Poezi intelektuale, meditative dhe metaforike

Din Mehmeti

(Rreth librit me poezi “Vajet e Shiut” të poetit Din Mehmeti)

Nga: Blerim Valla

“Kam dëshirë të shkruaj një vepër, e cila do të mbetet gjatë. Në këtë moshë të kap shpesh mendimi se nuk ke mundur t’i thuash të gjitha. Prandaj, gjithnjë kam përshtypjen se nuk e kam kryer siç duhet detyrën time. Për këtë, mendoj të shkruaj një vepër, e cila qëndron, e cila bën rezistencë”.

Kështu kishte thënë poeti Din Mehmeti pak para se sëmundja të fillonte ta lodhte por jo edhe ta ndalte pendën e tij që të të vazhdonte të shkruante poezi, deri ditën e fundit të jetës së tij, deri më 12 nëntor 2010, kur u nda nga jeta.

Kështu mund të përcaktohet libri i fundit i Din Mehmetit, i cili vjen te lexuesi me titullin “Vajet e shiut”, ku përfshihen poezitë e fundit që poeti i njohur i kishte lënë në dorëshkrim.

Libër ky i cili ka dalë para ca kohësh, përgatitur nga dy miqtë e tij Ali Jasiqi, redaktor dhe Halil Haxhosaj, recensent, të cilet janë përkujdesur për botimin e poezive të cilat poeti i madh Din Mehmeti i kishte shkruar në kohën kur ka kaluar muajt e fundit të jetës së tij.
Kjo është vepra e 17-të e Mehmetit, por që u botua pa u mbushur një muaj nga vdekja e poetit.

Dorëshkrimin e kësaj përmbledhjeje të tij të fundit me titull “Vajet e shiut”, Din Mehmeti në të gjallë të tij e kishte bërë gati për botim, bile fillimisht kishte menduar ta titullonte “Bardhësi e përlyer”, por jo që nuk arriti ta sheh botimin e tij, po edhe titulli doli ndryshe gjatë procesit të përgatitjes dhe redaktimit. Titullin “Vajet e shiut”, e kishte propozuar derisa rrinte i shtrirë në krevat, vetëm disa ditë para se të ndahej fizikisht nga jeta. Miqtë e tij Ali D. Jasiqi dhe Halil Haxhosaj (edhe të dy këta tashmë të ndjerë) u angazhuan që të bëjnë përgatitjen e botimit të kësaj përmbledhje.

Me këtë libër është rrumbullakur vepra letrare e këtij poeti, pas botimit të veprës së tij komplete, në pesë vëllime, më 2009.
Pra vet Din Mehmeti, deri ne ditën e fundit të jetës ishte në procesin e krijimit të ketij libri, me të cilin do të shpaloste botën e vet personale me shprehje artistike të rralla dhe tejet origjinale.

Në këtë libër, ndonëse i fundit, ku mbisundon atmosfera e vdekjes, e sëmundjes së poetit, e vajit për jetën, pra antinomia jetë-vdekje, liri-dashuri, Din Mehmeti me stilin e vet “mehmetian”, me dendësinë metaforike të jashtëzakonshme dhe me thjeshtësinë e thellësinë e fjalës dhe të shprehjes poetike, dëshmon se është një nga përfaqësuesit më të mirë të poezisë moderne shqiptare.
(Shih poezinë “Pamje e trishtë”: Qielli saç i nxirë/Toka pa ngjyrë?Mezi marr frymë?Ditët po ngrijnë/Frikë …).

Ndonëse në fillim të karrierës së tij kishte nje shprehje me transparente dhe më tradicionale poetike, lexuesit i ka sjellë poezi përjetimesh më të thella poetike, me shprehje meditative dhe më emocionuese, duke arritur deri te një ndjeshmëri dhe një shprehje moderne. Poezitë e këtij libri, dëshmojnë poashtu se Din Mehmeti është poet i honeve të brendshme të shpirtit njerëzor, mbase edhe i atyre me tone dhe ngjyra të errëta, siç është frika nga fundi, nga ndjekja, nga vdekja.

Një numër bukur i madh i poezive të kësaj përmbledhje, sipas shënimeve që jep autori në fund të poezive, janë shkruar në spital, aty ku poeti luftonte mes të jetës dhe vdekjes.
(“Në një dhomë të spitalit/Unë vet i gjashti/Të bërë shportë nga injeksionet. I mbyllja sytë/Askund gjumi/Vetëm terri i uritur/Kafshonte diçka të shtrenjtë/Mbi mua … Gjakovë, Spital, Janar, 2009. Poezia “Herë në të djathtë, herë në të majtë”).

Stili “mehmetian”do të mbetet gjithmonë shenjë dalluese e poezisë se tij. Përgjatë gjithë krijimtarisë së tij poetike, dallohen katër shtyllat e këtij stili: Tradita, Ambienti dukagjinas, Lufta për çlirim dhe liri e popullit tonë dhe lufta ekzistenciale e individit të nënqiellit tonë. Ndonëse poezia e Mehmetit, në fillim kishte shenja tradicionale, gjatë rrugëtimit të vet ajo u modernizua.

Moderne tani është dinamizmi poetik i vargut, poashtu edhe figuracioni, kurse lirizmi poetik i tij është i ngrohtë, përjetues dhe domethënës. Kjo më së miri dallohet në këtë vepër të tij të fundit, ku lëviz forma e rrëfimit poetik, madje lëvizin edhe figurat, duke e shtrirë atë në një koncept modern të shprehjes poetike.

ObserverKult


Lexo edhe:

DIN MEHMETI: KËNDO OSE VDIS PA KLITHMË