reklamë

Poezia e Fatmir Musait: Vazhdim i një tradite letrare

Fatmir Musai

Nga Myrvete & Begzad Baliu

Duke përmbyllur trajtesën për një vëllim të shkrimtarit Fatmir Musai, Profesori i letërsisë bashkëkohore, studiuesi e kritiku Agim Vinca, theksonte me të drejtë një detyrë të kritikës që vlerat letrare “t’i zbulojë dhe afirmojë ato kudo që janë”.

Me të drejtë! Kritika e sotme është stërngarkuar me gjykime për kritikën e deridjeshme: për kritikën e letërsisë së realizmit socialist, për kritikën përjashtuese e për kritikën ideologjike. Po kritika e nesërme çfarë do të thotë për kritikën paskomuniste, për kritikën mënjanuese të shkrimtarëve, të cilët nuk jetojnë a nuk punojnë në Tiranë e në Prishtinë, për shkrimtarët që punojnë, shkruajnë e botojnë në Shkodër, në Elbasan, në Tetovë, në Gjirokastër, e madje në disa qytete krejt të skajshme të hapësirës etnike. Çka do të thonë për shkrimtarët dhe përkthyesit e qyteteve, të cilat nuk i njeh as harta e parashikimit të motit në televizionet tona, si Tuzi e Rahoveci, ku punojnë e jetojnë shkrimtarë me njohje kombëtare e përkthyes të Xhems Xhojsit, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes etj.

Për shkak se jetojnë larg Tiranës e Prishtinës dhe institucioneve politike, akademike, universitare e kulturore dhe sidomos për shkak se nuk pinë kafen e mëngjesit në po ato kafene ku pinë kafen bardët e politikës, kulturës e letërsisë sonë, shkrimtarë, përkthyes e intelektualë të pranuar e të vlerësuar gjerësisht, nuk arrijnë të bëhen objekt trajtimi në temat e diplomave, të masterit e të doktoratës, të hyjnë në tekstet shkollore me krijimtarinë e tyre, të bëhen objekt i kumtesave në konferencat shkencore, ndërkohë që të tjerë dhe idhuj të tyre, bëhen objekt studimi e madje konferencash e tryezash shkencore edhe me një ide fare modeste të tyre në fushë të letrave.

Në këtë hapësirën tonë me njohje e komunikim global jetojnë disa shkrimtarë shqiptarë në kryeqendrat tona e në skajet e tyre, në kryeqendrat e Europës e Amerikës dhe në skajet e saj, ndërsa njëri prej tyre është shkrimtari, eseisti e publicisti veprën e të cilit do ta paraqesim këtu.

Fatmir Musai (Elbasan, 1955), shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Elbasan, ndërsa Fakultetin e Filologjisë në Tiranë. Në Elbasan punoi për më shumë se një dekadë, fillimisht mësues në rrethin e Librazhdit, pastaj gazetar dhe drejtor kulture në Elbasan. Shkruan poezi, prozë dhe ese. Fatmir Musai është autor i më shumë se njëzet veprave të botuara nga viti 1977, kur botoi vëllimin me poezi Thirrja e jetës, deri te vëllimet e botuara në vitet 2024 e 2025, të cilat i kemi bërë objekt leximi e vlerësimi: Poetikë yjesh, Ditë pas dite, E di një shteg, Njeriu i pamundur, Barbiky dhe Anonimi i artë.

Duke e lexuar poezinë e vëllimeve të fundit të Fatmir Musait nuk është vështirë të shihet një standard i krijuar në poezinë e tij, në raport me trashëgiminë e poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, kur ai hyri në poezinë shqipe. Në të vërtetë, poezia e tij me motivet, me idetë, me konceptet filozofike për jetën dhe vdekjen, me botën komplekse të individit e veçanërisht krijuesit, është një vazhdimësi e asaj tradite që e kanë krijuar shkrimtarët më të mirë të kësaj periudhe: Esat Mekuli, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Fatos Arapi, Rrahman Dedaj, Rexhep Elmazi, Agim Vinca, Xhevahir Spahiu, Anton Papleka etj.

Poezia e tij e botuar brenda vëllimeve Ditë pas dite, E di një shteg, Njeriu i pamundur dhe Anonimi i artë sjell një univers të vlerave të trashëguara, prandaj ndonjëherë edhe të rimotivuara e të ridimensionuara, sikur ndodh me krijimin e katrenave dy (vargje të poezisë së Kadaresë apo Agollit) plus dy (vargje të tij), një formë krijimi ky i rrallë, të cilën e kemi ndeshur veçmas rrallë kryesisht me vargje popullore, që sjell jo vetëm kureshtje leximi po edhe frymë ridimensionimi artistik, formë konceptualizimi semantik dhe si përbërës perceptimi kohor të poezisë.

Rrafshin e parë të poezisë së tij, të këtyre vëllimeve, e përbën tradita, përkatësisht kënga popullore. Një nga veprat e tij madje Anonimi i artë, me nëntitullin (Poezi rrënjë) hapet me një tekst për pikëpamjet e Ismail Kadaresë për poezinë popullore “më shumë se art”, ndërsa pjesa më e madhe e poezive të këtij vëllimi janë shkruar në stilin dhe vargun popullor, dhe janë me motive popullore, me personazhe historike e mitike popullore, me vargje të strukturës ritmike popullore etj., disa prej tyre madje fillojnë me dy a tri vargje popullore, ndërsa në njërën prej poezive të tij ai i këndon madje pikërisht poezisë popullore. Në numrin më të madh të poezive ai ka sjellë motive, tema, vende e krahina etnografike, këngëtarë e luftëtarë, kulla e tradita popullore për leshverdhat, djepin e këngës, gjeneralët e këngës, artin popullor, Nasradin Hoxhën, dasmën arbërore, këngën e Dudisë, duvakun, baladën e kurbetit, kreshnikun e fundit, vdekjen e çobanit, kullën malësore, Ali Pashë Tepelenën e këngës popullore, gërshetëzën, vetë këngën, legjendën e murimit, kurbetin, pleqërishten, syrin e keq, baladën e Vitës, Besim Zekthin, shtojzovallen etj.

Megjithëse tema të shkruara mbi temën dhe me stilin popullor shumë prej tyre sjellin kujtesën për drama të mëdha familjare në jetën kombëtare, tragjedi të papërsëritshme individuale dhe referenca universale me përmbajtje semantikisht të pasura për krijimtarinë artistike.   

Megjithëse vëllimi me poezi quhet Anonimi i artë, që të kujton nocionin shkencor për poezinë popullore si fond i artë i trashëgimisë, kjo vepër më parë do të mund që quhej këngë për këngën, duke marrë para sysh që pjesa më e madhe e poezive janë shkruar në stilin popullor të këngëve të anonimit popullor.         

Rrafshin e dytë të poezive të tij e shfaqin tekstet poetike të vëllimeve E di një shteg dhe Ditë pas dite,në të cilat bashkohen motivet popullore, përsiatjet ditore, ndjenjat individuale shpirtërore, ndërsa poezia kur e kur merr strukturë të fabulës. Në katër vargjet e para të kësaj poezie bëhet përshkrimi tematik, ndërsa në dy vargjet e fundit jepet përgjigjja.

Në vëllimin e parë, motivet janë më të shumta, ditore, rastësore, madje të përditësuara, ndërsa në vëllimin e dytë poezitë janë më të kërkuara dhe më të strukturuara. Në të parën është botuar poezia katrenë dhe madje vepra është hapur me një himn për katrenën, ndërsa në vëllimin e dytë është botuar poezia fabul. Karakteristikë e përbashkët ndërkaq janë fjalët orientale, rurale e urbane të Elbasanit me rrethinë (hakaret, ingliz, vegjetonarë/vegjetarianë, grah, djalë levend, gram, telisman, pocaqi, karakafte, keçe, kulloshtër, ogiç, asllan, xherah etj.,) dhe madje bashkëkohore (akces etj.), rreth të cilave jo njëherë është krijuar struktura e poezisë dhe rimës apo është ndërtuar motivi. Nuk është e rastit pse në fund të shumë poezive është krijuar një fjalorth i vogël i një a më shumë fjalëve të panjohura me shpjegime të shkurtra.

Karakteristikë e vëllimeve E di një shteg…dhe Ditë pas dite, janë numri i madh i poezive të përfshira brenda tyre, jo shumë të zakonshme në letrat tona. Në vëllimin E di një shteg… janë përfshirë rreth pesëqind poezi pa asnjë ndarje, si një tërësi dhe si një sistem motivor e kompelementar, ndërsa në vëllimin Ditë pas dite, po kaq poezi por të sistemuara në pesë cikle: Shpirti i burgosur, Rënie e bukur, Jaranishte, Shata dhe lopata, si dhe cikli i fundit Jarania poezi.

Në këtë vëllim dominon poezia e dashurisë, para se gjithash për vlerat estetike, si kjo me titull Po iki…!:

Ti më thua se tani që po iki
Unë ty po të lë!?…
Po iki se të dhashë çka kisha,
Tani s’kam ç’të jap më (131)

Vepra poetike Njeriu i pamundur (2025) është njëra nga veprat më të realizuara të poetit, prozatorit, eseistit e publicistit Fatmir Musai. Këtë vepër e përbëjnë ciklet e poezive Shtëpi e vjetër, Kaleidoskop, Një natë e vonë dhe Heremitja dashuri. Poezitë e këtij vëllimi janë të realizuara për motivet që sjellin, për strukturën poetike të tekstit, për gjuhën dhe stilin e përdorimit të saj, pra, për pasurinë tematike dhe për strukturën semantike.

Në ciklin e parë janë përfshirë tema nga jeta sociale me motive përditshmërie, sikur janë ato për ditëlindjen, familjarët, trashëgiminë, mallin, ëndrrat, prindërit, enët e shtëpisë, gjuhën, kosovaren etj. Poezitë e këtij cikli shquhen për natyrën e pasur të ndërtimit të tërësisë së poezisë, si gjuhë, si shumëkuptimësi, si varg, si strofë dhe si poezi.

Cikli i dytë i këtij vëllimi shquhet për poezinë me tema sedentare, historike dhe përkushtuese, pa ndonjë dallim të madh nga cikli i parë, por mbase më shumë për praninë e ironisë mes temash, vargjesh e rikonceptualizim fjalësh. Bien në sy poezia e rindërtuar dhe madje ridimensionuar mbi poezinë e Dritëro Agollit, Prit edhe pak.

Kam lënë ca punë të pambaruara
Që nuk i bëj dot përmatan’,
Mënjanë ca vargje të shkëndijuara…
Ndaj të them: Prit dhe pak! (85)

Cikli i tretë është parimisht Cikël i dashurisë në të cilin nuk mungojnë poezitë e dashurisë në kuptimin erotik të ndjenjave të netëve të vona, por dominojnë poezitë e dashurisë njerëzore dhe universale. Fjala është për poezitë dhe për tema të mëdha etike e estetike të kësaj bote: yjet, bukurinë, dashurinë, Shën Valentinin, zhgënjimin, shpirtin, hirin, mallin, krenarinë, mitin, gjuhën etj. Po kaq miqësi e dashuri ka edhe tek disa kategori estetike e etike të personifikuara me autoritete të rëndësishme, të caktuara dhe madje të identifikuara me çështjet: Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Valter Memishajn etj. Në rastin e parë (Kadarenë), duke rindërtuar/përmbysur temën me po ato vargje dhe rimarium; në rastin e dytë duke parë Agollin dhe Kadarenë në kontekstin e diskutimeve ditore; dhe në rastin e tretë (Memishajn) duke rindërtuar kultin e studiuesit mbi kultin e heroit në poezinë e Fan Nolit.

Cikli i fundit quhet Heremitja dashuri. Në të vërtetë shqipja e ka Eremitja dashuri, ndërsa autori me gjasë këtë fjalë greke erēmitēs e ka marrë nga anglishtja ose frëngjishtja hermit. Fjala është për një cikël poezish me temë dashurie, shtrirë në një dimension të gjerë temash dashurie dhe të realizuara me sukses, duke filluar nga poezia Pa ty, deri te poezia Katarakt. Ndryshe nga cikli Kjo natë e vonë në të cilin autori ju referohet autorëve dhe temave pak a shumë të njohura, cikli Heremitja dashuri e bën autorin më personal, me zgjedhje më personale dhe me realizime të një përmase tashmë të sprovuar në krijimtarinë e tij më të mirë.          

“Fatmir Musai, shkruan Profesor Agim Vinca,  i takon kategorisë së poetëve që shkruajnë me varg të matur e të rimuar dhe sipas sistemit strofik. Varg i tij i preferuar është tetërrokëshi, strofa më e shpeshtë katrena, kurse në rimariumin e tij të pasur mbizotërojnë rima e puthme dhe rima e alternuar. Kjo e dhënë nuk ka a priori rëndësi për poezinë: i rëndësishëm është fakti që autori e zotëron mirë këtë mënyrë vjershërimi; e ka veçori të individualitetit të vet poetik”.

Ai në poezinë e tij përdor dyvargëshin, sigurisht jo në nivel të vargut konceptualizues të Azem Shkrelit e Rrahman Dedajt, por të pasur e rimues, si dhe semantikisht reflektues sa edhe ai i Dritëro Agollit. Ai përdor trevargëshin në haikun e tij, jo sipas strukturës së trevargëshit të bashkëkohësve të tij, po duke u mbështetur në parimet që i kërkon haiku. Ai shkruan edhe katrenën, në të vërtetë në të shumtën e rasteve ai ka përdorë katrenën brenda sistemit rimariues që e njeh poezia jonë bashkëkohore dhe brezi që i takon.

“Fatmir Musain do të mund ta quanim një Ali Asllan elbasanas, por humori i tij, me gjithë një tis të hollë oriental, ka ngjyrën e kohës sonë, erës së globalizmit. (Nëse poezia shqipe e viteve gjashtëdhjetë e shekullit XX, e Kadaresë me shokë, fuste furishëm në fjalorin poetik fjalët asfalt, antenë dhe ekran, fjalë me frekuencë të madhe në tekstet e sotme poetike janë fjalët: internet, feisbuk dhe celular)”, do të thoshte Profesor Agim Vinca. Poezia e Musait është më urbane dhe më familjare në krahasim me Dritëro Agollin, i cili në poezinë e tij ka më shumë pamje rurale dhe personazhet e tij dominohen nga kafshët.

Përfundime

Shkrimtari Fatmir Musai i takon brezit të autorëve tashmë të pjekur të poezisë shqipe të gjysmëshekullit të fundit. Megjithëse poezitë e tij ka filluar t’i botojë që në vitet ’70, pjesën më të madhe të veprave të tij poetike i ka botuar tri dekadat e fundit.

Megjithëse me motivet, me temat, me strukturën e vargut, i takon brezit të parë të krijuesve të viteve shtatëdhjetë, që i takon edhe me jetën dhe moshën e tij, në poetikën e poezisë së tij ato janë zgjeruar në shumë rrafshe dhe në shumë dimensione, duke filluar me gjuhën dhe ridimensionimin e fjalës e të motiveve tashmë të njohura në poezinë shqipe.

Në krijimtarinë e tij, në botën e kërkimeve të tij poetike, shkrimtari Fatmir Musai e ka shkruar edhe poezinë me motive nga bota kozmike, me të cilën poetikën e poezisë shqipe e ka pasuruar jo vetëm me fjalë po edhe me togfjalësha e kërkime planetare të botës së tij shpirtërore e imagjinare.

Fatmir Musai ka shkruar edhe poezinë humoristike e satirën, po edhe haikun, të cilën brezi i tij, as në Shqipëri e Kosovë as në diasporë, nuk e ka lëruar. Nëse për poezinë humoristike-satirike të tij mund të themi që është satirë që nuk ther por dhemb, për haikun mund të themi më parë se sa haiku i provuar nga disa shkrimtarë të dekadave të fundit, i afrohet gjëgjegjëzës, të cilën shkrimtari Fatmir Musai e provon paraprakisht në disa poezi, të cilat ne i kam quajtur fabula poetike.

Me të gjithë këta përbërës dhe me më shumë të tjerë, të cilët do të identifikohen në ndonjë lexim e vlerësim tjetër, Fatmir Musai e ka pasuruar ndjeshëm poezinë e brezit të tij e të letërsisë së sotme shqipe.

 Prishtinë, janar-shkurt, 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Umberto Eco: Kujt i plas për privatësinë? Të gjithë ekspozohen, duan me çdo kusht të duken!