Prend Buzhala: Adem Gashi, aristokrat i fjalës poetike dhe i virtytit intelektual

adem gashi antologji atdhedashuri

Nga Prend Buzhala

(Ose: kur poeti, me poezinë e mbramë të tij, mbyll Portën e Jetës dhe e hap Portën e Përjetësisë)

I prekshëm ky lajm: shkoi në amshim Adem Gashi! Edhe lajmi e paska trandjen e vet! Është humbje e madhe për botën letrare e kulturore, për shkak të thesarit të çmueshëm të krijimtarisë së tij letrare për letrat tona, për shkak se veprat e tij, prej viteve ’80 e këndej, kur e boton librin e parë poetik; hyjnë në formimin e identitetit tonë kulturor, me thellësitë dhe ndërliqësitë e përvojave jetësore e krijuese që solli; për shkak të ndikimit te krijuesit e lexuesit; për shkak se Fjala e tij ka nxitur reflektime, dhe, më në fund, për shkak se veprat e tij do të jetojnë përgjithmonshëm dhe e pasurojnë trashëgiminë intelektuale e krijuese ndër ne.

1.

Po na ikin aristokratët e Fjalës Shqipe, siç ishte Ademi.

Maestro i jetës dhe Fjalës. I jetës: sepse te personaliteti i tij do ta vëreje Njeriun që udhëhiqet nga një harmoni e thellë, sepse njihte vlerat sublime të jetës, miqësisë, krijimtarisë, vlerat e shpirtit të kombit, të kohëve që i jetuam e përjetuam: ai ishte aty ku duhej, edhe me sakrificën e vet, kur u burgos për Republikë që më 1982.

Aristokrat i Fjalës: lexuesit sa herë i kanë lexuar shkrimet e tij,  shkrimin e Fjalës së Tij dhe Shqiptimin Publik të saj nëpër auditoriume, Ajo Fjalë shkëlqente ndryshe nga ajo e të tjerëve.

Është Fjala e Virtytit të Artit, Fjala e Virtytit të Intelektit. Mbi të gjitha, i Intelektit Krijues (risitë që sillte në artin e thënies poetike, prirjen krijuese për t’i dhuruar mundësitë e pakufishme të dijes dhe shprehjes në Artin e Shkrimit, origjinaliteti personal në shkrim për t’i lidhur dhe ndërthurur idetë e ndryshme nga fusha të ndryshme për të krijuar diçka të re e progresive).

Edhe kur shkruante tekste këngësh për luftën e UÇK-së e dëshmorët, Fjala e Tij ndryshe kishte atë shkëlqim të plotë e që kumbonte po me atë dritë fjalësh në këndimin e rapsodëve tanë.

Poezia e tij, po ashtu është e fisme, e radhës së kësaj Aristokracie të Shprehjes, te librat e tij poetikë: Pa ombrellë (1982), Duke punuar autoportretin (1985), Realiteti objektiv (1990), Ëndrra të liga (1995), Dorëshkrim i djegur (2000), Lulet e vetmuara (2001/2002), Lady mak(th)beth (2006), Kthimi i pamundur, lady), (2013), Labirintet e makthit ,lady 3,(2015), S’i duhet kujt gjaku im (2016), Shi dhe zog i vetmuar (2016), Ditët pa gjë (2017), Vizatimi i vetmisë në letrën e bardhë (2017), Drenushë e trembur dimrash (2018), E shjrueme për kyreshpendin (2019), Ndeza një qiri (2019), Edhe mund të gjeja një titull tjetër (2021), Është vonë diçka të ndreq (2021)… apo te romanet A…ZH – vetëtimat e nëntorit (2005) dhe Dita tjetër e jetës (2014); te vëllimet me tregime Vdekja e mixhës (1987), Pëllumbi i paqes (1989),  Udhëtimi i fundit (2002) dhe Lakorja e fatit (2020), si dhe te vëllimet eseistike, studimore e me vështrime Nostalgjia e letrës (2003) dhe Portali i fshehtë i jetës (Shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it) 2007.

2.

(Intermexo: Kam pasur rast disa herë të shkruaj për librat e tij letrarë. Si autor e njihja që nga vitet ’70, kur botonte në shtypin tonë, kurse në vitet ’80 shiheshim ndonjëherë.

Dekadave të fundit jemi gjendur shpesh bashkë me kumtesa në përurime librash -ai parapëlqente fjalën  përurim e jo promovim, – në orë letrare e besa edhe anëtarë jurie.

Sa herë dilja në Prishtinë, e shihja në Edi 2, këmbenim librat e njëri-tjetrit e ndonjë fjalë për krijimtarinë letrare, situatat, fenomenet…

Para dy ditësh, kur isha në orën letrare në Shtimje që i kushtohej Masakrës së Reçakut, e prisja edhe Ademin, por një mik i tij më njoftoi aty se Ademi gjendet në spital.

Me njoftimin që kisha marrë nga organizatori i Orës letrare, njoha jo vetëm emailin e Ademit, por me ne aty ishin edhe vargjet e tij, ani se ai mungonte.

Isha mësuar që t’i njihja tekstet poetike të autorëve të veçantë fare pa e lexuar emrin e tij. Aty ishte jehona e vargjeve të tij…si një jehonë që po përcillte përjetësinë).

3.

Pothuajse, brenda javës, shpesh i lexoja poezitë e tij në profilin e rrjetit social. Poezia, ndër të fundit që shkroi para disa ditësh, mban titullin sinjifikues “Para një lufte” (ani se ai nuk e kapërceu Pragun e Vështirë).

Mbase, ishte beteja e tij e fundit me jetën. Me të papriturat e saj, me parandjenjat e saj.  Ja poezia:

Para një lufte

do ta lodh gjumin në ngasjen e tij

që të mos më marrë përdore

me një ëndërr të lodhur

të më shpjerë te porta jote e mbyllur

megjithëse s’e kam të lehtë

t’i bëhem shok zogut të neveritshëm të natës

që cicërimën e bën klithmë

po ia dola kësaj lufte përmbytëse

mund të shpall me krenari

ngadhënjimin përballë dytësit

kujtime të mira janë plagët e labirintit

pastaj

kur vijnë në ditët me diell

s’të duhet gjë krenaria me hejbe

derisa fituesi je ti

Edhe këtu, te kjo poezi, ndër të fundit, e lexojmë  forcën e fjalës poetike të ndërthurur me jetën. Jeta e poezia bëhen një. Bëhen një me përjetësinë.

“Fjala e një njeriu është hija e tij; ai vazhdon të jetë i pranishëm përmes fjalëve të tij edhe kur nuk është fizikisht aty” do të thoshte nobelisti e shkrimtari i shquar amerikan John Steinbeck.

Kjo hije tashmë ndjehet te poezia e mësipërme. E lexojmë Qëndrimin e vendosur të poetit përballë sfidës së rëndë në luftë me jetën. “Lufta” këtu është një metaforë për pengesat e vështirësitë e jetës.

Aty lexojmë një vullnet të fortë për ballafaqim me këto sfida, kurse përballja me gjumin e ëndrrën e lodhur pikësynoi në qëllimin:

do ta lodh gjumin në ngasjen e tij

që të mos më marrë përdore

me një ëndërr të lodhur

Përballja me gjumin dhe ëndrrën e lodhur është një imazh i fuqishëm që përshkruan përpjekjet intensive dhe vullnetin për të kaluar nëpër këto sfida dhe vështirësi.

Edhe nëse e mbylli Portën e Jetës, ai hapi Portën e Përjetësisë.

të më shpjerë te porta jote e mbyllur

megjithëse s’e kam të lehtë

t’i bëhem shok zogut të neveritshëm të natës

që cicërimën e bën klithmë

Ai e shite përpara atë Portë të Mbyllur, si simbol pamundësie. E rëndësishme është se ai ishte i gatshëm për të gjitha, edhe për kapërcimin e kësaj sfide. Tortura është e rëndë, por aty e shohim Fituesin (“derisa fituesi je ti”). Ditët me diell vijnë me Fituesin e Saj. Aty janë Shpëtimi dhe Fituesi:

mund të shpall me krenari

ngadhënjimin përballë dytësit

kujtime të mira janë plagët e labirintit

pastaj

kur vijnë në ditët me diell

s’të duhet gjë krenaria me hejbe

derisa fituesi je ti

U arrit gjithçka që duhej. Kur e lexojmë shqiptimin poetik për ditët me diell, krenaria nuk është e nevojshme, pasi poezia e përfundon me një mesazh të thellë për përvojën e fitores.

Mundi e kishte vlerën e vet. Mu ashtu siç e ka edhe përjetësia e poetit, së bashku me Artin e Librin e tij.

Ngushëllime familjarëve, të afërmve, miqve krijues!

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

16 janar 2024

ObserverKult


ylli im timo flloko poezi

Lexo edhe:

KUR BRAKTIS ATË QË DO…, POEZI NGA TIMO FLLOKO

Poezi nga Timo Flloko

Ti po kthehesh përsëri tek unë,
me pendesë dhe trishtim pa fund…
Kam kohë që të pres…Sa shumë!
Përmes erës nëpër net, ti vjen,
nostalgji dhe dëshpërim më sjell…
Sa e huaj je tani… S’e ndjen?!
Ku ikën ëndrrat, ku?
Kë deshën sytë e tu, s’e di…!
Ne heshtim që të dy ,
na ndan një ftohtësi, tani.

Kur braktis atë që do,
vjen një çast, që e kupton,
se pa të, ti dot s’jeton!
Çfarë, më thuaj, vlen në botë,
kur je vetëm e ke ftohtë,
dhe një zemër s’e gjen dot?!

Ku mbetën pritjet, ku,
ku ndali hapi yt, s’e di?!
Një ndjenjë në fshehtësi,
jam skllavi yt, më thotë, tani.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult