Poezitë e Dritëro Agollit do të përkthehen në 5 gjuhë

dritëro

Në mjediset e Qendrës së Botimeve për Diasporën, u zhvillua takimi mes përkthyesve dhe redaktorëve letrarë (pedagogë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës), të angazhuar në projektin e përkthimit në pesë gjuhë të poezive të Dritëro Agollit.

Përkthyesit pjesëmarrës për 52 ditë në rezidencën “Fan Noli” të Qendrës së Botimeve për Diasporën janë: Rigels Halili nga Polonia, Eleana Zhako nga Belgjika, Griselda Doka nga Italia, Loreta Shillcok nga Gjermania dhe Evelyne Noygues nga Franca.

Gjatë kësaj periudhe përkthyesit në rezidencë në bashkëpunim me redaktorët letrarë do të përmbyllin projektin e përkthimit në 5 gjuhë të përmbledhjes me poezi nga shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli.

Projekti i rezidencës së përthyesve është fitues i programit “Kultura Lëviz Evropën”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Instituti “Gëte”.

Lidhur me sfidat e përkthimit të poezisë së Dritëroit, u theksua në veçanti vështirësia në ruajtjen e drejtpeshimit mes thjeshtësisë së gjuhës dhe kompleksitetit të përmbajtjes, të përcjelljes së kontekstit specifik shqiptar për një lexues të huaj, të ruajtjes së nuancave të humorit dhe ironisë, apo të ritmit dhe rimës, si dhe të referencave kulturore, elementeve të folklorit apo simbolikave të ngulitura në traditën shqiptare.

Të pranishëm në këtë takim ishin përkthyesit: Manjola Nasi, Evelyne Noygues, Loreta Shillock, Griselda Doka dhe redaktorët: Rudina Xhillari, Mirela Papa, Marsela Likaj dhe Lorena Dedja.

ObseverKult

Lexo edhe:

Dritëro Agolli: Shqiptarët nuk i rrëzojnë udhëheqësit e tyre kur janë të gjallë, por kur janë të vdekur