Poezi që mbërthejnë aktualitetin e zvetënuar dhe harresën e një kombi…

kam me ardhë si deka mërgim
Mërgim Bekteshi

Ngarendin poetët si Lulzim Tafa

Një studiuesi të së drejtës mbërthyer pas letërsisë, poezisë bashkëkohore, nuk do mend se mund t’i paragjykohet krijimtaria. Çfarë mund ta nxisë një jurist drejt artit të lashtë, vargjeve? Por, në analet historike, shumë studiues të së drejtës kanë dëshmuar se krijimtaria e tyre letrare ka prodhuar veprat më të bukura që ngarendin edhe në ditët e sotme.

Nga Mërgim Bekteshi

Në vitin 2019, shtëpia botuese “Armagedoni”, nga tre libra të poetit Lulzim Tafa përzgjodhi poezi dhe i bëri bashkë në një libër të vetëm, me titullin ‘‘Të dielave mos më thirr’’ . Botuesi ka thënë se ka bërë ndër përzgjedhjet më të mira duke lënë mundësinë e korrigjimeve, por, megjithatë, mendoj se është një përzgjedhje e qëlluar. Vargjet e Tafës kanë një kusht për t’u lexuar, ato zbresin në fushat e rrafshëta, në kthina të paekspozuara, në bjeshkët e thepisura dhe në mjedise shoqërore të shpërfaqura pa as një fije turpi.

Kur zemërohen zotat
Lindin poetët

Poezia e tij apostrofon personifikime të ndryshme, tendenca që shtyejnë mendjen e njeriut për të gjykuar një rrjedhë normale të shoqërisë, bastardimet duke rrëshqitur në emër të patriotizmit drejt grykësisë, pangopësinë e neveritshme, shndërrimin e patriotëve në kusarë. Në parathënien e librit, Berat Dakaj (Armagadeoni) në përgjithësi shfleton procesin dinamik të Tafës drejt reflektimit të poezisë së tij në fushën e temave të pazgjidhura ‘’Shtini n’dhe këto fjalë’’ në pjesën e mesme të librit apo brumin e librit. Vetë titulli personifikon fshehtësinë kohore, e dëgjova unë këtë fjalë mos ta dëgjojë i treti, në krahasim me pjesën e parë ‘’I kam edhe dy fjalë’’ si para mbylljes së epitafit apo ndonjë fjalimi sa monoton aq i neveritshëm, në ndonjë akademi përkujtimi apo konference shkencore. Në pjesën e tretë ‘’Flirt’’ mund të tradhtohemi nga titulli, sepse trumbetimi i saj më pak bie mbi dashuriçkat, apo dashuriçka bie mbi degëzimet e skrupullta të rrjedhave shoqërore, herë pas here me ndonjë emër të përveçëm të dashurisë.

Të dielave mos më thirr më
Mund të mos zgjohem

Zanafilla e pjesës së parë të librit nis me titullin e librit, poeti i lodhur dhe i ngarkuar bën thirrje për një të diel të lirë, një ditë pushimi, ai mund të mos zgjohet nga plagët e gjashtë ditëve të javës.  Por, kuptimi i alegorisë zbret edhe në temat e tjera, për territore të lira që pandehma e juristit i lidh me shtetin si kategori historike dhe tiparet e të bërit të shtetit me elementet esenciale: territori, popullsia dhe kufiri. Thirrjet e tjera janë edhe për luftëtarët, për gjendjen e rëndë të tyre:

A kanë bukë
Për sonte more
Barot për nesër (1998)

Në këtë zallamahi është edhe përqeshja e heronjve të fabrikuar, të cilët u ngritën nga muskujt dhe shpirtrat e heronjve të vërtetë, në poezitë ‘‘Parodi e zezë’’ dhe ‘‘Kryetrimi’’. Intrigat për të treguar kryelartësinë duke zhvatur dhe abuzuar e aq më shumë kur vlerat e larta bashkëdyzohen me kurvëri, duke mos mbetur as edhe një dromcë që të këndohet në telin e lahutës apo çiftelisë. 

Heroin e kishin rrethuar
Nga të gjitha anët
E ai i ngujuar
Me një rrospi

Mesi i librit reflekton mjedisin shoqëror, dëshirën e kamotshme të lirisë, gjykimet racionale në funksion të paraqitjes së gjendjes aktuale p.sh., poezia Eksporti:

Ne nuk prodhojmë asgjë
për ju

E vërteta shoqërore që meriton qortim, kjo ndjenjë nuk është përgjigje e trilluar, është aktualitet i ditëve të sotme të mungesës së kuadrove profesionale, demotivimi për të dashur atdheun e plandosur nga lufta, vrasjet që i bëri armikut, abuzimi me pushtetin, por krejt në fund të vargut eksporti dhe shitja që mund të bëjmë është patriotizmi dhe thotë:

Por ju  
as këto
nuk i blini dot
Ndoshta për shkak
të cilësisë së dobët

Semantika e Tafës ka një përfshirje tjetër në pjesën e tretë të librit, pjesën ‘’Flirt’’. Erotizmi në disa poezi është temjan më ndryshe se sa i hasim në disa poezi bashkëkohore, filtri rrezaton porosi më të koduara, si te Autofellato:

Mjafton çfarë më dhanë
Zoti dhe kurvat

Në këtë pikë percepton makthet e Bukovskit, fituar gjatë jetës, i pari i dhuroi muzën poetike, ndërsa kurvat epshet e tij përtej vetëdijes. Në poezinë tjetër, Svetllana  dhe lufta, vargu poetik ka një imazh më ndryshe:

Burrat rrejnë
Kur flasin për luftë
Dhe për seks

Për të parën simbolizohet një personazh i dalë fare që çmend edhe luftëtarët dhe luftëtarët që flasin për beteja të pabëra, trillime dhe që prehen krejt në fund në bordelet dhe hanet e vjetra plot prostitucion, ndërsa luftëtarët e denjë rrëfimet për luftën dhe betejat i mbajnë vetëm në kujtimet e veta.

Në këtë proces të zgjedhjeve të poezive, alegoria e poetit është e thellë, periskopi duhet të kërkojë detaje, sikur në vendin e krimit ku gjurmohet çdo detaj, sado që duket i parëndësishëm në pjesën e  parë të hetimit. Pra, kontributi i juristit Lulzim Tafa përmes vargut është domethënës dhe përmbajtjesor, rrëfen për tema që prekin jetën sociale, ai nuk hamendësohet për projektet sublime, por mbërthen aktualitetin e zvetënuar dhe harresën e një kombi.

ObserverKult