Ilaz Hysaj: Kujtime nga burgu
BELI LUK, CRNI LUK (Hudra, kepë)
U bënë më shumë se një vit e gjysmë që pos shëtitjes ditore njëzet minutëshe nuk bënim ndonjë aktivitet tjetër fizik. Ritmin e muajit e bënim duke e ndarë në tri ngjarje të vetme: banjon një herë në javë, vizitën e familjes në çdo dy javë si dhe shkrimin e letrave një herë në muaj.
Në tre muajt e parë gjatë vizitave na lejonin vetëm nëse flasim serbisht derisa e gjetën një përkthyes i cili qëndronte ulur në karrigë dhe merrte shënime nga ato që flisnim. Disa nuk pranonin me folë serbisht e disa tjerë edhe nuk dinin dhe familjet e tyre në atë fillim ktheheshin pa i pa djemtë e vet. Në vizitën e parë pas një muaji pat ardhë baba me nanën.
Mes neve qëndronte një rrjetë metalike me katrore të imtë dhe tavolina të gjëra në të dyja anët e grillave që krijonin një distancë prej afro dy metrash midis nesh.
‘Zdravo tata kako ste’ (përshëndetje babë, si jeni), e pyeta serbisht. Baba më kqyri me një shiqim të thellë që shprehte ma shumë se me një mijë fjalë at’ dhembshurinë prindore. Por në buzë ruajti buzëqeshjen.
‘Dobro moj sine, svi smo dobro’ (Mirë biri im, krejt jemi mirë) ma ktheu baba. Nana shiqonte e hutueme, nuk fliste e as kuptonte serbisht. I thash babës, thuj nanës, që jam mirë. Nuk jam vet po me dy shokë në dhomë dhe se buka po me hahet, e mos te bahet hiç merak për mue.
Nana vetëm më shiqonte dhe mundohej ta mbante vehten. Baba më tha se nana ta ka gatue një manti me mish dhe kepë ashtu siç e ki merak ti dhe e hani bashkë me shoktë e tu. Njëzet minutat e vizitës së parë i kaluem vetëm tu e kqyrë njani tjetrin. Asnjëherë nuk kam ba bisedë ma të thellë me babën se përmes atyre shiqimeve.
Baba ka qenë gjithmonë i heshtun, i thellë në mendime, pak fliste e shumë ndëgjonte. Filozofinë e tij e kam njohur ma tepër në bazë të bisedave të gjata e të qeta që bënte me disa pleqnarë që vinin vetëm e vetëm me ndejtë me të. Në dhomën e tij të vogël ishte një dollap i mbushun me qitapet e libra të vjetra. Gjithmonë kisha qejf me i ndëgjue debatet e babës me Mulla Veselin e Shkupit i cili vinte apostafat për me ndrrue mendime me babën. Nga ata mësova ma shumë se nga shumë libra për vlerat fundamentale njerëzore, historinë, dashuninë për tokën dhe njeriun. Baba ishte atdhetar e arsimdashës dhe bani të pamundunën që ne të shkolloheshim dhe të zgjidhnim atë që e donim.
Por baba fort e donte edhe tokën. Kish qef mirë me e punue bahqen dhe mbillte plot perime. Lehtë e kepëve dhe hudrave që i prashitke e i herrte baba ishin të veçanta. Unë fort nuk e kisha merak punën n’ara, dhe shkojsha gjithmonë kambën zhag. Por baba kurrë nuk më ka bërtitë.
Gjatë qëndrimit në burgun e Leskovcit krejt vetëm tri ditë na patën qitë në oborr për me palue dhe vargue fleta të duhanit. Dhe vetëm aty pata mundësi me i pa të burgosunit e dhomave tjera. Aty e ndjeva se sa më kishte marrë malli me prekë një bimë, me ba një punë që lidhet me token.
Mu kujtue baba që pos punës së tij si imam në nje fshat të Shtimes nuk ndahej kurrë nga bahqja e tij. E na djemt kurrë me qef nuk e kemi ndihmue. Nganjëherë kur nuk mujke, ia ipte aren një fshatari me e punue dhe frytet me i nda për gjysmë.
Nuk më kishin mbetur edhe gjashtë muaj me përfundue burgun dhe çdo ditë e më shumë më rritej dëshira dhe nevoja me e punue tokën sikur baba. Por nga vizitat fundit e shihja se baba ishte lodhë shumë dhe frigohesha se arën ose do t’ia jep dikujt tjetër me e punue për gjysmë, ose nuk do ta punonte fare. Doja gjithqyshë që t’i tregojë babës se kur të vij do ta punojë bahqen dhe çdo punë tjetër rreth shpisë. Dhe ditën kur gardianët ma sollën lapsin dhe letrën, vendosa asaj radhe t’i shkruaj një letër vetëm babës.
Letrën duhej ta shkruanim gjithmonë serbisht, që drejtoria ta lexonte para se ta nisnin në postë.
Dragi tata
(përkth. babë i dashtun)
Uroj që letra ime të ju gjejë të gjithëve mirë. Edhe unë jam mirë me gjithë shokët e dhomës. Po e kalojmë kohën tu lexue libra dhe tu lujtë shah. Nuk më kan mbetë edhe pak muaj e do të jem në mesin tuej. E dij babë se asnjëherë nuk të kam ndihmue sa duhet në punët e fushës, por tash ma shumë se kurrë e kam kuptue fuqinë e lidhjes tande me tokën. Asht dashtë bile me m’bërtitë nganjëherë e mos me mi vetë dajtë po me më thanë: pa qare duhesh me e punue tokën.
Babë kësaj radhe mos u ngut me e dhanë arën për gjystë se “kad izadjem će da semim kupus, beli luk, crni luk, paradajse i krompire i će da bude najbolja bahča na Rashincu”
(përkthimi “kur të kthehem do të mbjelli lakna, kepë, hudra, domate e patate dhe bahçja jonë do të jetë ma e mira në Rashincë”)
Tvoj sin Ilaz.
(Përkth.djali yt Ilazi)
P.S.
Kur dola nga burgu, natën e parë mbasi u çmallëm mirë, burri i tezës Shefki, Smajli më pat thanë : Ilaz sonte bjer e flej herët se nesër me sabah kena me t’que n’ara me mbjellë cerni lluk edhe belli lluk.
E t’plasi një gaz i madh nga të gjithë aty që ishin sa barku me pat dhimbtë nga të qeshurat e kësaj historie që kurrë nuk ma harrojshin çdo pranverë që vinte.
ObserverKult
Kliko edhe:
Poezi nga Ilaz Hysaj: DITË PRANVERE