Nga: Gjergj Jozef Kola
Historia e Maria Tuçit nuk asht nji histori e ndodhun vetëm para 70 apo 700 vjetësh. Ajo asht nji histori që ndodhë ende sot përditë të lume në tokën Arbnore të marrë peng nga osmano-komunistat.
Maria Tuçi asht mësuesja engjullore që jeton prej poezisë së mësimit të fëmijve dhe kangëve të Hyjit, nji vajzë e re që sublimon përditë ndjesitë e saja drejt diçkaje ideale, transhendente porse edhe të përditshme. Për Marien, jeta, ekzistenca njerzore ka shpalosë ma të bukurën, ma të mrekullueshmen që mund t’i afrohet nji zemre të re me ideale sa fisnike aq edhe të thjeshta.
Hilmi Saiti asht krimineli i pashpirtë, me fiksimin e dhunës në mendje, njeriu që e ka ndërtue jetën e vetë nga nji rrath dantesk i ferrit në tjetrin, tue vra e pre kush i deltë para. Parimi i tij i palëkundshëm: „Dhuna asht shkambi i ateizmit. Sa të ketë dhunë ka edhe ateizëm, sa të ketë vuejtje ka edhe ateizëm. Prandaj ateizmi asht ma i fortë se dashunija, sepse ateizmi nuk e pranon dashuninë në asnji nga dimensionet e saja.“
Për herë të parë në kët përplasje mes Lules, Maria Tuçi që shtrin krahët e bukurisë dhe ferrës Hilmi Saitit që i ngulet fort në trup, shpaloset Teodizeja e famshme laibniziane e kombi shqiptar!
Tri pyetjeve të jashtzakonshme Laibniziane kërkon romani me ju dhanë pergjigje:
Pse e lejon Hyji me vuejte kët popull nën thundrën e kaq shumë tmerr e vdekje, dhunë e kasaphane të pashembullt, fizike e shpirtnore?
Çfarë të drejtë ka Hyji me ndejë në heshtje ndërsa ky popull kaq fisnik dhe i lashtë vuen nga diktaturat ma gjakatare, siç ishte ajo osmane dhe komuniste?
Si e justifikon Hyji vuejtjen e nji kombit kaq fisnik deri në shfytyrim të pashembullt?
Përplasja në mes të mesueses së re dhe oficierit gjakatar të diktaturës i jep skenë mbas skenë, kapitull mbas kapitulli, përgjigjen e plotë kësaj pyetje që asht e vjetër sa mbarë bota: dashunija dhe dhuna! Cila triumfon prej të dyjave? Cila mbijeton, dashunia apo dhuna?
Maria Tuçi asht shtatorja e gjallë e kombit Arbnor, mësuesja e gjuhës arbnore dhe e gjuhës hyjnore, origjinali i nji ideali njerzor të krijuem me aq mundim e dashuni ndër shekuj, të cilën diktatura komuniste e vrau dhe e groposi, porse ajo ja doli me u ringjall.
2.
Nëse në vitet 50 fanatikët e kuq morën në dorë pushtetin dhe për hir të tij u shndërruen, sot ata i kanë shndërrue qytetet tona në biruca burgut ku mbajne peng demokracie e re.
Demokracia shqiptare, kjo Marija Tuci e viteve 2020 dhunohet sot në mbarë kombin tonë shqiptar e sidomos në Shkodër prej „hilmisaiteve“ të krimit të organizuem, të droges, korrupsionit, mungeses së shtetit ligjor, proselitizmit dhe tallavasë.
Facit, shumë pak ka ndryshue në thelb, vetëm në fasadë ka marrë ngjyre gjoja lirijet atdheu jonë e kjo kallxohet edhe në atë që teatrot e shpite botuese të marra peng nuk e vunë në skenë dramën e Maria Tuçit, e as nuk e botuen romanin e Maria Tuçit, porse fale botes virtuale, ata nuk mund ta ndalojnë vërshimin e këtyne veprave letrare e artistike….
Prandaj kush ka dëshirë, mundet me e kërkue romanin ma të ri të shkruem për 70-vjetorin e Maria Tuçit dhe 30-vjetorin e dhunimit të demokracisë shqiptare, nën adresen: kola70@hotmail.com
Ky asht nji roman ku e bukura e mirë, dashunia dhe drita e saj triumfojnë mbi dhunën, mbi të keqen mbi fatkeqsinë që ka pllakosë kombin tonë.