Hasije Nazif Capa, nga Popinari i Dibrës ishte 20 vjeçe kur nisi dënimet e gjata në burgjet e grave. Ajo vuajti saktësisht 13 vjet, 9 muaj, 15 ditë burgim në vitet 1969-1983.
Doli prej andej në moshën 36 vjeçe.
Së bashku me bashkëshortin, kunatin e kunatën (Beqir Mehmet Capa dhe bashkëshortja Naile Selman Capa) tentuan të nisnin një jetë të re, por fati nuk ishte me ta, arratisja u zhbë nga kthimi jugosllav.
Hasija ishte martuar me shtetasin Mexhit Mehmet Capa.
Vendimi për t’u arratisur ishte marrë në kohën kur ata ishin kritikuar publikisht në fshat se ishin kundër zakoneve prapanike dhe shpenzimeve të tepërta (dasma apo varrime). Këtu iu ishte përmendur edhe fakti i dënimit të babait të tyre.
Vendimin e arratisjes e kishin biseduar edhe me bashkëshortet e tyre. Për të realizuar kalimin pa probleme të klonit sinjalizues, përgatitën një shkallë, të cilën e përdorën ditën e largimit.
Arratisja ishte spektakolare, duke vendosur shkallën në formën e germës “A” mbi klonin. Në këtë mënyrë realizuan një arratisje të qetë e të sigurt më 12.1.1969 bashkë me tre fëmijët e mitur (të Beqirit). Pasi kaluan kufirin, janë dorëzuar në qytetin e Dibrës së Madhe.
Për fatin e keq, autoritetet jugosllave nuk i mbajtën më shumë se 18 ditë shumë ditë. I kthyen dhe ata u arrestuan më 30.1.1969.
Të gjithë u akuzuan në bazë të nenit 64 të Kodit Penal për tradhti ndaj atdheut. Nisi çështja penale ndaj tyre. Madje, akuzoheshin se i “kishin dhënë informata UDB-së”. Çështja i kaloi Gjykatës Popullore të Rrethit Dibër.
Për dy vëllezërit thuhej se dhanë “informata të karakterit politik, ushtarak dhe ekonomik, për aq sa dinin, p.sh për pikat e hapjes ushtarake që janë në rrethin tonë, mbi efektivin ushtarak, mbi llojet e armëve, mbi kuadrot e partisë, pushtetit dhe sigurimit në rreth, mbi emigrantët jugosllavë në Shqipëri, mbi gjendjen e kooperativave bujqësore, mbi çmimet e bukës dhe furnizimin që i bëhet popullit.
Të dhëna të tjera kanë dhënë dhe të dy të pandehurat…me sa kanë ditur”.
Gjykata Popullore Dibër, me vendimin nr.18, datë 5.5.1969, i deklaroi të gjithë fajtorë. Beqiri u dënua me vdekje pushkatim, Mexhiti me 25 vjet heqje lirie, Hasija me 15 vjet dhe Nailja me 10 vjet (vuajti, 9 vjet 6 muaj 3 ditë, u lirua më 2.8.1978).
U la në fuqi me vendimin nr.260, datë 27.5.1969 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ktheu Beqirit dënimin në 25 vjet heqje lirie. Të gjithëve iu konfiskua pasuria.
Hasija nisi dënimin në Repartin nr.318 Qyteti Stalin (sot Kuçovë). Aty gratë vuanin dënimin duke punuar sa në bujqësi, aq edhe në ndërtime.
Ajo ishte e dënuar që vuajti dënimet në dy burgjet e grave. U lirua nga burgu më 15.11.1983 kur Reparti nr.318 ndodhej në Kosovë./kujto.al
Lexo edhe:
VUAJTI 26 VJET NË BURGJET E DIKTATURËS, KU E HUMBI EDHE SHIKIMIN- RRËFEN SE ÇKA ISHTE “TORTURA E DOLLAPIT”
Urim Elezi vuajti 26 vite të jetës së tij në burgjet e diktaturës, ai është një prej dëshmitarëve të rrallë mbi torturat çnjerëzore që ushtroheshin ndaj të burgosurve politikë në Shqipëri.
Gjatë torturave në burgun e Burrelit humbi edhe shikimin duke jetuar dekada të tëra deri në ditët e sotme në verbëri të plotë. Por mes shumë rrëfimeve për torturat, ai tregon edhe rreth një torture që i bënë në hetuesinë e Korçës. Në librin e tij me kujtime “Ashtu si vetë jeta ime”, e përshkruan kështu “Torturën e Dollapit”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult