Poezia e të shkruarit në manastirin e shpirtit të poetit

enver visoka

Enver Visoka, “Në fund të verës”, “Littera”, Prishtinë, 2023

Shkrimtari Enver Visoka si krijues është i veçantë. Veçantia e tij është e çuditshme, e çuditshmja e tij ka hije tekanjoze. E gjithë kjo determinohet nga rrethanat e përgjithshme të së përditshmes sonë dhe inkuadrimit të tij në këto rrethana si individualitet dhe krijues.

sadik krasniqi enver visoka

Nga Sadik Krasniqi


Këso vetish, historikisht patën shumë krijues, e posaçërisht ata të shquarit. Kjo premisë, si konstatim për këtë krijues, argumentohet përmes opusit të tij letrar, që përfshin librat e botuar (edhe në gjuhën gjermane) dhe atyre në dorëshkrim, të cilët gjatë presin që të botohen. Edhe libri me poezi “Në fund të verës“ ecën në vazhdën e arsenalit letrar të këtij autori, që me gamën tematike dhe omegën figurative do të jetë një prurje në aktualitetin e atmosferës sonë letrare. E themi këtë duke pasur parasysh tërësinë e kësaj përmbledhje të strukturuar bukur, përmes një vargëzimi të konstruktuar me shumë kujdes dhe të pajisur me një figuracion të dendur poetik përmes gjuhës së pasur dhe një stili të lartë.
Ligjërimi poetik në këtë libër procedohet përmes pesë kapitujve, të së cilëve ju paraprin nga një parapoezi e shenjuar me shkronjat korsive si theksim dallues nga poezitë brenda cikleve. Këto motopoezi njëheri janë metapoezi, të ndërtuara si rrëfime e që shërbejnë si çelës për hapjen e kodit estetik të poezive pasrendëse brenda kapitujve. Këto rrëfime pararendëse janë dialogjet e heroit lirik me me njerëz, fenomene e ngjarje dhe na vijnë si legjendë me profeci.
Poezitë si rrëfim i karakterizon një thellësi e dendësi i mendimit kontemplativ. Nënndarjet e librit janë tituj të emëruar bukur si: “Nën petalet e lules kamilje“, “Stina e shpirtit“, “Në fund të verës“, “Pas perdeve të kohës“ dhe “Dhoma pa mure“. Imagjinata e sublimacionit lirik të këtij libri realizohet përmes një sistemi të pasur figurativ duke filluar nga arketipet simbolike si: dielli, hëna, zogu, lulja, pema, shiu, qielli, toka, nata, mëkati e duke përvijuar me metaforat konvencionale dhe ato kontekstuale apo personale si: ora e ndalur, jeta e pushuar, lulja kamilje, arkivoli i ëndrrave, zogu i vdekur, stina e shpirtit, shekulli pa njeri, pluhuri i eshtrave, pema e tharë, qielli i errët etj.

enver visoka

Me këtë konstrukt të metaforave të errëta, estetika e lirikës së këtij libri buron nga “zonat e errëta“ siç do të thoshte Sabato, apo siç shprehet vetë poeti: “nga një bodrum i errët i kështjellës së shpirtit“. Lënda lirike e Visokës ndërthuret shpesh përmes vegëzave mitike, mistike, ezoterike e biblike. Heroi lirik është qiellor e anteik, shpirtëror e trupor, real e imagjinar, këto karakteristika mblek- sen bukur përmes nje kozmogonie përetej hapësire e kohe.
Libri “Në fund të verës” i Enver Visokës rreket me dy kryetemat eternale të letërsisë, pra me tanatosin e erosin, e që ky autor i gërsheton me një rekuiem lirik plot elegancë. Në fund mund të theksojmë se këto poezi janë shkruar në manastirin e shpirtit të poetit, janë shkruar nga zogun e zemrës, e ky zog shpesh është zog i qiellit, që pi ujë në lumin e dhembjes me lule kamileje.
Këtë herë, për këtë libër mbresëlënës, vetëm pak fjalë, si shenjë për VËMENDJE ndaj lexuesit semantik e semiotik të poezisë së mirë. Pasi ta lexoni, jam i bindur se do të kënaqeni po edhe do të shqetësoheni nga bukuria e ndjeshme dhe ekselenca e kësaj lirike, siç u kënaq dhe u shqetësua edhe autori i këtyre rreshtave.

ObserverKult

Kliko edhe:

LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN “NË FUND TË VERËS” TË ENVER VISOKËS