Poezia e Vjollcës na lexon ne

Vjollca e ka filluar rrugëtimin e saj poetik me një botë që rri mërguar në xhep. Ajo që gjithnjë më ka bërë përshtypje ka qenë origjinaliteti i saj i vjershërimit, i cili përbëhej nga sinqeriteti e pozitiviteti. Shtoi kësaj dhe lojën e dimensionet e fjalës, që Vjollca i njeh përsosshëmrisht, dhe ja ku e kemi atë poeten pa të cilën s’ka kuptim letërsia jonë e re.

Lirikat e saj janë aq të ngrohta, aq të natyrshme dhe të pasforcuara e ngarkuara me tepri fjalësh, sa shumë shpejt mishërohen me lexuesin dhe bëjnë jetë të pavarur prej saj, duke u bërë lajtmotiv real drithërimash e britmash: “Lermë të të dua si mundem, si di”.

Poezia nuk shkruhet për ta tronditur kritikën, as lexuesin. Ajo fare lehtë gjen udhë nëntoksore për te këndonjësit, prandaj, pa hamendje, them se poezia e Vjollcës na lexon ne, na endet nën lëkurë, sepse prej aty edhe rrjedh.

Titulli “Matanë s’ka harrim” të rrëqeth mishin, sepse herë kumbon si një profeci, nga më të tmerrshmet që ka njohur dashuria: pamundësia për të harruar të qenën, të shkuarën, e hërë si një kërcënim a paralajmërim, si një gisht që i drejtohet dikujt për t’i thënë “Ku shkon? Nuk do të mundesh të harrosh”. 

“Matanë s’ka harrim” sjell destinin ekzistencial të njeriut karshi mungesës, boshësisë, ikjes, harrimit. Vjollca asnjëherë s’di të jetë e errët, nuk tmerron me vaje e kuje për atë që shkon, por rri solemne karshi ndenjës që e mban vertikalisht njeriun – dashurisë.

Nëse i analizon titujt e poezive, si: “Lermë të të dashuroj”, “Ajo kishte mësuar të ëndërronte”, “Në majë të gishtave”, “T’i biem në fund kësaj rruge”, krijojon përshtypjen sikur ke për të lexuar gjërat më të tmerrshme, lutje e kuje, mallkime femërore, por, në të vërtetë është e kundërta. Ka aq butësi e dashuri në to! I ka daltosur aq mirë fjalët poetja, sa duket sikur flasin për diçka mbitokësore, për diçka ende të pazbuluar e të papërlyer, ku ka shumë pafajësi dhe dëshirë; ka edhe shumë muzikë si te vargjet: 

Ti fishkëlle atë këngë me selvi e myreqep,

Unë do mbaj ritmin kallur ninëzave tua.

Për mua lirikat e Vjollcës, përveç vlerës së pakontestueshme estetike, lirizmit që të bën të kumbojnë si këngë dhe që mësohen përmendësh vetvetiu që në leximin e parë, më duken edhe si një udhëzues se si fisnikërohen ndjenjat edhe në mungesë të dashurisë dhe mu këtu Vjollca do ta kujtonte “Se edhe ndarja i përket dashurisë, se ata që janë ndarë janë ende të dashur”.

Ky libër do të gjejë strehë në shtëpinë e secilit trup dhe do të ndezë zjarr edhe ku moti është shuar. Vrulli emocional dhe mjeshtria për ta bërë për vete lexuesin, ngjallin padurimin për ta marrë këtë libër me vete pasditeve, “matanë atij harrimi”, për të cilin dikush ende nuk e di “ish, apo s’ish”.

Unë pa poezitë e Vjollcës s’dashuroj dhe pikë. /Xhemazije Rizvani  
                          

Një Shimborskë e vogël shqiptare…

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, ende studente, Vjollcë Berisha botoi librin e saj të parë Në xhep kam një botë, pastaj, vite më vonë, studimin kritik për një nga librat emblematikë të poezisë shqipe, vëllimin Shekulli im dhe ja, tani, del para lexuesve me librin e saj të tretë, Matanë s’ka harrim Shmangim shprehjen klishetike: “i treti – i vërteti”, sepse poezia e Vjollcës në të gjitha pikëpamjet del nga klishetë. Ajo është e lirë e jokonvencionale me motivet, frymëzimin, ndjeshmërinë dhe gjuhën poetike. Dashuria është kryefjala e kësaj poezie, por në të flitet për një dashuri të humbur, të prerë si me thikë. Drama e ndarjes nuk është e lehtë. Dhimbja e bren shpirtin si drizë… Dy vetjet e ndara vazhdojnë të jenë bashkë në një dyzim të përhershëm: në shtëpi, në shtrat, në rrugë, në qytet, si dy yje në univers. Kjo gjendje e dyzuar i jep kësaj poezie një vlerë sipërore, gati hyjnore, kurse kalimi spontan nga njëra poezi te tjetra koherencën e një poeme a drame lirike.

Dikur studente me një botë në xhep, tani profesoreshë me dije e kulturë të gjerë, Vjollcë Berisha mbetet në thelb poete. E pajisur me dell dhe guxim krijues, ajo ribën në vargje historinë e Bovarisë, të Rostovës, Margaritës, Nadjenkës e Fermina Dasës, por edhe të vetvetes dhe simotrave të saj të një bote konservatore, por në vargjet e saj nuk ka asgjë lokale, meskine, parohiale…

Vjollca me dy-tri shoqe të saj krijuese nga Tetova po i ashkohen gjithnjë e më shumë grupit të zonjave të vogla të letërsisë shqipe, siç do të thoshte Kadareja. Zëri i tyre do të dëgjohet gjithnjë e më fort në të ardhmen./ Agim Vinca

ObserverKult


Lexo edhe:

VJOLLCË BERISHA: GUXIMI ËSHTË MAGMA E ËNDRRËS