Këto kanë qenë ndër fjalët e fundit që Roland Trebicka i ka thënë së shoqes, përpara se të ndahej nga jeta.
“Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero”.
Aktori i njohur u kthye vërtet në teatër, por për herë të fundit, ku iu bënë homazhet dhe nderimet nga miq, kolegë, e politikanë, 10 vite më parë, kur dhe u nda nga jeta.
Disa kohë para vdekjes, aktori kishte folur pikërisht për sëmundjen e tij.
“Më besoni, unë jam një njeri që nuk e kam njohur kurrë sëmundjen. Më kujtohet kam marrë vetëm 9 ditë raport, kur isha 23 vjeç dhe po luaja në pjesën “Shtëpia në bulevard”.
Teksa po trukohesha, pashë se isha mbushur me njolla të kuqe dhe kisha ethe. Më kishte zënë fruthi. Dhe prej asaj kohe unë nuk mbaj mend të kem marrë më raport.
Nuk kishim nisur ende me shfaqjen “Tabloja absurde”, kur nisa të ndihesha jo fort mirë. Një ditë kur u ktheva në shtëpi, ndjeva ethe dhe kisha kollë. Mendova të lë duhanin.
Kisha tentuar kaq herë dhe thashë, përse të mos e lë tani. Kam pirë kaq shumë duhan! Po puna jonë e tillë është, sidomos në proces tavoline, kur je nën tension, kur je në kërkim të vazhdueshëm… Por ishte një gjendje që nuk më pëlqente dhe vendosa të vizitohem.
Duke qenë që nuk jam kuruar kurrë, as e dija se ku të drejtohesha dhe me një mikun tim të teatrit shkuam në dispanseri. Më thanë se ishte diçka e vjetër, jo shqetësuese dhe mora disa mjekime.
Ndërkohë nisëm “Tablonë absurde” të Ferdinand Hysit, madje do të shkonim në Indi. Ishte udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm. Kur u ktheva, u drejtova tek një mjek tjetër që qëlloi një shok fëmijërie. E kuptova menjëherë se ç’kisha sa pashë fytyrat e tyre…”/Vjosa.net
ObserverKult
Lexo edhe:
KËSHILLA E EQREM ÇABEJT: PARA SE TË SHKRUANI PËR GJUHËN SHQIPE DUHET TA KENI KËTË GJË PARASYSH
ObserverKult