Të vendosura ashtu në mënyrë të rastësishme, duke shfrytëzuar çdo hapësirë që ofron kjo sallë e muzeut janë shfaqur për publikun mbi 100 punime të artit viziv.
Edicioni i 12-të i “PranverArt” sjell sërish emrat më të njohur të pikturës dhe skulpturës, duke filluar me Lec Shkrelin, Anastas Kostandinin, Agron Shehun, Llazar Taçin etj.
Piktori Kleo Nini shprehet çdo se vit ndjen emocion të veçanta për punimet që sjell.
“Unë kam pasur rastin që të jem dhe piktor filmi, ndaj kam mbresa dhe mundohem që në pikturë të mos merret vesh se vendi se ku është. Kësaj radhe ishte një ngacmim nga jugu, nga pishat e Llogorasë, ullishtet e lumit, ujëvarat, ndaj kshu i kam dhe titujt e pikturës”, tha piktori Kleo Nini.
Ajo që e dallon këtë organizim është pjesëmarrja e moshave të ndryshme, ndaj dhe skulptorja 21-vjeçare, Juli Miftari vlerëson mbeshtetjen e organizatorëve.
“Kam marrë pjesë me një skulpturë që titullohet përmbysja e mitit, ku jam frymëzuar nga miti i Ikarosit, por kam bërë një ndryshim ku e kam kthyer si ide në rënien e komunizmit”, tha skuptorja Juli Miftari.
Ndërsa studiuesi Agim Janina, tregon se ne art koha rrjedh ndryshe pavarësisht vështirësive.
“Kjo është një ekspozitë që vazhdon traditen e penelit dhe të darës, të gdhendjes. Ky është sigurisht që mundim për artistët, të cilët kërkojnë veçantitë e tyre”, tha Janina./vizionplus.tv
LEXO EDHE: “Bëje ose Vdis”, në Tiranë hapet ekspozita kushtuar Ukshin Hotit