Prekmë ku s’lejoj askënd, mu në zemër… poezi nga Sadik Bejko

sadik bejko

Poezia “Je krijimi” nga Sadik Bejko


Ti që më pranon siç jam, me plagët, me acarin,
ti, syri im i mbyllur tek humnerën mbart nën këmbë,
ti, që je krijimi: me një sy, me një hap ngjiz jetën,
eja, pajtomë me veten, me botën, me marrinë-
botë ku guxim, fisnikëri s’duhen, nuk marrin shpagim.

Ti më je jeta, jeta që kurrë, kund nuk të jepet falas,
Ti – syri im i mbyllur në aventurë ecjeje mbi greminë,
Ecje në fijen e hollë, pa fije fare dhe përmbi hon,
në marrinë e bukur, ku jemi më të plotë, të vërtetë:
pse rrojmë kur s’rrezikojmë, kur të mos kemi krahë, fletë?

Sa të plas, t’më marrë dreqi, merrmë ti, të paktën,
prekmë ku s’lejoj askënd, mu në zemër. Dhe shegën
e gjakut, frut të pjekur merre, ta fal edhe vdekjen time:
dhe ec, me një sy, me një hap, shko e ngjize jetën prapë.

ObserverKult

Lexo edhe:

SADIK BEJKO: MIKJA, ZEMRA IME, KU JE?