“Portokallia” mbyllet përfundimisht? Altin Basha sjell projekt të ri

Nëse i hedh një sy profilit zyrtar të Top Channel-it në Youtube, kupton se programi më i dashur për shqiptarët është “Portokallia”. Kjo vlen sidomos për emigrantët. Ata e shohin humorin e aktorëve profesionistë me shumë nostalgji.

Problemi është se ky program nuk funksionon më në variantin “cabaret show”. Pra, me ndërthurjen e elementeve si aktrimi, kërcimi dhe muzika në një ambient që ngjan mjaft i prekshëm për sytë e publikut.

Me largimin e Ben Blushit si drejtor i Top Channel-it, në zyrat e Kasharit pritet të rikthehet regjisori Altin Basha, i cili duket se do të zëvendësojë “Portokallinë” me një projekt të ri televiziv.

Salsano Rrapi do të jetë prezantues i këtij programi të ri me regjisor Altin Bashën. Ky i fundit do t’i bëjë një ftesë Xhemi Shehut për t’u rikthyer si prezantuese me Salsanon. Lajm mjaft befasues, duke marrë parasysh faktin se Altin Basha vjen pas një dështimi në “ABC News”, ku mori përsipër dizenjimin e “Kosheres”. Nuk e dimë se sa shqiptarë kanë informacion nëse ky program humoristik ka ekzistuar apo jo në Shqipëri, sepse jehona e tij ka qenë thuajse zero. Dihet vetëm se aty ka qenë aktor Bes Kallaku.

Pas largimit nga Top Channel, regjisori Basha mori pozicionin e drejtorit të Teatrit Eksperimental në vend të Kiço Londos. Aty hoqi shumicën e aktorëve nga puna në teatër. Aktualisht ai punon si profesor në Akademinë e Arteve të Bukura.

Salsano Rrapi, ndërkohë, dihet se ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Xhemi Shehun dhe nuk diskutohet se do të jenë një dyshe e paparë në skenë. Gjithmonë kanë funksionuar, sepse janë edhe miq të ngushtë.

Mbetet për t’u parë se cila do të jetë formula e këtij programi të ri në median më të madhe në Shqipëri. Një mëdyshje e madhe shkon për praninë (ose jo) të aktorëve të trupës së “Portokallisë”. Ata janë ndër njerëzit më të paguar në Top Channel. Por, njëkohësisht edhe ndër më të vështirët për t’u menaxhuar në televizion.

Një dilemë e madhe është edhe Flor Binaj. Ai është një gjigant i skenës i cili gëzon një mbështetje të madhe në publik. Por, ai asnjëherë nuk ka marrë përsipër të bëjë një gjë të tijën. Me mbylljen e pritshme të “Portokallisë”, ndoshta do ta shohim në një variant tjetër. Presim me kërshëri. /preferenca-al.com

__________________

Lexo edhe:

ALTIN BASHA TREGON PSE E NDRYSHOI QËNDRIMIN E TIJ PËR TEATRIN

ObserverKult