Nga: Stefan Çapaliku
“Gjitha artet do të shkojnë kah muzika” thotë Schopenhauer. Kjo shigjetë mendimi më goditi në tru sapo mbarova së lexuari poemën e parë të këtij libri, atë me titull “Harku i dëshirave të thyera”.
Pse erdhi te unë kjo maksimë estetike në mbarim të këtij leximi të lumtur, ec e merre vesh. Pastaj m’u vizatua në mendje autori: një burrë i imët dhe elegant, i hipur mbi pupitrën e një dirigjenti, që po i jepte leje njëri-pas tjetrit të hynin në lojë instrumente të ndryshme e të heshtnin të tjerat: ata që sapo kishin kryer punë.
Poema nis si një dialog midis vetes. Në këtë rast midis reparteve të ndryshëm muzikorë të kësaj orkestre primordial, të drejtuar prej autorit, i cili me të marrë baketën e argjendtë në gishtërinjtë e dorës së djathë, hedh si pudër mbi krye muzikantësh, pyetjen e tmerrshme “Çfarë të shkruaj?”
-“Se jeta është gjithçka” – ndërhyjnë të gjitha violinat nga e majta e tij.
-“Ose siç thonë disa asgjë” – ngrihen në këmbë tunxhet përballë, atje në fund.
-“Një pranverë e gjallëruar” – ia presin violonçelat nga e djathta.
-“Ose një dimër i pikëlluar.” – përfundojnë kontrabasët atje nga kuintat e mbramë.
Dhe dirigjenti atëherë, krejtësisht i pakënaqur nga përgjigjet ngrihet dhe hedh një breshëri pyetjesh, në dukje edhe më konkrete dhe të thjeshta:
A s’janë të mjaftueshme të gjithë ato libra
që ruhen ndër biblioteka madhështore,
për të treguar kujën e botës, fatet e rrëpira, rrengjet e kohëve,
gëzimet mëngjesore të bardha si bora
e perëndimet përflakura në horizont?
Por i mjeri merr sërish një tufë përgjigjesh, kësaj here edhe më absurde. Sepse është pikërisht çasti kur poezia po “rrëshqet kah muzika”. Po shkon drejt atij “gjësendi” që i tejkalon idetë, dhe që është mjaft i pavarur nga bota, ndaj dhe e injoron pozitivisht atë.
Në këtë kuptim poema e Ndue Ukaj nis të dëshmojë se mund të ekzistojë edhe nëse nuk do të prodhonte më kuptim. Pra, përafërsisht si muzika, që do ekzistonte edhe nëse nuk do kishte fare botë, gjë që nuk mund të thuhet për artet e tjera. Dhe këtu duhet të themi se domethënia e shprehjes së Schopenhauer se muzika mund të “ekzistonte edhe sikur të mos kishte botë fare” shpjegohet me faktin që muzika nuk merret me referenca materiale. Nuk ekzistojnë “gjësende” në botën materiale, nëpërmjet të cilave të mund të bënim koherente një pjesë muzikore, përafërsisht edhe poetike.
Mandej vjen një çast kur duket se orkestra përgjigjet duke luajtur “a tutti”: Shija e tokës është e ithët dhe e ëmbël njëkohësisht”, duke e futur dirigjentin në një krizë identiteti, në të cilën i shijon replikat përtej përmbajtjes së tyre kuptimore.
Pra, kësisoj, autori i poezisë, në këtë rast dirigjenti, po pretendon që muzika, alias poezia që ai shkruan, të ketë “kuptim” edhe nëse gjithçka që ekziston në univers të ishte vetë ajo poemë. Sepse poezia e tij në fund të fundit, ashtu si edhe muzika, nuk do kishte nevojë për “gjësende” specifike dhe referuese.
Ndaj edhe autori/dirigjent i jep vetes lejen ta ndalë në mes koncertin e vet, si të ishte në prova, duke e nisë atë “da capo”. Orkestrantët nuk ia përtojnë dhe heqin sytë nga partiturat. Nisë kështu një lojë “ad libidum”:
Ndaj duhet të shkruhet përsëri,
për dëshirat e pamjaftueshme,
për dritën dhe errësirën,
për Testamentin e Vjetër – sy për sy
dhe të Riun që këshillon – duaj çdo njeri.
Dhe më vjen sërish në mendje Schopenhauer kur thotë se poemat shprehin idetë në mënyrë indirekte, duke iu referuar botës fenomenale, por muzika e anashkalon botën fenomenale krejtësisht. Kështu që, duket sikur vargjet që e pasojnë poemën:
Ndaj u dërdëllitëm nën hijen e lisit të vjetër,
mblodhëm gjethe dhe bëmë një nënkresë të butë
ku mbështetëm kokën dhe hipëm në krahë të një ëndrre të harlisur.
formulojnë ide pa iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë “gjësendeve”. Pak a shumë ajo që ndodhë me pikturën abstrakte “Improvisation 28” të Wassily Kandinsky-t, piktor dhe muzikant. Nuk ka “gjësende” në këtë pikturë, megjithëse ekzistojnë disa forma të paqarta që mund të kërkojnë kuptimshmëri në mendjen e dikujt, ashtu si muzika mund të këmbëngulë ngandonjëherë. Sepse kur: “ra terri gjithçka u grimcua”…
U grimcua nënkresa në mijëra pupla,
u grimcuan dëshirat në mijëra ëndrra,
u grimcuan duart e mia në mijëra universe
ku unë mblidhja copëza të vogla udhëtimesh
dhe i strehoja në ajrin e dashurisë
dhe këtu sërish orkestra ndërhyn me reparte. Dirigjenti përpiqet të administrojë padurimin e secilit për të tingëlluar mbi të tjerët. Punë e vështirë. Vrullet e vullneteve po fryjnë kacekët dhe janë gati për të kryer një shpërthim biblik.
Në tryezën time fanepsen yllësi, djathë, ullinj dhe vérë
dhe ja ku kemi surrealen që e shpërthen kuptimshmërinë e “gjësendeve” dhe modelon kësisoj një botë vetjake. Dirigjenti tërbohet kësisoj në vetmjaftueshmëri dhe e çmend orkestrën e vet. Ai lë baketën dhe “cakërron një gotë për ditën e re”. E cakërron me ajrin, me askëndin, sepse orkestra po shpërndahet ndërkohë me veglat në krah. Duken si:
silueta të paqarta që fshihen pas një kthesë të madhe.
Shëngjin, 30 gusht 2020
(Ky tekst është botuar si parathënie e librit Retë prej drite, Onufri, 2022)
Lexo edhe: