Prekëse/ Çun Lajçi: Po dridhesha kur mbërrita te varri i Mirakes!

Nga Çun Lajçi

Kisha ethe. Dridhesha, por kisha bërë be se do të shkoja dhe nuk do ta theja rrugën as fjalën për të dytën herë!

U afrova te varri dhe u nguta ta puth fotografinë e të ulem mbi pllakën e djegur nga dielli malor, e t’i them ato që më kishin mbetur të pathëna: “U betova kur isha n’Hotin e Çun Mulës se do të shkoj te Mikloshja ime sapo ta kaloj Drinin e Zi, por besën ma theu breshëri me shiun rrëke që ra kur unë mora rrugën atë ditë për tek ti. Gurë ranë në rrugën e Austriakut dhe mbeta të pres sërish ditët me diell.”

Vetëm kaq fola, sepse trupi po dridhej, dhe rrezet e diellit po më djegnin. Shfrytëzova rastin të largohem kur Galushja e ndezi cigaren dhe bëri tym mbi varrin e gëzimit të parë dhe dhimbjes së fundit!

“Qenkan pjekur kajsitë, xherenikat qenkan pjekur”, – thashë! Sa herët! Dikur prisnim shtatorin që të kuqëloheshin e të verdhoheshin, dhe barinjtë e përmalluar për pemët e egra, gërvishteshin duke hipur në degë e duke mbushur gjitë e këmishave me kokrrat e ngjyrosura.

“Nëna shumë herë më mallkoi: u rrëzofsh nga kajsia, se nuk po të dhimbsen këmisha as duart e mia që po ta laj te Gurra e Ftohtë!”

U afrova te gardhi. Mblodha kajsi të egra dhe i mbusha xhepat. Thyeva tre kalavesha dhe u ktheva te varri i vajzës. I mbështeta te guri i kokës dhe thashë: “Ti i haje të verdha, të papjekura, dhe mua më thartohej goja. Tani qenkan të ëmbla këto kajsitë e livadhit tënd. Edhe dardha pranë teje i paska rritur kokrrat. Do t’i mbledh edhe ato e do t’i sjell te guri, t’i kesh kur të zbuten!”

“Erdha, ta putha gurin, fola çka pata me të thënë dhe tani po shkoj t’ia hap derën stanit!”

Jo, nuk i tregova se po dridhesha nga ethet. Nuk desha ta merakos as gruan. U solla rreth e rreth stanit të mbushur me rrjeta merimangash dhe miza të ngujuara pas xhamave! Shikova pemët që i pata mbjellë me të ndjerën time. Vetëm një mollë kishte dy kokrra. Dardha pranë gardhit kishte pesë copë. Kumbulla e madhe kishte dy dhe ato i mora. Njërën ia dhashë Galushës dhe me buzëqeshje i thashë: “Provoje kumbullën e Çunit!”

Kur mbërrita në Prishtinë dhe u futa në dhomë, i bërtita Leartit: “Më mbulo me dy batanije se u çmenda nga ethet. U dogja!” Ai u shqetësua. Shkoi në farmaci dhe bleu ilaçe dhe testin për Coronavirus! Unë i shkrova doktor Vllaznimit: “Ç’janë këto ethe në këtë zheg gushti e kjo temperaturë 38 gradësh? Mos janë shenjat e virusit?”

“Bëje testin,” më tha, “dhe mos u shqetëso, se kaluese është!”
Learti ma bëri testin, por vetëm një vijë e kuqe u shfaq!
Fjeta, por kanatierja u qullos nga djersët gjatë gjithë natës!

23.08.2024

ObserverKult


Lexo edhe:

POEZI NGA ÇUN LAJÇI KUSHTUAR VAJZËS SË NDJERË: PSE MIRAKE S’MË VJEN N’ANDRRA…