilir Shyta duke përmendur vargjet e Mikele Hernandes tha se poetët nuk vdesin asnjëherë.
Si një figurë frymëzuese dhe një lirikë thellues është konsideruar nga ana e Alda Bardhylit, drejtoreshë e Qendrës së Librit dhe Leximit, liriku korçar Skënder Rusi, teksa ka folur për Varg Festival i cili po mbahet në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Korça ishte destinacioni i 2-të i Varg Festival pas Pogradecit nga ku dhe nisi festivali i poezisë i cili do të shëtisë në disa vende të ndryshme të Shqipërisë./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe: