Policia e Kosovës ndërton mur në lokalitet të mbrojtur arkeologjik

Instituti Arkeologjik i Kosovës, të martën, ka dalë serish në hapësirën ku Policia e Kosovës ka nisur ndërtimin e një muri rrethues. Zyrtarët e Institutit kanë tërhequr gjetje për herë të dytë. Puna për murin që do të jetë rreth 750 metra i gjatë ka nisur në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Bëhet fjalë për lokalitetin e mbrojtur arkeologjik “Tjerrtorja”, në dalje të Prishtinës.

Tek pasi themelet prej një metri thellësi janë mbushur me beton, Instituti Arkeologjik i Kosovës ka tërhequr disa prej gjetjeve të rastit në lokalitetin ku në vitet ‘50 u gjet artefakti me nam, “Hyjnesha në fron” nga koha e neolitit.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, procesi i ndërtimit të murit nuk është dashur të bëhej pa lejen e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Pasi kanë marrë fragmentet e qeramikës para disa ditësh, zyrtarët e Institutit të martën kanë mbledhur edhe disa të tjera. Do ta monitorojnë vazhdimisht ndërtimin e murit që do të rrethojë objektin që Policisë i shërben për servisim automjetesh.

Sa u përket gjetjeve, drejtori i Institutit ka përmendur se në këtë ka edhe aso të periudhës së neolitit që dëshmojnë vazhdimësinë e jetës në këtë lokalitet.

Instituti do të vazhdojë t’i monitorojë punimet. E Policia e Kosovës as të martën nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS.