Prekëse: Para ekzekutimit, Hilmi Hysi, i shkruan letër të bijës 6-vjeçare…

Foto ilustrim

Kjo është historia e dhimbshme e Hilmi Hysit, i cili para se të pushkatohej padrejtësisht i la një letër vajzës së tij 6-vjeçare.

Ish-kreu i gjykatës në Gjirokastër, 35-vjeçari ishte diplomuar për drejtësi në Montpellier të Francës dhe u dënua me pushkatim pasi ishte pjesëmarrës në të ashtuquajturin “Grupi i dytë i deputetëve”.

Nga Luljeta Progni

Letër vajzës 6 vjeçare ishte mendimi i fundit i Hilmi Hysit para se ta pushkatonin.
Ishte dita e fundit, ora e fundit.

Ai kërkoi nga drejtori i burgut që të lejohej ta takonte doktor Zymën, që ishte caktuar të mjekonte të burgosurit. Qëllimi i vetëm i këtij takimi nuk ishte mjekimi i plagëve por letra që kishte shkruar për Lidian. Pas një bisede me dhimbje me mikun e tij doktor Zyma, Hilmiu i dha letrën dhe nisi rrugën e kthimit në qelinë ku po e priste nga momenti në moment ta merrnin për ta çuar drejt pushkatimit.

Doktor Zyma e çoi porosinë në vend. Letrën ia dorëzoi bashkëshortes së Hilmi Hysit, Myneveres. Është dhimbje çdo shkronjë e shkruar në atë copë letër para pushkatimit, dhimbje që do t’i mbetej përjetë në kujtesë bijës së vogël Lidias, motrës së saj dhe nënës Mynevere.

Lidja ime e dashur!

Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.

E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë… që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t’ju mungojnë të gjitha.

Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.

Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!

Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde.

Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.

Me mall të puth yt atë Hilmiu!

Tiranë, janar 1948


Lexo edhe:

HISTORIA E DHIMBSHME E FAMILJES NUMANI: KOMUNISTËT JA EKZEKUTUAN BURRIN DHE DJALIN, POR S’U NDALËN ME KAQ