(Dy –tri fjalë rreth vëllimit poetik me titull “Muzeu i pritjes” të autorit Shkëlzen Halimi, botim i Shtëpisë botuese nga Tirana, “Naimi”,që doli ditë më parë)
Nga Naim Zoto
“Po ua dërgoj këtë vëllim poetik, me shpresë se do t’Ju pëlqejë. Ju do të jeni lexuesi i parë i këtij dorëshkrimi. Por, edhe nëse vlerësoni se nuk mund të botohet si libër, nuk prish punë; ne mbetemi miq dhe, në rastin e parë që do të vij në Tiranë, do t’Ju kërkoj për të pirë kafe dhe për të shkëmbyer mendime rreth librit, rreth letërsisë, por edhe rreth problemeve të shumta, të cilat tangojnë kulturën tonë në përgjithësi”. Nuk e di pse ky tekst hyrës i autorit që unë, për fat të keq, nuk e njihja më parë, në jo më shumë se dy fjali, madje, jo fjalitë e plota, por pjesëza të saj, si: “me shpresë se”, “por edhe nëse nuk mund ta botoni”, “në rastin më të parë do vij”; por, sidomos, adresimi në numrin shumës “po ua dërgoj”, “do t’Ju” (me nistore kapitale), “Ju do të jeni”, “nëse vlerësoni”, “mbetemi miq”, pra, vetëm këto togfjalësha që përcillnin librin me poezi, më bënë një përshtypje të veçantë. Dukej qartë që autori i tyre nuk ishte një shkrues i rëndomtë. Për herë të parë, pas afro 40 vjetësh si redaktor për gjuhën shqipe, nuk po e identifikoja dot “me të parën”, bazuar në “stilin” e të shkruarit, nga cili katund apo bajrak i viseve tona vinte autori i tekstit. E vetmja shenjë disi dekonspiruese që më sinjalizonte se autori gjendej përtej “Shqipërisë londineze” (siç po i thonë) ishte fjala “tangoj”, të cilën nuk e ndaj dot nëse buron nga “tagent”, “tag/tagoj” apo “tango”.
Por, më tej, nga leximi i vetë poezive, u binda shpejt që Shkëlzen Halimi është poet aq i kultivuar sa që nuk ka nevojë për shenja të jashtme apo dëshmi ekstraletrare për t’u vet-identifikuar apo imponuar si i tillë lexuesit. Përkundër bejtexhinjve analfabetë të rrjeteve sociale, “poetëve” të tallavave patriotike apo xhamadanit e tirqeve vija-vija, i atyre që bërtasin dhe luftojnë me shpata në shekullin e internetit, po gjeja një poet që shkruante për botën e brendshme (atë prej vërteti) të njeriut. (Sepse, ndoshta, mund të jemi kombi me më shumë “poetë luftëtarë” se sa numri i luftëtarëve vetë). Aq krejt ndryshe m’u duk teksti hyrës i letrës dhe vetë poezia e Shkëlzen Halimit, një poezi që lind së brendshmi dhe përcillet te lexuesi po aq butë dhe me delikatesë, saqë m’u krijua ideja se edhe shenjat e pikësimit në poezinë e vet autori i lë në dëshirë të lexuesit për t’i vendosur jo thjesht për arsye stilistike, por edhe etike, pra, për mirësjellje! Aq fisnik dhe qytetar m’u duk edhe në poezi sa thashë me vete: Ky poet ta gëzojë emrin, por vetëm “mal” nuk ka në shpirtin dhe poezinë e tij.
* (Autori është drejtues i Shtëpisë botuese “Naimi”)