Presidenti Meta vlerëson akademikun Bedri Dedja me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, akademikun, shkencëtarin e pedagogjisë dhe psikologjisë, si dhe shkrimtarin e shquar të letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja (pas vdekjes).

Kreu i Shtetit e dekoroi akademikun e nderuar, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve si anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe personalitet me emër i veprimtarisë universitare; përfaqësues i shënjuar i shkencës së pedagogjisë dhe psikologjisë; drejtues me cilësi të larta administrative.

Me mirënjohje për krijimet e tij letrare, ku u shqua si një nga figurat qendrore të historisë së letërsisë për fëmijë: shkrimtar dijetar dhe krijues me vepra që dolën jashtë kornizave të kohës duke ruajtur të paprekura vlerat e tyre artistike përgjatë rrjedhës së viteve.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve, akademikëve dhe studiuesve të pranishëm në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit, Kreu i Shtetit u shpreh: “Jam i lumtur që jemi sot së bashku, për të nderuar një personalitet shumë të shquar të vendit tonë, akademikun dhe profesorin Bedri Dedja, në ditën e tij të lindjes.

Akademiku Bedri Dedja i takon atij brezi, që u shfaq dhe u konfirmua si elita e re intelektuale e vendit. Në përbërje të kësaj elite të re, të formuar në universitete jashtë vendit dhe të dedikuar ndaj qëllimesh të larta, Bedri Dedja zuri një vend nderi dhe priu si njeriu i suksesit.

Veprimtaria e tij shumëpalëshe, si përkthyes, autor tekstesh shkollore dhe universitare, studiues, shkrimtar, publicist, profesor, bashkohet në një pikë, edukimi i brezave të rinj, përmes letërsisë, folklorit letrar, psikologjisë dhe didaktikës.

E gjithë jeta e tij, iu kushtua fëmijëve. Letërsia që ai shkroi, romanet, dramat, tregimet, përrallat, skenarët e filmave, ishin të gjitha për ta, një ushqim shpirtëror dhe gjithashtu për edukimin e mbarë të brezave të rinj.

Bedri Dedja zë një vend të veçantë në letërsinë për fëmijë, së bashku me Gaqo Bushakën, Adelina Mamaqin, Odhise Grillon dhe shumë personalitete të tjera.

Duke vijuar traditat më të mira të shkrimtarëve romantikë, të Naim Frashërit, të Konstandin Kristoforidhit dhe Ndre Mjedës, Bedri Dedja dhe shkrimtarët e tjerë bënë historinë e letërsisë shqipe për fëmijë. Te Bedri Dedja u bashkua mendja e dijetarit dhe talenti i krijuesit. Shumë rrallë ndodh një dukuri e tillë, ku shkrimtari dhe akademiku bëhen bashkë tek një personalitet i vetëm.

Bedri Dedja plotësoi përmes studimeve psikologjike dhe pedagogjike, përmes manualeve shkollore dhe publicistikës shkencore, atë çfarë nuk mund të arrihej me vepra letrare.

Personaliteti i tij i spikatur, kontributi dhe puna e tij e jashtëzakonshme bënë që, gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Dedja të vlerësohej, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.

Ai ka qenë fitues i shumë çmimeve letrare dhe titujve, anëtar i Akademisë së Shkencave, anëtar i kryesisë së Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Psikologëve, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë si dhe anëtar i redaksisë për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar.

Profesor Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh. Edhe pas ndryshimit të regjimit dhe ardhjes së demokracisë, veprat e Profesor Dedjes, didaktika letrare dhe shkollore e universitare e tij i rezistuan kohërave, duke treguar se themelet e moralit, të psikologjisë, didaktikës dhe shkollës, janë po ato që nga lashtësia antike. Prandaj Bedri Dedja, gjatë atyre pak viteve që jetoi pas ndryshimeve politike, jo vetëm pati kënaqësinë e rikthimit në qarkullim të veprave të tij më të rëndësishme, si romani ‘Kalamajtë e pallatit tim’ dhe drama ‘Kryengritje në pallat, por edhe të shkruajë vepra të reja dhe të mirëpritet e të pëlqehet nga lexuesi.

Për të gjitha këto, ne e nderojmë sot akademikun Bedri Dedjen, jo vetëm si shkrimtar e akademik, por edhe si përfaqësues tepër të denjë të një brezi që jetoi në një kohë me kufizime, por që ia doli të bëjë elitë në emër të qëllimeve të larta.

Në vlerësim të gjithë kontributit të shquar të profesor Bedri Dedjes, kam kënaqësinë t’i akordoj sot titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’”./panorama.com.al