15 fotografë nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut u bënë pjesë e edicionit të katërt të ekspozitës “Dita e fotografisë”. Në Galerinë e Artit, të Pogradecit u ekspozuan 32 foto me tematikë peizazhin.
Mjeshtri i fotografisë Ardian Fezollari së bashku me të tjerë emra të njohur fotografësh nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova çelën ekspozitën e fotografisë me peizazhe nga trojet shqiptare.
“Besoj se kjo ekspozitë është një promocion i mirëfilltë i gjithë bukurive shqiptare në të gjithë trevat tina si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi. Vetë pjesëmarrja e fotografëve e dëshmon këtë që them”, tha mjeshtri i fotografisë, Ardian Fezollari.
Qyteti liqenor i Pogradecit me peizazhet e veta mahnitëse, sipas fotografit Osman Demiri e shton frymëzimin për të realizuar të tilla shkrepje profesionale.
“Pogradeci është i njohur si qytet i bukur, i peizazhit të bukur. Ka liqenin të bukur prandaj dhe tërheq fotograf që merren me peizazhin. Kjo është edhe arsyeja kryesore që hapet një ekspozitë e tillë”, u shpreh fotografi nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, Osman Demiri.
Ekspozita në Pogradec do të qëndrojë e hapur për disa ditë./shqiptarja.com