Poezia e Visar Zhitit në filmin “To the Moon”

“Elegjia e pyjeve”, është poema e Visar Zhitit, ajo që i jep një ekzotizëm filmit ‘To the Moon’ të regjisorit irlandez Tadhg O’Sullivan.
“To the Moon” pat fituar çmimin e parë në Festivalin e Filmit Irlandez.

Një ode kinematografike për Hënën

Një kolazh i jashtëzakonshëm i imazheve arkivore dhe pamjeve nga kinematografët në pesë kontinente, të kombinuara me fragmente letrare.

Përmes 10 kapitujve, ” To the Moon” rishikon imazhe hënore nga historia e kinemasë përmes përrallave të dashurisë dhe çmendurisë, këngëve të mallit dhe humbjes, ëndrrave të pafajësisë dhe maktheve të kolonializmit.

Një kujtesë e butë e peizazheve tona imagjinare dhe një kujtesë pikante e natyrës kalimtare të ekzistencës sonë, përgjithmonë nën vështrimin misterioz të rruzullit mitik.

Interesante ideja se si njerëzit përgjatë kohës, janë frymëzuar nga hëna për ëndrrat e arratisjes, mitet e parajsës, këngët e mallit dhe humbjes etj.

Por, “To dhe Moon, është interesante për ne edhe për faktin se aty gjendet e recituar një poezi e të madhit Visar Zhiti.

ObserverKult ju sjell poezinë:

VISAR ZHITI – ELEGJIA E PYJEVE


Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe është shtuar sipërfaqja e frikës,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve,
ka më pak kafshë tani
më pak guxim e vetëtima më pak,
më pak bukuri
dhe hëna është e pambuluar
si një zhvirgjërim i dhunshëm dhe
pastaj i braktisur,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
sipërfaqja e poezisë, e psherëtimave,
fjalë gjethesh ka më pak
e thashetheme më shumë.

Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
lumenjtë s’magjepsen,
lumenjtë hutohen,
si zebra parqesh zoologjike na shohin
lumenjtë
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe sipërfaqja e turpit,
sa pak turp kemi tani
s’pendohemi për asgjë,
fare pak kohë kemi për t’u penduar.

Janë shtruar rrugët,
reklamat dhe dilemat
magazinat, kinematë e lavditë
është zmadhuar sipërfaqja e qyteteve
dhe sipërfaqja e turpit është zmadhuar
gjithë ato turpe sa s’i nxënë gazetat
dhe vijojnë në numrin e ardhshëm
dhe në abonimin e vitit tjetër të marrëzisë

Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe janë shtuar drejtoritë e pyjeve,
sipërfaqja e dashurisë është zvogëluar
dhe zogjtë kanë më pak vend
për dashuritë e tyre
se ata s’dinë të bëjnë dashuri zyrave,
është zvogëluar sipërfaqja
e fytyrave.

Një çunak vizton pemë mureve,
në sytë e mi vizaton pemët,
bën tatuazhin e pëemës
në lëkurën e krahut të tij të hollë
si fundi i shekullit të XX,
kaq shumë e ngul gjilpërën e nxehtë me bojë
sa pylli gumëzhin në gjak si dhimbje
e maisur plage.

ObserverKult

Lexo edhe:

Visar Zhiti: Dashuria e Njeriut dhe Njeriu i Dashurisë