“Poezi në Paper”, aktori Avni Dalipi çdo të premte na ofron çaste të këndshme poetike

"Poezi në Paper" Avni Dalipi ObserverKult

Aktori i njohur Avni Dalipi ka tash e ca kohë që në “Paper Radio” realizon një emision të veçantë që i kushtohet ekskluzivisht poezisë. Çdo të premte nga ora 23:00 dëgjuesit mund të shijojnë poezi të zgjedhura nga autorë shqiptarë por edhe të huaj të interpretuara nga Dalipi.
Se cila ishte nxitja për të realizuar një emision të tillë, cilat janë sfidat dhe çfarë mund të presim tutje në këtë emision, për ObserverKult, flet vet autori i emisionit z. Avni Dalipi.

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Jeni i njohur si autor i sprovuar në role të shumëta në teatër e film, por përveç kësaj tashmë jeni duke e realizuar emisionin “Poezi në Paper”, që transmetohet  në radio dhe që i kushtohet ekskluzivisht poezisë.  Prej nga ky motivim?

Poezinë  unë e shoh si art dhe poetët i konsideroj artistë. Pra, unë mendoj që poezia më tepër është art se sa letërsi. Për poezinë kam folur e interpretuar vazhdimisht, edhe në fillim të karrierës sime në shfaqje. Aty ku jepej hapësira, unë interpretoja ndonjë poezi. Me poezi flet shpirti. Motiv tjetër për mua është komunikimi me publikun, por edhe me vetveten përmes vargjeve sepse shumë gjëra që thuhen me poezi nuk mund t’i themi përmes formave të tjera të komunikimit. Në anën tjetër as nuk mund t’i shprehim aq saktë e qartë.

Zhvillimi i teknikës dhe i teknologjisë, ka mundësuar që edhe poezia të jetë më afër njerëzve, të jetë vazhdimisht në shoqërim të tyre, pavarësisht dinamikës së jetës, edhe kur udhëtojmë me makinë, edhe kur jemi në autobus apo në tren krahas leximit, shumë lehtë mund të dëgjojmë poezi.

Duke qenë se ky emision është i përjavshëm, cilat janë sfidat e realizimit të tij?

Përzgjedhja e poezive më merr kohë, sepse unë dua që publikut t’ia ofroj atë stil emisioni ku njerëzit relaksohen derisa e dëgjojnë dhe në të shumtën prej tyre besoj e gjejnë veten.  Sfidë është interpretimi – incizimi i poezive, sepse poezinë unë nuk e lexoj, por e përgatis paraprakisht. Pastaj nevojitet kohë për produksion, pastaj radhitja e poezive duke e ruajtur stilin e emisionit. Të gjitha këto i tejkaloj me vullnet kur kam afër vetes bashkëpunëtorët e “Paper Radio”, të cilët pa hezitim japin kreativitetin brenda këtyre krijimeve artistike.

Kur e keni nisur realizimin e këtij emisioni, cili ishte perceptimi juaj fillestar?

Unë që në fillim e kam pasur të qartë, që ky është emision për një publik me shije të stërholluar, pra emision për elitë, e jo komercial, nëse me komercialitet e kemi parasysh dëgjueshmërinë vetëm në radio dhe vetëm atë që shitet lirë, por unë e di dhe besoj që këto poezi mund të shndërrohen edhe në vepra komerciale në kuptim të mirë të fjalës, përmes platformave p.sh.  spotify, youtube etj.  Atë që e kam synuar unë dhe me hapësirën e mirëkuptimin e stafit të “Paper Radio”, kemi arritur që ta krijojmë një emision puro artistik i cili ka filluar të dëgjohet dhe pëlqehet nga publiku, prej të cilëve kemi marrë shumë reagime. Kemi arritur të bëjmë diçka më shumë se sa ajo që e patëm planifikuar të arrihet deri në këtë fazë. Ne sapo i kemi realizuar dhe transmetuar dhjetë emisione, pra jemi në fillim dhe kemi marrë shumë përkrahje e vlerësime pozitive.

 “Poezi në Paper” është emision i formatit të veçantë pasi që i dedikohet drejtpërdrejt poezisë, sa mendoni se i kushtohet rëndësi kësaj pjese të krijimit artistik, qoftë nga institucionet mediatike, qoftë nga shoqëria në përgjithësi?

“Poezia në Paper” është emision i veçantë edhe për nga forma edhe si koncept. Pra, hapësira e dedikuar për këtë emision nga “Paper Radio” është ekskluzive dhe vetëm e vetëm për poezi dhe muzikë ilustrative. Në fillim të emisionit paralajmërohen autorët e përzgjedhur për emisionin përkatës dhe pastaj s’ka më fjalë, por vetëm poezi.  Duke e pasur parasysh që te ne poezia përkrahet shumë pak nga institucionet dhe mediat, ndjehem shumë i privilegjuar që stafi i “Paper Radio” ka besuar dhe e ka përkrahur këtë projekt. Uroj që edhe mediat tjera, në radhë të parë ato publike të ofrojnë hapësirë për këtë lloj të krijimtarisë artistike. Poezia ka gjetur hapësirë në media të pavaruara, siç është edhe portali juaj “Observerkult”. Por poezia, në përgjithësi nuk e ka përkrahjen e duhur nga mediat.

Çfarë ju lidh juve me poezinë? A shkruani vet poezi?

Poezinë e dua, e shijoj dhe mendoj që e them mirë, por vet nuk shkruaj poezi, sepse të shkruash poezi është dhunti, e unë mendoj që nuk e kam atë dhunti.

Cilët janë poetët tuaj të preferuar shqiptarë por edhe të huaj?

Mua më pëlqen poezia e mirë pavarësisht se ku krijohet ajo dhe pavarësisht a janë të rinj apo poet me përvojë, a janë shqiptar apo të huaj. Për shembull unë e kam për zemër, Pablo Nerudën, pastaj Zhak Preverin, Rumin, Lorkën, Bodlerin, Ali Podrimjen, Agim Vincën, Dritëro Agollin, Visar Zhitinë, Mimoza Ahmetin, Donika Dabishevcin, Ag Apollonin, Ilire Zajmin, Agim Gashin, Arben Sadikin, Marta Rivera Garridon, Avni Halimin, Selajdin Shabanin, Shkëlzen Halimin etj. Kam shumë poetë që unë i preferoj, por që këtu nuk mund t’i përfshijë të gjithë kuptohet.

Duke qenë aktor për ju është e zakonshme prania në skenë, andaj arritja deri tek dëgjuesit e radios përmes poezisë a përbën për ju një përvojë përtej të zakonshmes?

Është përvojë krejtësisht ndryshe, në dukje intime, me sfida për ta ruajtur sa më qartë emocionin, por pa e dëmtuar shprehjen, pra elementet e diksionit janë shumë të rëndësishme. Edhe pse në studio jam vetëm, pas transmetimit të emisionit i shoh reagimet, i marr vlerësimet ose kritikat  dhe e ndiej shprehjen e emocionit që ma transmetojnë dëgjuesit, e kjo më jep vullnet dhe kurajo për të vazhduar. Është përvojë e jashtëzakonshme. Vlerën këtij emisioni ia shton shumë, dora e sigurt dhe veshi i mbrehtë i realizatorit Fitim Namani.

Nëse do të zgjidhnit në mes të poezisë së krijuar në të kaluarën dhe asaj e cila krijohet sot, kah do të anonit?

Anoj kah poezia e mirë, pavarësisht kur dhe ku është krijuar, dhe pavarësisht a janë poet të dëshmuar apo fillestarë.

A mendoni se ka të rinj të talentuar në poezi?

Mendoj se jam jokompetent për të vlerësuar talentët në poezi. Mund të flas vetëm nga aspekti i shijes, nisur nga kjo them që ka mjaft poetë të rinj që më pëlqejnë dhe që i lexoj me ëndje, disa nga ata i përmenda më lart.

Cili është plani juaj rreth emisionit “Poezi në Paper”, a mendoni ta ndryshoni formatin e tij, të fokusoheni edhe në gjini të tjera letrare apo do të qëndroni edhe mëtej tek poezia?

Sa i përket “Poezia në Paper” do të ngelet i fokusuar në poezi. Mund të ndodhë që të kemi mysafir në studio, poet, me të cilët do të bashkëbisedonim rreth krijimtarisë së tyre dhe do të interpretonim poezi të atij autori që do të jetë mysafir i atij emisioni.

Për fund uroj që edhe mediumet tjera të ndjekin shembullin  e ObserverKult-it  dhe Paper Radio-s, e t’i jepet hapësirë poezisë dhe promovimit të kësaj gjinie artistike. Ju falenderoj shumë për hapësirën që ma dhatë mua dhe e  promovuat  “Poezia në Paper”. Faleminderit!

ObserverKult

Kliko edhe:

“DO TË VDES I MBYTUR NË BORXHE…”, LEKA SEFLA LEXON XHEVAHIR SPAHIUN