Prend Buzhala, fitues i çmimit “Pena e Flakës 2021”

Poeti Prend Buzhala, me poezinë “Kodi i një loje”, është fitues i Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2021”, që mbahet gjatë muajit janar në Gjilan.

Në Teatrin e qytetit të Gjilanit, dje, u organizuan dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

Në hapje të Orës Letrare, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Deniza Limani tha se ky aktivitet letrar dhe “Fest Flaka”, janë si ëmbëlsirë me të cilat do ta përmbyllin manifestimin e sivjetmë të “Flakës”, që pati rrjedhë të mirë dhe një program me vlera, duke vlerësuar se të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij manifestimi këtë vit, janë ndarë të kënaqur.

Në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”- 2021, deklamuan poezitë e tyre këta poetë konkurrues: Afrim Demiri (GEGA I GJETUN), Alisa Bekteshi (KUR HANA E DO DIELLIN), Alketa Spahiu (MOS U DASHURO NË ESMERALDËN), Donart Rexhbogaj (ELEGJI), Farida Zmijani Ramadani (PËRJETIM NDJESISH), Fatmir Halimi (SEKRETI I DASHURISË), Jonida Sheholli (MBI SUPIN TËND), Kanita Sadiku (N’SY), Klejda Plangarica (PA BËZAJT), Linditë Ramushi Dushku (KAM LE DASHNIE), Prend Buzhala (KODI I NJË LOJE), Preng Maca (PRAG DITE), Rabije Bytyçi (SHTËPIA IME ËSHTË RRËNUAR), Ramë Oraça (UNAZË E KËPUTUR), Rrushe Hasimi (MARRËZIA E NJË DASHURIE), Sadete Tërnava Osmani (QIELLI I KËSAJ TOKE), Sadije Aliti (PUTHJA SHTEGTARE), Selajdin Shabani (NJË RRUGË TJETËR), Xheladin Mjeku (PËRRALLË PATRIOTIKE), Xheladin Rexhepi (DORA E DJATHTË E GJERGJIT).

Jashtë konkurrencës lexuan edhe dhjetë poetë të tjerë, për të çuar në 30-të numrin e poetëve që deklamuan në Orën Letrare si simbolik 137 e vitit jubilar, 30- vjetorit të “Flakës së Janarit”.

Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare përzgjodhën poezinë fituese të Orës, që doli të jetë “Kodi i një loje”, i Prend Buzhalës, të cilit çmimin “Pena e Flakë”, ia dorëzoi drejtoresha Deniza Limani.

Juria profesionale e konkursit në poezi shpërblimin e parë ia ndau poezisë: “Kjo e diel” shifra “Perla”, shpërblimi i dytë poezisë: “Baladë”, shifra “Vetëm 5 minuta” dhe shpërblimi i tretë poezisë “Poema e mjerimit” shifra “Aguliçe”.

Në prozë, shpërblimi i parë iu nda tregimit: “Ëndrra me peshq” shifra “Balonat”, shpërblimi i dytë “Buka e dheut” shifra “Arusha” dhe shpërblimi i tretë: “Pallati i sorrave” pa shifër./rtklive