
Majlindë Sinani-Lulaj …i njëjti gur, “Littera”, Prishtinë, 2025
Nga Merxhan Avdyli
E dëshmuar si poete e talentuar, që me librin e saj të parë poetik “Muranë fjalësh”(2021) Majlinda Sinani-Lulaj vjen tash e ridëshmuar si poete me librin e saj të dytë poetik “…i njëjti gur”, i cili ka një ndërlidhje të fortë, qoftë në kuptimin konceptual, qoftë në kuptimin metaforik e simbolik. Duke qenë lexues i vëmendshëm i poezisë së Majlindës mund të them pa hezitim se idetë e saj poetike kanë një koherencë dhe një kohezion të qëndrueshëm dhe si të tilla për asnjë çast nuk mbeten të parealizuara, si në aspektin letrar e artistik, ashtu edhe në aspektin figurativ dhe estetik.
Prandaj, se Majlinda Sinani Lulaj është poete tashmë e dëshmuar, nuk ka dilemë. Unë e kam vetëm një dilemë: a është Majlinda poete “arkaike” apo poete “moderne”. Përndryshe as njëra e as tjetra nuk e bëjnë më pak ose më shumë poete. Këtë nuk e them për shkak të gjuhës së poezisë së asaj, jo, madje në asnjë mënyrë për shkak të gjuhës në kuptimin stilistik dhe figurativ, sepse gjuha e saj poetike është e përsosur, por për shkak të gjuhës së saj të shkrimit praktik, përkatësisht “gegnizimit” të tekstit poetik. Dhe, në këtë plan ajo është edhe “arkaike” edhe “moderne”.
Por, të kthehemi te libri poetik i Majlindës “…i njëjti gur”, i cili në njëfarë mënyre duket të jetë një udhëtim i brendshëm, një rrëfim i një shpirti që kërkon të kuptojë kohën, veten dhe botën që e rrethon (poezia “N’korridore kohe”). Nëpërmjet vargut poetik të Majlindës duket sikur ecim labirinteve të kujtesës, të shfaqjes së mendime dhe të ndjesive, e më përtej duke na bërë dëshmitarë të një procesi të thellë introspektimi, ku fjala poetike duket sikur shndërrohet në vendqëndrim ku ndjehesh i pushuar, i qetësuar dhe i dritësuar.
Libri i Majlindës, ndonëse me vlera të tejdukshme e të pastra letrare, artistike dhe estetike vjen, pos të tjerash, edhe për të sipërfaqësuar të vërteta, jo vetëm poetike, që shpesh rrinë të heshtura brenda nesh. Që në vargjet e para, lexuesit i del përballë një poezi, me vargje të cilat dalin nga shpirti, nga zemra dhe nuk ka frikë të prekë plagët dhe fatthënat e jetës (poezia “Jetë si përrallë”). Autorja, ndonëse e shpërfaq ajo nuk e zbukuron dhimbjen, as nuk e fsheh mallin, por i jep formë dhe fjalë, sikurse në rastin kur shprehet:
endem
e s’di a jam trup
a ndoshta veç erë
që rrëmoj me e gjetë
nji unë prej meje
t’humbun kaherë
Janë këto vargje, të cilat mund të kuptohen si shprehje të fatumit të njeriut modern, të lodhur nga kohët dhe të etur për t’u rikthyer tek vetvetja.
Temat që shpalosen në librin poetik “… i njëjti gur” janë të thella dhe universale. Ato përfshijnë kohën që rrjedh pa na pyetur fare, kujtesën që mundohet të ruajë atë që nuk duhet harruar, mallin që peshon mbi shpirt dhe kërkimin e vazhdueshëm të identitetit të rrezikuar nga humbja. Koha te kjo poezi nuk është vetëm matje e ditëve; ajo është edhe peshë, edhe barrë, edhe plagë dhe në të njëjtën kohë është një mundësi “poetike” për t’u rilindur. Në një pjesë të madhe të vargjeve autorja e rikthen kohën në një hapësirë të dukshme, të identifikueshme, të gjallë, ku njeriu endet, humb dhe e rigjen veten, si te poezia “Portret” apo te poezia “N’korridore kohe”.
Në këtë dimension shpirtëror, poezia e Majlinda Sinani-Lulajt është mjaft e guximshme: ajo merret me çështje të mëdha ekzistenciale, duke u marrë edhe me dramën e brendshme, jo vetëm individuale (poezia “Kur përfundon flaka e kësaj nate” apo poezia “I njëjti gur”). Prandaj, më shumë se një rrëfim i thjeshtë poetik personal, ky libër shndërrohet në një zë përfaqësues për të gjithë njerëzit, sidomos për ata që e kanë ndier humbjen, vetminë, mallin dhe nevojën për të mos u dorëzuar kurrë.
Të kthehemi pak te gjuha e poezisë, e cila është një nga dimensionet e fuqishme të librit. Autorja, pavarësisht pajtimit apo mospajtimit tonë, ka zgjedhur dialektin gegë, ndoshta jo për shkak të nostalgjinë, si dialekt i origjinës, i fëmijërisë, por si mjet të natyrshëm për të thënë të vërtetat më intime. Prandaj, nganjëherë të duket se gegërishtja këtu nuk është thjesht vetëm dialekt, por është një gjuhë poetike e ngrohtë, e gjallë, me fjalë që autorja konsideron se tingëllojnë bukur, duke i dhënë vargut një muzikalitet të ndjeshëm dhe një thjeshtësi origjinale. Dhe, për më shumë, bukuria e këtij libri është edhe vetë titulli tepër goditës “… njëjti gur”, një titull ky “jogegë”.
Ndërkaq, në aspektin e ndërtimit figurativ të vargut, mund të themi se sidomos metaforat e shtrira përgjatë vargjeve të librit janë shumë të pasura dhe tepër të ndjeshme: “malli si zhubra këmishe që i shton brazdat në ballë”, “korridore kohe ku endet shpirti”, “vogëlsia e qenësisë që ngujon në terr”. Po kështu duhet theksuar se vargu i Majlindës nuk përbëhet nga ndonjë skemë klasike e rimës, e cila aty del rrjedhshëm; por vargu i saj, duke qenë i lirë, është i rrjedhshëm, ritmik dhe i ndjeshëm.
Sidoqoftë vëllimi poetik “…I njëjtë gur”, nuk është një libër që duhet të lexohet thjesht dhe shpejt. Ai kërkon durim për t’u lexuar, kulturë leximi për t’u kuptuar, lexim kritik për t’u përjetuar dhe aftësi për të hyrë në një botë ku idetë, mendimet dhe fjalët janë të mbushura me jetë dhe ndjeshmëri ndaj përjetimeve. Është një libër poetik që ta plotëson dhe ta përmbush shijen letrare dhe estetike. Lexuesit të thjeshtë dhe të vëmendshëm i krijohet përshtypja se ai vetë është brenda frymës së këtyre vargjeve. Kemi këtu një lidhje kauzale të lexuesit me poezinë.
Edhe sa i përket gjuhës, përkatësisht fjalës shqipe libri poetik i Majlindës “.. i njëjti gur”, në njëfarë mënyre është edhe një gur i rëndësishëm dhe i çmuar i vendosur në themelet e krijimtarisë së saj poetike dhe një kontribut i çmuar në panteonin e poezisë bashkëkohore shqipe.
Libri “…I njëjtë gur”, pos të tjerash paraqet edhe një udhëtim poetik në brendinë njerëzore, një rrëfim për kohën, hapësirën dhe kujtesën, për dhimbjen dhe shpresën.
Me këtë libër, Majlindë Sinani-Lulaj dëshmon se poezia vazhdon të mbeten dhoma ku mundet vetmia dhe ku njeriu arrin të gjej forcën për t’u përballur me sfidat e jetës, se poezia është një hapësirë ku ideja, përmes fjalës figurative, shndërrohet jo vetëm në gur për t’u mbështetur, por edhe në dritë për të mos humbur rrugën.
Dhe në fund, ta urojmë autoren që libri i saj “…i njëjti gur” i vendosur në panteonin e poezisë sonë të bëhet pjesë e një udhe të gjatë krijuese për të, me lexues të kultivuar dhe me vlerësim të merituar.
ObserverKult
Lexo edhe:






