Poezia e Camajt shket mes akullit dhe zjarrit duke kërkuar që të rrokim dashurinë, trishtimin…

martin camaj
Martin Camaj

Nga Agim Baçi


(Shënime për përmbledhjen “Vepra poetike” e Martin Camajt)

Poezia e Martin Camajt shket mes akullit dhe zjarrit duke kërkuar që të rrokim dashurinë, dridhjen, trishtimin dhe këngën njëkohësisht. Eshtë zë prej kohës që kurrë s’ndalet e që e merr njeriun përdore duke e shëtitur në viset e admirueshëm të së bukurës dhe mallit.
E gjithë poezia e tij është një udhëtim drejt njeriut dhe vendlindjes. Të gjitha stacionet e tjera të përkohësisë janë thjesht për të mbushur atë tren të duhur, që bart shumëçka për të patur së fundmi një grafikë të gjithë shfaqjes së tij letrare, ku ezkistojnë gjithë ngjyrat e duhura për ta pikturuar fytyrën e njeriut që dëshirojmë të njohim.

Nuk mundesh ta kuptosh Camajn përmes krahasimit, edhe pse thuajse i gjen aty gjithë zërat e mëparshëm të poezisë shqipe apo bashkëkohësve të tij botërorë. Ai është zëri origjinal pa prishur dhe pa mbytur meloditë e mëparshme poetike. Duket si një sfidë me gjithçka, por varg pas vargu kupton se është veç dashuri për gjithçka. Gjuha e tij bart gjithë shpirtin e gegnishtes, të cilën e sjell si një violinë, me telat e gjithë dashurisë së mundshme. Si gurgdhendës Camaj ndërton kullën e tij të fjalëve – një kullë ku shtretërit janë me fjalë zemre dhe mall prej mëmëdheut.


Poeti të lë të kuptosh se e di shumë mirë se cilët emra e fytyra mbeten përherë për ta udhëzuar njeriun, ndaj dhe vjen e vesh kostumin e rojtarit të fjalës, të fytryrës së përhershme të njeriut që ka nevojë për të skalitur gjithçka që deshi. Jo si mungesë. Jo si protestë. Por si dashuri për atë që mundi dhe për atë që deshi ta kishte gjithnjë pranë vetes.

ROJTARI I MUZEUT NACIONAL
Ndër bebza ka gdhendun fytyra
Guri rilindësish
Varg mbi lëpiza si mbas kohe.
Në rrugë i digjen në tru
Fytyrat çdo mbrëmje
Me rrezet e sprapsme
Ndër qelqe dritaresh.
S’dallon as faqen e malit përballë
E ec tue prekë me shkop.
A thue i verbët? (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.321)

Martin Camaj noton lirshëm në lumin e mendimit të tij për botën, femrën, tjetrin, mungesën dhe praninë. E fut veten në hullinë e atyre që e rrok njeriun që nga udha më e hershme, e ia hap shtegun edhe për të nesëmren. E ndërkaq, për të kuptuar gruan me gjithë dëshirat dhe ëndrrat e saj, zgjedh Dranen. Më prozat poetike nis të udhëtojë në kohë dhe hapësirë, të ketë ligjet e dheut nga ky mësoi gjuhën e nanës e gjer në udhëtimin për të cilën ka nevojë njeriu – në udhëtimin për t’u njohur me veten dhe botën. Vargjet apo proza poetike e Camajt vjen përmes një ledhatimi fjalësh, a thua se gjithçka e bukur është bërë për gjuhën dhe mendjen e tij.

NJI SHPIRT
Gjithmon’ heshton e veç kur t’pyesin flet.
Bota shqimin kur ndër sy ta ngul
E me i kallxue shpirtin e mshefun pret
Ti ballin ul.
Ballin e ul, jeton n’vedi si vjollca
E mshefun n’çuba, ku njeri s’kalon.
Por prujtunija t’del në gjak ndër mollza
E shpirtin t’zblon:
Nji bot’ t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,
Ku andrra bredhin si re t’bardha n’qiell,
Ku vllajt e luleve presin n’vetmi
Me i nxe nji diell. (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.625)

Vepra Poetike, MARTIN CAMAJ

ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: MENDIMET JANË HIJET E NDJENJAVE TONA