Poezinë “Të dashuruar ” të Teodor Kekos e interpreton Timo Flloko

Nga Teodor Keko

Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg ti shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve – karficë e bardhë.

Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrrash galop kish marrë.

Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.

Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetsisht të bukur – thotë.

Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! Përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna – karficë e bardhë.

ObserverKult

teodor keko
Teodor Keko (1958–2002)

Lexo edhe:

TEODOR KEKO: VËLLAI PO MË KËRKONTE TË MË SHIHTE PËR HERË TË FUNDIT…

As unë e as një mekanik, ose shofer me dy pare mend në kokë e me sy në ballë nuk e kemi vënë kurrë në dyshim se kamioni im ishte më i miri i parkut. O zot, ta shihje se si futej gropave e baltërave i ngarkuar ding me dru zjarri dhe si rrëshqiste pa u ndalur fare, a thua qe ndonjë motor çiklokrosi e jo kamion drush!

Po e vërteta ishte se ai qe kamion i madh, i zi, i gjatë e moshatar me ca gërdalla, që harxhojnë karburant aq shumë, sa do t’i kallnin datën edhe ndonjë sheiku kuvajtian.

Vetëm se e kishim  mbajtur shumë mirë atë makinë, i patëm qëndruar si foshnjës me mekanik te koka e leckë në dorë, pa lakmuar t’ia mbathnim me të mbaruar puna në shtëpi, ose në klub. Them ne, se im vëlla punoi i pari me kamionin, ai vajti dhe e mori në portin e Durrësit, kur e shkarkuan, dhe e solli në park. Vëllai punoi dhjetë vjet me atë makinë dhe, para se të largohej nga parku, vuri kusht ta merrja unë kamionin. “E kam pasur në vend të fëmijës, -i tha me lutje drejtorit, -s’e shoh dot timonin e tij në duart e të tjerëve”…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU